Si kishte ndodhur vrasja e taksistit nga Mitrovica, rast të cilin e ka dështuar Prokuroria
Në fushën e drejtësisë, ka raste që ende mbeten të pandëshkuara, jo nga mungesa e dëshmive, por për shkak të dështimit të sistemit që duhej të sigurojë drejtësi. Shumë raste humbasin nëpër procese të ngadalshme, të komplikuara dhe jo të drejta për familjarët e viktimat.
I tillë është rasti i vrasjes së Selim Bekteshit, 62-vjeçar nga Mitrovica në gushtin e vitit 2009. Bekteshi, ish-minator i Trepçës, 3 vjet para se te ndodhte rasti tragjik kishte filluar të punonte si taksist. Një natë nuk ishte kthyer më në shtëpi.
“Unë kam qenë në moshën 11-vjeçare po e mbaj në mend shumë mirë atë ditë, atë ditë e kemi pas një festë në familje tonë dhe kemi prit që babi me ardhë më na marrë prej asaj festës. Edhe ka kontaktu me motrën, qashtu rreth orës 10:00 të ditës edhe i ka tregu që nuk mundet me ardhë se i ka dalë një punë edhe ka me mbete pak ma vonë. Edhe na mandej kemi ardhë me do familjarë tjerë në shpi, e kemi pritë, u bo ora 8, u bo ora 11, 12, i mbrëmjes diçka që me babin nuk ka ndodhur asnjëherë me u vonu deri në ora 11-12 të mbrëmjes, d.m.th. të natës edhe aty e kemi ditë që diçka nuk është në rregull”, rrëfen Feride Bekteshi-Musliu, vajza e viktimës.
Vajza e viktimës thotë se nuk kanë ditur se çfarë kishte ndodhur atë natë.
“Na nuk është që kemi ditë shumë për rastin, na vetëm e kemi shpallë si të zhdukur në atë kohë se nuk kemi mujtë me pas kurrfarë kontakti, d.m.th kanë kaluar orë, orë e kemi prit gjithë natën që po vjen, kanë kalu orë, orë edhe nuk kemi pas asnjë kontakt, të paktën telefonin gjithmonë e ka hapë”, ka shtuar ajo.
Ajo thotë se kishin thirrur Policinë për ta shpallur të zhdukur dhe pas 3-4 ditëve është gjetur trupi i tij.
Sipas dosjes se Prokurorisë, të ndjerin e kishin angazhuar si taksist Safet Balaj dhe Zvonko Tomiq, të cilët gjatë rrugës për në Prizren e kishin detyruar ta devijonte rrugën në mal, me qëllim të përfitimit pasuror.
“Na si familjarë, e dina që ka ndodhë për shkak të kerrit tina, ia kanë lyp edhe nuk ua ka jap edhe mandej ata e kanë mbytë me një mal të fshatit në Malishevë. Kaq kemi ditë, procedura ka zgjate 3-4 ditë deri sa e kanë gjet. Babi ka humbë më 18 gusht, e kemi shpallë si të humbur edhe me 21 gusht e kemi gjete”, ka thënë tutje Bekteshi-Musliu.
Në dosjen e këtij rasti thuhet, se tashmë të ndjerin e kishin rrahur dhe lidhur me litar duke e lënë në mal, teksa ia kishin vjedhur veturën të cilën me pas e kishin shitur në Serbi.
Një jave para këtij rasti, Safet Balaj dhe Zvonko Tomiq, thuhet se kishin sulmuar dhe vjedhur veturat dhe gjësendet tjera edhe dy personave tjerë.
Se kjo nuk ishte një vrasje e zakonshme, sipas Prokurorisë tregonte vrasja e një taksisti në Serbi 5 ditë pas këtij rasti.
Balaj e Tomiç thuhet se angazhojnë prapë taksistin serb, dhe me qëllim që t’i marrin veturën fillimisht e kanë rrahur dhe me pas goditur me thikë, pastaj e kanë hedhur nga vetura. Trupi i taksistit ishte gjendur në fshatin Kopanja afër qytetit të Vranjës. Ndërsa, pas arrestimit të tyre, Policia u kishte gjetur çelësin e veturës BMW të taksistit serb.
Të akuzuarit kishin pranuar këtë vrasje para gjykatës së Vranjës dhe sipas prokurorisë gjenden në vuajte të dënimit në Serbi
Për vrasjen e ndodhur në Kosovë, hetimet fillimisht i kishte nisur EULEX-i në shtator 2009, ndërsa në janar 2010 do i pezullonte. Rasti do kalonte në Prokurorinë Themelore në Gjakovë e cila hetimet i kishte rinisur në fund të janarit 2013, për t’i përfunduar me aktakuzë në shkurt 2015.
Balaj dhe Tomiç po akuzoheshin për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.
Por, Prokuroria ishte vonuar, aktakuza ishte jashtë afatit ligjor pasi kishte kaluar afatin 2 vjeçar të hetimeve dhe nuk kishte kërkuar afat shtesë prej 6 muajsh.
