Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
BETIMI PËR DREJTËSI

Shumica e kërkesave për qasje në dokumente zyrtare në KPK mbesin pa përgjigje

Pavarësisht se kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku, ka premtuar transparencë, në praktikë rezulton ndryshe. Gjatë vitit 2021, nga 241 kërkesa për qasje në informata dhe dokumente publike të adresuara në sistemin prokurorial nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), janë pranuar 95 përgjigje pozitive (39%), 12 përgjigje negative (5%), ndërsa 134 sosh (56%) kanë mbetur pa përgjigje.

Vetëm në KPK, IKD-ja gjatë vitit 2021 ka parashtruar 60 kërkesa të tilla, nga të cilat, në 23 raste (38%) ka pranuar përgjigje pozitive, në 5 raste (8%) ka pranuar përgjigje negative, ndërsa në 32 kërkesa tjera (53%), KPK nuk ishte përgjigjur fare.

Ndërsa, nga të dhënat e IKD-së për periudhën janar-qershor 2022, në drejtim të këtij institucioni janë dërguar 23 kërkesa për Qasje në Informata apo dokumente publike, 13 prej tyre kanë qenë përgjigje pozitive, 3 negative dhe 7 të tjera pa përgjigje.

Gjatë vitit 2021, KPK-ja ka nxjerrë afro 200 vendime, nga të cilat 103 vendime (51.5%) janë publikuar edhe në faqen e KPK-së, ndërsa nuk ka publikuar 97 vendime (48.5%). Po ashtu, KPK-ja ka vazhduar me mospublikimin e vendimeve në gjuhën serbe pasi nga afro 200 vendimet e miratuara, vetëm 45 vendime janë publikuar në gjuhën serbe, ndërsa nga tre (3) rregulloret e miratuara, në gjuhën serbe janë publikuar dy (2) prej tyre.

Ndërsa, sa i përket vitit 2022, KPK-ja është deklaruar se numri i vendimeve të nxjerra nga Këshilli gjatë periudhës janar-qershor 2022 është 111, ndërsa sipas tyre të gjitha vendimet që parashihet me ligj janë publikuar në faqen zyrtare të KPK-së. Mirëpo, në faqen zyrtare për vitin 2022 deri më tani janë të publikuara vetëm 75 vendime.

Kjo qasje e Malokut dhe sistemit prokurorial, sipas hulumtuesi nga IKD, Lavdim Makshana është e kundërligjshme.

Edhe KPK-ja e mbyllur për mediat, informacionet larg syve të publikut BETIMI PËR DREJTËSI KPK-ja e mbyllur për mediat, informacionet larg syve të publikut

“Askush nga profesionistët nuk tenton të cenojë asnjë proces me rëndësi apo hetim përmes qasjes në informacione apo dokumente, por informacionet dhe dokumentet publike janë pronë e publikut dhe publiku duhet të informohet dhe t’i ketë dokumentet e qasshme. Këtë gjë nuk e kanë bërë Maloku dhe sistemi prokurorial”, ka thënë Makshana.

Duke parë se sistemi prokurorial, përkatësisht prokurorët po fshihen pas vendimeve të tyre dhe se Këshilli po i mbron që të fshihen, për ta rritur ligjshmërinë, transparencën dhe llogaridhënien e prokurorëve, Makshana tregoi edhe për betejën ligjore që Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe “Betimi për Drejtësi”, kishin hapur në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, betejë të cilën e kanë fituar.

“Tashmë prokurorët nuk mund të fshihen prapa vendimeve për hudhjen e kallëzimeve penale, prapa vendimeve ku kanë pushuar hetimet apo kanë mbyllur rastet me raporte të veçanta, me nga 1 paragraf arsyetim, duke amnistuar krime të ndryshme dhe afera korruptive. Këto vendime, sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi, sikurse ka thënë vazhdimisht IKD dhe ‘Betimi për Drejtësi’, janë publike sipas ligjit”, theksoi ai.