Veç afatit kohor, Prokuroria nuk kishte ndjekur gjithë hapat ligjor për të marrë të pandehurit në pyetje siç parashihet në Kodin e Procedurës Penale.
Kësisoj, Gjykata Themelore në Gjakovë, në 2023, pra 8 vjet pas ngritjes se aktakuzës dhe afër 14 vjet pas rastit ka hudhur poshtë këtë aktakuzë.
Për vrasjen e ndodhur më 2009, familjarët kanë menduar se kryerësit po vuanin dënimin në Serbi
Selim Bekteshit, 62-vjeçar nga Mitrovica ishte vrarë në gushtin e vitit 2009. Për këtë akuzoheshin Safet Balaj dhe Zvonko Tomiq, të cilët thuhet se Bekteshin e kishin angazhuar si taksist dhe me qëllim të përfitimit të veturës se tij e kanë vrarë.
Familjaret e viktimës, për vite me radhë thonë se kanë menduar se për këtë rast, kryerësit e veprës penale dënimin po e vuanin në Serbi. Kjo pasi, 5 ditë pasi Balaj e Tomiq kishin vrarë një taksist serb, për çka thuhet se po vuanin dënimin në serbi.
“Informacionin që na e kemi pas si familje ka qenë që ata e kanë mbyt edhe një person tjetër, e kanë vra dikon të nacionalitetit serb në Serbi edhe ata i kanë nxanë d.m.th. nuk i kanë nxanë për vrasjen e babit po i kanë nxanë për vrasjen tjetër që ka ndodhë edhe janë duke u gjyku edhe për vrasjen e babit. Mandej ata janë në burg në Serbi edhe nuk kemi pas më shumë qasje, qekaq është përgjigja që na e kemi marrë edhe që e kemi perjetu ndër vite, gjithmonë kemi mendu që qashtu është”, është shprehur Feride Bekteshi-Musliu, vajza e viktimës.
Vajza e të ndjerit thotë se përgjatë gjithë këtyre viteve, nuk kanë pasur informacione se kush po e trajtonte këtë rast.
“Po tregoj se na si familje, sikur fëmijë të tina nuk kemi pas asnjëherë asnjë as edhe një dokument, as edhe një letër, as edhe një kontakt me Prokurorinë për rastin, as edhe njëherë. D.m.th ata na e kanë pas borxh ndër vite të paktën, të paktën veç me ditë çka ka ndodhë”, ka shtuar ajo.
Ajo shton se ngushëllimin e kishte gjetur duke menduar se në një vend diku, dikush po vuante dënimin…
“Unë ndër vite të paktën qeky sen çka me ka ngushëllu mu si fëmijë i tina u kanë që e kom ditë që janë duke u vuajt dikun dënimin për ata çka i kanë bo prindit tem, po tash që po e kuptoj që nuk te koka kanë hiç qashtu qysh e kam mendu besoj që sot e kam pas një ndër ditët ma të këqija të jetës tem”, ka thënë ajo.
“ Nuk e kam një fjalë për me e thanë, nuk po mundem me gjetë një fjalë me përshkru dhimbjen, se qysh tregova edhe me herët të paktën jemi ngushellu me atë se ata janë duke vujtë dikun për babin tem, jo për një person tjetër po për babin tem”, rrefon tutje ajo.
Familjarët thonë se sistemi i drejtësisë dështoi të mbrojë jetën e familjarit të tyre.
“Babin tem e kanë mbytë, edhe për neve është një dhimbje shumë e madhe, për familjen tonë është një dhimbje shumë e madhe që ndër vite, ndër vite, ndër vite e kemi perjetu. Ma e rëndë bëhet kur e shohim që Prokuroria është duke punu me rastin, ka kalu kohë edhe prapë nuk ka drejtësi”, ka thënë Bekteshi-Musliu.
Sipas saj, kjo është sikur t’i vrasësh edhe njëherë.
“Me u hedhë rasti edhe mos me u dënu askush për vrasjen e babit tem, për neve është e barabartë sikur me na vra edhe njëherë, kjo tregon që sistemi i drejtësisë ka deshtu për me mbrojte jetën e babit tem edhe me dergu dhimbjen tonë”, ka thënë tutje ajo.
Lidhur me këtë rast, “Betimi për Drejtësi”, ka tentuar të marrë një intervistë me kamerë nga Prokuroria Themelore në Gjakovë. Por, kjo Prokurori është përgjigjur vetëm më shkrim duke treguar se kundër vendimit të Gjykatës, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka shfrytëzuar mjetet e rregullta dhe të jashtëzakonshme juridike.
Dhe se prokurori i cili e ka trajtuar këtë rast dhe e ka ngritur këtë aktakuzë ka vdekur më 2019.
Gjykatës iu deshën 8 vjet për të rrëzuar aktakuzën si të pasafatshme për vrasjen e taksistit
Selim Bekteshi, 62-vjeçar nga Mitrovica ishte vrarë në gushtin e vitit 2009. Për këtë akuzoheshin Safet Balaj dhe Zvonko Tomiq, të cilët thuhet se Bekteshin e kishin angazhuar si taksist dhe me qëllim të përfitimit të veturës se tij e kanë vrarë.
Ky rast është hudhur 14 vjet pas, dhe 8 vjet pasi Prokuroria ka ngritur aktakuzën jashtë afatit ligjor dhe nuk kishte ndjekur gjithë hapat ligjor për të marrë të pandehurit në pyetje siç parashihet në Kodin e Procedurës Penale.
“Betimi për Drejtësi”, ka pyetur edhe në Gjykatën Themelore të Gjakovës se pse ky rast ishte hudhur 8 vjet pasi ngritjes se aktakuzës.
Nga përgjigjja e Gjykatës thuhet se lënda i ishte caktua gjyqtarit Nikollë Komani, ndonëse aktakuza ishte ngritur pa deklarimet e të akuzuarve. Më 17 qershor 2015, përmes EULEX-it, prokurori kishte dorëzuar mbrojtjen e tyre, të dhënë në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd. Kurse në janar 2016 thuhet se rasti u kthye në Zyrën Qendrore për Menaxhim të Lëndëve për caktimin e një gjyqtari tjetër, me qëllim të shpërndarjes së barabartë të lëndëve dhe shmangies së ngarkesës për një gjyqtar të vetëm.
“Më pas, saktësisht në janar të vitit 2016, kjo lëndë i është caktuar për trajtim gjyqtarit Shaqir Zika. Duhet theksuar se aktakuza ishte ngritur në mungesë të të akuzuarve, pasi që të njëjtit gjendeshin jashtë territorit të Republikës së Kosovës, përkatësisht në Republikën e Serbisë (në vuajte të dënimit në Serbi). Për shkak të mungesës së tyre fizike dhe pamundësisë për t’i siguruar për paraqitje në gjykatë, nuk ishin përmbushur kushtet ligjore për caktimin e një seance fillestare gjyqësore apo për zhvillimin e procedurave të mëtejme”, ka thënë zyrtari për informim i kësaj Gjykate, Lekë D.Muqaj.
Pas pensionimit të gjyqtarit Shaqir Zika në nëntor 2022, thuhet se lënda iu bart gjyqtarit Sulltan Dobraj, i cili më 25 prill 2023 vendosi ta hedhë poshtë aktakuzën .
Astrit Kolaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), lidhur me afatet ligjore të hetimeve dhe marrjen në pyetje të të pandehurit gjatë procedurës hetimore, kemi të bëjmë me aspekte elementare të procedurës hetimore.
“Fatkeqësisht, mos ndërmarrja e veprimeve të nevojshme procedurale ligjore sjell deri tek pamundësia e Gjykatës për të vënë drejtësi meritore në një rast të caktuar. Kodi paraprak i Procedurës Penale e kishte përcaktuar decidivisht, se nëse hetimet nuk përfundohen brenda afatit prej 2 viteve, hetimi menjëherë pushohet. Përjashtim nga kjo bënte situata kur gjyqtari i procedurës paraprake autorizon shtyrjen edhe për gjashtë muaj. Në rastin konkret, nëse nuk është marrë autorizimi nga Gjykata për vazhdimin e afatit edhe për gjashtë muaj, i bie se Prokuroria ka ngritur aktakuzë jashtë afateve dhe normalisht një aktakuzë e tillë nuk mund të gjykohe”, ka thënë ai.
Edhe sa i përket marrjes në pyetje, Kolaj thotë se në rastin konkret, Kodi i Procedurës Penale që ishte në fuqi theksonte detyrimin imperativ të Prokurorisë që të marrë në pyetje të pandehurin para ngritjes së aktakuzës.
“Nëse Prokurori i Shtetit e ka pasur të pamundur ta bëjë këtë, për shkak se të pandehurit kanë qenë të paqasshëm, ka pasur mundësi që ta pezullojë hetimin dhe afati i hetimeve nuk do të rrjedhte, dhe jo të ngriste aktakuzë. Kjo mënyrë e veprimit nga Prokurori i Shtetit fatkeqësisht ka sjellë deri tek pamundësia e vendosjes së drejtësisë në këtë rast”, ka shtuar ai.
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme dhe profesori universitar, Fejzullah Hasani thotë se gjykata fillimisht aktakuzën duhet ta kontrollojë pa e futur në sirtar.
“Qasja e tillë e gjyqtarëve për bindjen time është e gabuar për faktin se gjyqtari, kryetari i trupit gjykues detyrim ligjor ka akoma pa e fut në sirtar të dosjes, të çështjes ta shikojë rregullshmërinë e aktakuzës dhe mos ta lë në sirtar dhe pas 4-5 viteve të thotë se aktakuza është kjo edhe kjo, i ka këto të meta edhe këto të meta. Do të thotë të mos lihet atje në pasi kur ti vie rradha, po të parën punë që ta bëjë para se ta fut në rradhën e çështjeve të pakryera, duhet ta kontrollojë anën formale, zyrtarisht duhet ta kontrollojë se a është aktakuza në përputhje, a mos i ka këto të meta, a duhet të kthehet”, është shprehur Hasani.
Familjaret e të ndjerit janë udhëzuar në kontest civil për dëmshpërblim, por ata thonë se dëmshpërblimi më i madh do ishte dënimi i kryerësve të veprës penale.
“Për mu, sikur fëmijë i tina besoj që dëmshpërblimi ma i madh në jetë ish kanë që ata persona me e vujt këtë dënim që e kanë bo këtë vuajte, për faktin se unë jam rritë pa të, jam rritë pa figurën e tij, e kam vuajt ndër vite që ai nuk është”, ka thënë vajza e të ndjerit.
Prokuroria nuk interviston të pandehurit, qindra raste hudhen nga gjykatat
Vrasje e Selim Bekteshit nga Mitrovica nuk është rasti i vetëm që për shkak të lëshimeve procedurale nuk mori drejtësi.
“Betimi për Drejtësi”, ndër vite ka trajtuar problematika kur rastet kanë dështuar për shkak të prokurorisë dhe gjykatës. Ky hulumtim tregon numrin me të madh të rasteve të dështuara krejtësisht për shkaqe procedurale. Përkatësisht pasi Prokuroria ka ngritur aktakuza pa marrjen në pyetje të të pandehurve para ngritjes se aktakuzës ashtu siç parashihet me ligj.
“Betimi për Drejtësi”, në gjitha gjykata në nivel vendi, ka siguruar rreth 150 raste kur aktakuzat janë hudhur apo janë në proces për t’u hudhur pasi Prokuroria nuk ka zbatuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. Në mesin e rasteve të hudhjes, ka lëndë me vepra penale si “vrasje e rëndë”, “kultivim i bimëve narkotike”, “mashtrim”, “vjedhje e rëndë”, “kanosje”, “falsifikim të dokumenteve”, e vepra tjera penale deri tek “vjedhja e shërbimeve”.
Fejzullah Hasani, ish-Kryetar i Gjykatës Supreme dhe profesor universitar, thotë se ligji është i qartë në aspektin e veprimeve procedurale që duhet t’i ndërmerr prokurori.
“Prokurori e ka të drejtën të autorizojë Policinë që ta marrë në pyetje të pandehurin kur bëhet fjalë për vepër penale të dënueshme deri në tre vjet dhe me këtë deklarim të te pandehurit në Polici mund të ngritë aktin e akuzës, aktakuzën. Po flas gjithnjë nëse i ka legjitimua veprimet hetimore me një aktvendim për fillim të hetimeve. Ndërsa, për të gjitha veprat tjera penale prokurori duhet që pas marrjes se aktvendimit për fillim të hetimeve patjetër ta dëgjoj të pandehurin”, ka thënë ai.
Avokati Yll Zekaj sqaron se ka aktakuza që mund të ngritët edhe pa intervistimin e të pandehurit, kur nuk mund të sigurohet në procedurë.
“Prokurori, shumë qartë e thotë Kodi i Procedurës Penale që prokurori duhet se pari të dërgojë thirrje, nëse nuk ka mundësi përmes thirrjes ta sigurojë të pandehurin, të lëshojë urdhër arrest, pastaj letërrreshtim nëse është nevoja të bëjë edhe përpjekje për të siguruar adresën e të pandehurit nëse nuk dihet”, ka thënë ai.
Ndonëse Kodi ishte i qartë, gjithçka filloi me një hulumtim të “Betimit për Drejtësi”, të zhvilluar në qershor 2023. “Për faj të Prokurorisë, amnistohet burri i dhunshëm, pëson gruaja viktimë”.
Ky hulumtim tregonte se si Prokuroria e kishte dështuar një rast të dhunës në familje, pasi nuk kishte intervistuar të pandehurin para ngritjes se aktakuzës.
“Dhunën e kam përjetu 7 vite, dhunë të llojllojshme, kam përjetu dhunë me rrahje, dhunë me vrasje, dhunë me varr, varrin ma kanë qelë për me m’shti për së gjalli në të dhe por Allahu është ai që më ka ndihmu edhe një sebep i tyre e ka qu Zoti mysafir edhe ka ardhë aty në ato momente unë kam shpëtua”, fillonte rrëfimi i viktimës H.M
“Hera e fundit, kam dal në oborr me i marr do dru edhe me thotë kunati ti kurve je lavire mos dil në oborr se na pengon edhe kështu që ka fillu dhuna, burri me m’rrah edhe kanë fillu tani vëllezërit e tij, me shati, me metal, unë kam qenë e gjakosur, fytyra komplet, trupi, njëherë me ka hup vetdija, mas një kohe mu ka kthy, edhe kur mu ka kthy vetdija Allahu është ai që ma ka dhanë fuqinë dhe ia kam marrë telefonin burrit dhe ai nuk e ka hetu, dhe jam munu me një menyre me hi në banjo dhe aty e kam mshele derën”, kishte thënë tutje ajo.
“Dhe e kam marrë telefonin, e kam thirre Policinë, po Policia kanë vonu, me rastin që i kam thirre unë, edhe kështu që unë kam qenë e gjakosur, trupin e kam pas të lëndum, dorën e thyme, trupin e kam pas zi, prej stupcit”, ishte shprehur ndër të tjera viktima.
Kjo dhunë, e cila ishte dokumentuar edhe me raporte mjekësore kishte mbetur e pandëshkuar për faj të Prokurorisë.
Agron Maxhuni, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dega në Vushtrri, tregonte se pse kishin hudhur këtë rast.
“Në rastin konkret, ne kemi vendosur konform nenit 151, që kjo aktakuzë të hudhet për faktin se pa pandehuri nuk është marrë në pyetje në fazën e hetimeve, ashtu siç parashihet me dispozitat e këtij nenin përkatësisht neni 151 e cila dispozitë është konporative dhe e obligon prokurorinë e shtetit që ta merr të pandehurin për veprat penale për të cilat parashihet dënim me tepër së 3 vite. Ju e dini që prokuroria ka të drejtë të ngrisë aktakuza të drejtpërdrejta, por për veprat penale për të cilat është dënimi mbi tre vite është patjetër e obligueshme që të merret në pyetje në fazën hetimeve, përkatësisht para ngritjes së aktakuzës”, kishte thënë gjykatësi.
“Është dispozitë obligative, për vet prokurorinë dhe është dispozitë e pakapërcyeshme për gjykatën dhe gjykata kujdeset sipas pozitës zyrtare që në këto raste të zbatohen standardet të cilat parashohin dispozitat e kodit të procedurës penale, e të cilat lidhen poashtu me konventën Evropiane për të drejtat e njeriut, përkatësisht nenin 6 gjykimi, për një gjykim të drejt”, kishte shtuar tutje ai.
Edhe pse hudhja e aktakuzës ishte konfirmuar nga Apeli, në përgjigje ndaj pyetjeve të Betimi për Drejtësi se a ishte amnistuar dhuna, Prokuroria Themelore në Mitrovicë insistoi se rasti nuk ka përfunduar proceduralisht dhe paralajmëroi se do ta dërgojë në Gjykatën Supreme.
Gjykata Supreme ka marr vendim duke refuzuar kërkesën e Prokurorit të shtetit.
“Gjykata Supreme e Kosovës konstaton se aktvendimet e kundërshtuara janë të drejta dhe gjejnë mbështetje në dispozitat përkatëse të procedurës penale, ndërsa konstatimet e gjykatave janë në përputhje edhe me parimet bazë të procedurës penale dhe me të drejtat e mbrojtes”, thuhet në vendimin e Supremes.
Supremja kishte sqaruar se me Kodin e vjetër të procedurës Penale, parashihej që “Para ngritjes së aktakuzës, i pandehuri merret në pyetje në seancën e marrjes së deklaratës në procedurë paraprake. Nëse i pandehuri hetohet për vepër apo vepra penale për të cilat dënimi maksimal i paraparë është jo më shumë se tre (3) vjet burgim, mjafton që të pandehurit t’i jepet mundësia që të përgjigjet me shkrim”
Sipas Supremes, zbatimi i hetimeve dhe marrja në pyetje e të pandehurit në seancën e marrjes së deklaratës, kanë qenë detyrim i prokurorit të shtetit.
“Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar një intervistë nga gjykatës të Gjykatës Supreme, por, ata kanë refuzuar të flasin.
Profesori Hasani, thotë se si Kodi i vjetër i Procedurës Penale, ashtu edhe Kodi i ri nuk dallojnë në dispozitat elementare që janë në favor të mbrojtjes.
“Nuk ka ndonjë fare dallimi në aspektin e atyre dispozitave që janë elementare që janë në favor të mbrojtjes, interesit të te pandehurit në procedurë penale dhe që janë dispozita në përputhje me standardet nga Konventa. Ai duhet patjetër që para se t’i ngritët një aktakuzë të dëgjohet nga ana e prokurorisë”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo çështje rregullohet me dispozita kalimtare.
“ Dhe atje në dispozitat kalimtare në mënyrë të qartë thuhet se për të gjitha procedurat ku janë ngritë aktakuza mirëpo nuk janë përfundu, zbatohet Kodi i 2023, në përjashtim me afatet dhe afatet thotë që kanë të bëjnë me të pandehurit për të mbrojte interesat e pandehurit”, ka thënë ai.
Qindra raste të dështuara për faj të prokurorëve, a do të ndikojë në vlerësim të performancës?
Gjykata Supreme ka marrë vendim, duke i dhënë të drejtë Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe asaj të Apelit, kur kanë hudhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë në Mitrovicë për dhunën e ushtruar ndaj H.M. Kjo pasi Prokuroria nuk kishte zbatuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale për intervistimin e të pandehurit para ngritjes se aktakuzës.
Pas vendimit të Supremes, Gjykatat tanimë kanë filluar që t’i hudhin rastet në të cilat Prokuroria nuk e ka intervistuar të pandehurin në fazën hetimore, ashtu siç kërkohet me ligj.
Kështu ka ndodhur me Gjykatën e Mitrovicës e cila ka hudhur të paktën 34 aktakuza, 26 i ka kthyer në plotësim pasi mungon marrja në pyetje e të pandehurit dhe 34 lëndë tjera janë ngritur aktakuzat pa intervistimin e të pandehurit por që ende nuk janë hudhur.
Ndërsa sa pritet të hudhe në të ardhmen nuk dihet për shkak të numrit të madh të lëndëve që kanë gjyqtarët.
“Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë të na ofrojë intervistë me kamerë për të diskutuar rreth kësaj situate, por nuk ka marrë përgjigje.
Në Gjykatën e Pejës, janë identifikuar 13 raste, në Gjykatën e Ferizaj, janë identifikuar 8 raste, në atë të Gjakovës 4 raste, Prizren 4 raste, Gjilan 2 raste. Ndërsa, nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë thënë se ka një numër të konsiderueshëm të këtyre lëndëve. Nga burimet e Betimi për Drejtësi, thuhet se në këtë gjykatë, për këto arsye, deri me tani janë hudhur afër 100 aktakuza.
“Nëse ka pasur raste të tilla qysh po thoni edhe ju i keni identifikuar rastet e tilla, atëherë i bjen që prokurori i caktuar nuk ka qenë në nivel të detyrës. Nuk mundet prokurori me komoditetin e tij pa marrë në pyetje të pandehurin apo personin e hetuar gjatë fazës së hetimeve të ngritë aktakuzë dhe për këtë ne kemi pasur shumë raste kur janë ngritur aktakuza edhe për persona të vdekur sepse nuk ka qenë i vetëdijshëm prokurori nëse ekziston ai person apo jo, por ka shkuar në bazë të provave që i ka gjetur në terren dhe nuk ka marrë mundin që ta ballafaqoj të pandehurin me këto prova”, është shprehur avokati Yll Zekaj.
Si po e adresojnë këtë çështje prokuroritë në gjithë vendin? Dhe a pritet që ajo të reflektojë në vlerësimin e performancës së prokurorëve?
Nga Prokuroria e Pejës kanë thënë se rastet i përkasin mandatit të ish-kryeprokurorit Agim Kurmehaj dhe se vlerësimi i performancës është përmbyllur më 31 dhjetor 2024, gjatë mandatit të tij.
“Ne ju inkurajojmë se gjatë monitorimit tuaj eventualisht nëse hasni në raste gjatë mandatit të Kryeprokurores të bashkëpunoni me ne dhe të njëjtat raste do trajtohen si dhe do ndikojnë në vlerësimin e punës se secilit prokurorë”, ka thënë zyrtari për informim, Shkodran Nikçi.
Prokuroria e Prizrenit thotë se synon të respektojë të drejtat e të dyshuarve dhe të pandehurve, duke garantuar një proces të drejtë dhe të balancuar.
“Prokuroria është e vetëdijshme se intervistimi i të pandehurit përbën hap thelbësor në fazën paraprake të hetimeve dhe një garancë procedurale që ndikon drejtpërdrejt në të drejtën për mbrojtje dhe në vlefshmërinë e aktakuzës. Ajo që shihet në këto raste, mund të vlerësohet se janë raste të izoluara dhe mos përmbushja e detyrimit për marrje në pyetje të të pandehurit nuk është vetëm një çështje teknike, por do të reflektoj gjithashtu në vlerësimin e performancës së prokurorëve, në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet e brendshme të punës së institucionit të Prokurorit të Shtetit”, ka thënë zëdhënësja për informim Fitore Mehmeti-Sejrani.
Prokuroria e Gjakovës ka thënë se mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të plotë të të drejtave procedurale të të dyshuarve dhe të pandehurve.
“Në rast të mos përmbushjes së këtij detyrimi, merret për bazë në vlerësimin e performancës së prokurorëve, në përputhje me dispozitat ligjore dhe standardet profesionale të institucionit të Prokurorit të Shtetit”, kanë thënë nga kjo prokurori.
Ndryshe nga Prokuroria e Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit që thonë se rastet e tilla do ndikojnë në vlerësim të përformancës. Prokuroria në Prishtinë thotë se gjyqtarët po zbatojnë gabimisht Kodin.
“Një praktikë e tillë është zbatuar deri në kohët e fundit kur disa gjyqtarë kanë filluar që gabimisht të interpretojnë dispozitat e Kodit në fuqi për Procedurën Penale në frymën e dispozitave të Kodit të mëparshëm të Procedurës Penale, përkundër faktit se të njëjtit gjyqtar shumë pak kohë më parë kanë gjykuar dhe dënuar të akuzuarit me të njëjtën praktikë që ka qenë e zbatueshme dhe nuk është kontestuar ndër vite. Ligjërisht, rezulton se gjykata me vendime të tilla të ndryshme dhe jokohorente me praktikën e saj, po shkelë dhe cenon sigurinë juridike të të akuzuarve edhe pse me praktikën e mëparshme kanë dënuar mijëra persona, të cilët edhe kanë vuajtur dënimet, ndërsa tani të akuzuarit tjerë i amniston nga dënimi. Përderisa prokurori i shtetit ka vepruar në pajtim me dispozitat ligjore procedurale penale, nuk ka asnjë arsye që këto vendime të gjykatës të ndikojnë në përformancën e prokurorit të shtetit”, ka thënë zëdhënësja për informim, Kaltrina Shabani.
Fejzullah Hasani dhe Yll Zekaj: Nëse gjykatat kanë krijuar praktika të këqija, nuk duhet të vazhdojnë të gabojnë
Të gjitha gjykata themelore në nivel vendi, po hudhin rastet kur Prokurorët nuk kanë marrë në pyetje të pandehurit para ngritjes se aktakuzës, ashtu siç është e përcaktuar me Kod të Procedurës Penale.
Për këtë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se gjyqtarët po zbatojnë gabimisht Kodin dhe se në të kaluarën gjykatat kanë kaluar shumë raste e shumë persona janë dënuar. Sipas tyre, tani Gjykata po i amniston nga dënimi.
Por, ish-Kryetari i Gjykatës Supreme dhe profesori universitar , Fejzullah Hasani si dhe avokati Yll Zekaj, kanë thënë se nëse në të kaluarën janë krijuar praktika të këqija, ato nuk duhet të vazhdojnë.
“Arsyetimi i Prokurorisë se Gjykata po krijon praktikë të keqe apo drejtësi selektive përmes hudhjes se tani të këtyre aktakuzave nuk është argument i qëndrueshëm për faktin se asnjëherë nuk mund të krijohet në kundërshtim me ligjin, praktikat duhet të jenë zbatimi i ligjit”, ka thënë avokati Zekaj.
“Krejt defektet janë që nuk ka një Departament që nuk lejon, që nuk i kontrollon vendimet e instancave, do të thotë të Apelit edhe të Gjykatës Supreme që mos me leju vendime divergjente për çështje të njëjtë, për faktin se ajo pastaj krijon huti edhe në gjykatat e shkallës së parë, po krijon edhe probleme në Prokurori, për faktin se atyre u krijon një perceptim se po bëjka edhe kështu, edhe ashtu. E sistemi gjyqësor nuk funksionon kështu, mirëpo në anën tjetër, prokurori është prokuror ai duhet të respektojë ligjin e jo t’i referohet edhe vendimeve që mund të jenë precedentë absolutisht të gabueshme”, ka thënë në anën tjetër profesori Hasani.
“Edhe Gjykatat Themelore nëse një herë kanë gabu nuk do të thotë që duhet të gabojnë, s’do duhej të gabojnë, por nuk do të thotë që nëse kanë gabu një herë duhet të vazhdojnë me gabime të tilla në dëm të të pandehurit”, ka shtuar ai.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se këto vendime do vazhdojnë t’i atakojnë, duke shtuar se e vetmja mundësi është që Gjykata t’i kthejë këto raste në plotësim.
“Edhe për bindjen time aty duhet se nëse eventualisht akuza është përcjellë me këto lëshime, nuk janë marrë në pyetje, nuk janë plotësu kushtet sikur e parasheh ligji nëse afatet kohore e lejojnë që t’ia kthej në përmirësim, mirëpo nganjëherë është e pamundur për faktin se nuk të lejojnë afatet kohore, se hetimet duhet të përfundojnë brenda 12 muajve, pra, ndodhë qe të kenë kalu dhe nuk mund ti ta rikuperosh një proces me rikthy në fazën e hetimeve duke i shkele afatet që janë në dem të të pandehurit”, ka thënë profesori Hasani.
“Çështja e marrjes në pyetje të të pandehurit në procedurë hetimore duhet të shihet si e drejtë e të pandehurëve në këtë fazë. Detyrimi për ta bërë këtë është i qartë sipas Kodit të Procedurës Penale. Nëse në të kaluarën janë kaluar aktakuza të tilla nga Gjykata definitivisht se kemi të bëjmë me shkelje të ligjit nga vet Gjykata. Kështu duhet ta shoh edhe Prokuroria”, ka thënë në anën tjetër, Astrit Kolaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).
“Nuk ka asnjë arsye praktike se pse Prokuroria duhet të insistoj të mbahet praktika që I pandehuri mos të merret në pyetje dhe në asnjë rast raste të tilla nuk duhet të kalojnë në Gjykata. Për rastet kur Gjykata hudhë poshtë aktakuzat për shkak të këtij lëshimi, definitivisht se sistemi prokurorial duhet të garantoj llogaridhënie”, ka thënë tutje ai.
Nga rasti i vrasjes, dhunës, vjedhje, mashtrim, narkotik e deri tek vjedhjet e rrymës, qindra kryerës potencial të veprave penale do mbesin të pandëshkuar.
“Një shkelje e tillë procedurale do të jetë e dëmshme edhe për vet shtetin, vetë sistemin prokurorial që nuk arrinë që dikë të dyshuar përmes një aktakuze të fortë ta qes para gjykatës”, ka thënë Zekaj.
“Do të ishte keq për sistemin në tërësi në sistemin e drejtësisë edhe në sistemin prokurorial edhe në sistemin gjyqësor, do të ishte keq edhe për Kosovën kur rastet e tilla për shkak të gabimeve procedurale dhe bazike që janë elemntare për këto gabime. Unë ju garantoj që në shtetet që ka drejtësi të konsoliduar nuk falet kjo, as gjyqtarit e as prokurorit. Do të thotë, edhe një rast me ndodhë për gabime elementare gjithë sistemi qohet në këmbë, mos të flasim nëse çështja ka marrë përmasa të dukurisë të hudhjes së hudhjes së akuzave për shkaqe të neglizhencës së prokurorit dhe për shkaqe të jo kujdesit të mjaftueshëm të gjyqtarëve për ta përmbushë detyrimin e tyre ligjor”, ka thënë në anën tjetër profesori Hasani.
Kelmendi thotë se hudhjet e aktakuzave do t’i diskutojnë – Hasani: Ka mungesë të llogaridhënies
Qindra aktakuza janë hudhur dhe pritën të hudhen nga Gjykatat, pasi Prokuroria ka ngritur pa respektuar Kodin e Procedurës Penale, e që është intervistimi i të pandehurit para ngritjes se aktakuzës.
Lidhur me këtë, “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar të zhvillojë një intervistë me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendin.
Kelmendi është përgjigjur me shkrim duke thënë se në kolegjiumin e radhës me kryeprokurorët, njëra ndër pikat e rendit të ditës do të jetë edhe kjo çështje dhe se pas pranimit të informacioneve të verifikuara do të na njoftojnë për gjendjen reale.
Intervistë për të diskutuar këtë çështje, “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar edhe nga Prokuroria e Apelit, si shkallë e dytë.
Në një përgjigje me shkrim, i pari i kësaj Prokurorie, Agron Bajrami ka thënë se në të kaluarën kishte një qasje praktike më të lehtë.
“Po ashtu, sipas Kodit të mëparshëm të Procedurës Penale, konkretisht nenit 152 paragrafi 1, parashihej që të pandehurin në procedurën paraprake e merr në pyetje prokurori i shtetit, por njëkohësisht ishte lejuar që prokurori t’ia besojë këtë veprim policisë. Në praktikën e atëhershme, marrja në pyetje nga ana e policisë është konsideruar si veprim i kryer në përputhje me dispozitat e Kodit dhe si i tillë ka qenë bazë e mjaftueshme për vazhdimin e procedurës. Kjo tregon se në të kaluarën ka pasur një qasje praktike më të lehtësuar, ku prokurorët kanë pasur hapësirë që, varësisht nga rrethanat e rastit, të veprojnë në mënyrë të arsyeshme pa dalë jashtë kornizës ligjore”, ka thënë ai.
Bajrami ka shtuar se në disa raste marrja në pyetje e të pandehurit nuk është realizuar për shkaqe objektive, si arratia apo shmangia e ftesave. Në këto raste, për të mos lënë procedurën penale pezull, prokurori, pas vlerësimit të provave dhe bazës ligjore, thotë se paraqet aktakuzën duke vlerësuar se kushtet ligjore janë përmbushur.
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme dhe profesori universitar Fejzullah Hasani, thotë se ka mungesë të llogaridhënies.
“Bëhet fjalë për çështje elementare, mjaftoj të dish të lexosh juridikisht, nuk është për çështje që kërkojnë kumeditë çfarë ekspertizë, kumeditë çfarë eksperience të gjatë, po këtu është vetëm mungesë e veprimeve neglizhente dhe mungesë llogaridhënies, por primare është mungesa e llogaridhënies. E thashë nëse ju bëni gabime të tilla dhe akuza hudhet për një rast të zëmë vrasje, terrorizëm që paraqesin shkallë të lartë të rrezikshmërisë, ju do të duhej të shkoni menjëherë nga ai funksion, çdo kund në botë nuk ka pardon më drejtësi”, ka thënë ai.
“Duhet secili organ i drejtësisë penale ta kryej punën e vet, Policia të mos dërgoj kallëzime penale pa prova në prokurori dhe prokuroria mos të ngritë aktakuzë, eventualisht gjykatat të mos lejoj filtrin e aktakuzave të dobëta, të kaloj filtrin e gjykatës”, ka thënë në anën tjetër avokati, Yll Zekaj.
“Fatkeqësisht, tanimë kemi një numër të madh të veprave penale në të cilat nuk mund të vendoset drejtësisë, për faktin e vetëm se të pandehurit nuk janë marrë në pyetje në fazën hetimore. Si IKD vite më parë kemi paralajmëruar për këto probleme të cilat nuk janë marrë parasysh nga sistemi prokurorial dhe sot shohim pasojat praktike të këtyre lëshimeve”, është shprehur Astrit Kolaj, hulumtues i lartë në IKD.
Se si do të adresohet kjo problematik mbetet të shihet, por numri i madh i hudhjes se këtyre lendeve tregon se Prokuroria nuk ka qenë në krye të detyrës, duke lejuar që një numër i madh i kryerësve potencial të veprave penale të mos gjykohen asnjëherë. Ndërsa, faji i takon edhe Gjykatave që për vite me radhe kanë kaluar lëndë të tilla, duke mundësuar kështu të krijohet praktikë e keqe dhe e pabazuar në ligj.