Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar emrin e Glauk Konjufcës si mandatar të dytë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar emrin e Glauk Konjufcës si mandatar të dytë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Konjufca u propozua të martën në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së. Emri i tij propozohet pas dështimit të kryetarit të VV-së, Albin Kurti, që të dielën e shkuar t’i siguronte votat për t’u bërë kryeministër. Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme. 
Konjufca kërkon votën e opozitës për kryeministër, por s’do koalicion me të
Glauk Konjufca, i propozuar i Lëvizjes Vetëvevendosje për mandatar për formimin e Qeverisë, ka thënë se nuk synon bashkëqeverisje me parti të tjera në koalicion. Megjithatë, ai ka thënë se pret që të marrë mbështetje nga deputetët e partive të tjera për të formuar qeveri për të shmangur zgjedhje të reja në dhjetor e për të miratuar buxhetin e vitit 2026.
Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, në të cilën Konjufca u propozua për mandatar, ai ka thënë se nuk do të kërkojë marrëveshje koalicioni me parti të tjera.
“Unë mendoj se ky nuk do të jetë një proces në të cilin ne do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni. Ideja është të krijojmë një qeveri të re për të shmangur zgjedhjet e menjëhershme dhe që të provojmë të bashkëpunojmë me partitë parlamentare për të mundur që Kosova ta ketë buxhetin 2026. Nëse këto nuk bëhen, nuk do të ishte në të mirë të Kosovës dhe pikërisht për këtë LVV-ja më propozoi si mandatar sot. Unë e pranova dhe e tëra që na mbetet është të shohim veprimin e presidentes së Republikës”, ka thënë ai.
Sipas Konjufcës, po që se nuk merr mbështetje, atëherë Kosova mund t’i ketë pesë palë zgjedhje brenda një viti.
“Për t’i shmangur këto, kështu e definova pse është interes publik të shtetit të Kosovës, sepse ta keni parasysh se kur të arrijmë te momenti i presidentit nuk është i sigurt se një parlament i ardhshëm mund ta zgjidhë dhe prapë mund të kemi zgjedhje. Për të shmangur dy palë zgjedhje, maturia shtetërore në këto rrethana dhe moment është që të kemi një qeveri së paku deri atëherë. Kjo do ta përfshinte edhe buxhetin. Nevojitet konsensus i të gjitha forcave. Besoj se do të reflektojnë dhe do ta kemi bashkëpunimin pozitiv që këto dy gjëra të ndodhin, që të shmangen zgjedhjet në dhjetor dhe votimi i buxhetit”, ka thënë ai. “Në planin ndërkombëtar është Plani i Rritjes. Rrezikojmë ta humbim afatin. Qindra miliona euro presin. Do ta kërkoj bashkëpunimin, por jo për qeveri me koalicione, por t’i thirrin mendjes që këto gjëra të kalojnë e pastaj bëjmë bash çka të duam”.
Basha: Ne e siguruam mandatarin, nuk e kemi luksin të shkojmë në zgjedhje
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha ka thënë se vendi nuk e ka luksin të shkojë sërish në zgjedhje. Prandaj sipas tij, VV-ja ka siguruar mandatarin.
Ai e ka quajtur Glauk Konjufcën njeri me shumë vlera.
Tutje i ka bërë thirrje opozitës t’i thërrasë arsyes.
“Ne e kemi siguruar mandatarin, kjo ka rëndësi. Një njeri me shumë vlera siç është Glauk Konjufca. Arsyet siç edhe i përmendi janë të dyfishta, t’i ikim zgjedhjeve sepse ky popull nuk e ka luksin me shku në zgjedhje dy herë dhe e dyta kemi buxhetin e shtetit, kemi buxhetin e tri komunave dhe gjithashtu i kemi mbi 700 punonjës të RTK-së që i presin pagat e tyre. Opozita le t’i thërret arsyes”, ka thënë ai pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes ku u vendos që Konjufca të jetë mandatar për kryeministër.
Konjufca pranon propozimin për mandatar: Të shmangen dy palë zgjedhje dhe të votohet buxheti
I propozuari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, për mandatar për kryeministër, ka thënë se e pranon këtë propozim me qëllim që të shmangen dy palë zgjedhje të njëpasnjëshme dhe që të votohet buxheti i vitit 2026.
“Më duhet ta pranoj këtë nominim të Këshillit të Përgjithshëm. Këtë e bëj si thirrje nga detyra e cila na shndërron në shërbëtor të interesit publik. LVV-ja e ka definuar këtë interes në dy shtylla në rrethanat aktuale. Shmangia e dy palë zgjedhjeve të mundshme brenda tre muajsh dhe së dyti, votimin e buxhetit për vitin 2026, pa të cilin rrezikohen dimensionet vitale të qytetarëve tanë prej mbi 80 mijë pagave të sektorit publik, pensionet e shtesat e fëmijëve, deri te projektet ekzistenciale për shoqërinë tonë. Do të ishte e pafalshme nëse për shkak të tekave të partive politike e humbim mundësinë e përfitimit të benefitve qindra milionëshe duke u krekosur se po shkojmë në zgjedhje. Edhe dy procese tjera nuk na presin, RTK-ja mbet pa pagat e tyre e po ashtu nuk ka kurrfarë afat shtesë për buxhetin e tri komunave”, ka thënë ai.
Konjufca po ashtu ka lavdëruar kryetarin e VV-së dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Dua të të siguroj diçka, që populli shumë shpejt pret që ti të rikthehesh edhe më fuqishëm se në vitin 2021. Padyshim që ke qenë dhe do të mbetesh kryeministri më i mirë që ka pasur shteti ynë”, ka thënë ai. “Problemi i nderuari kryetar Albin është që aq sa e ke gëzuar popullin me gjithë këtë mbështetje, në po të njëjtën masë ke nxitur shumë frikë te kundërshtarët e tu politikë që u bashkuan vetëm me një qëllim - të ta pamundësojnë krijimin e një qeverie për herë të tretë. Ama një gjë e dimë të gjithë, nuk ka forcë që e shkëputë apo e ndal lidhmërinë e popullit tanë me Lëvizjen Vetëvendosje”.
Konjufca ka thënë se tash është në duar të partive që të shmangin apo jo zgjedhjet e menjëhershme.
“Të gjithë jemi në llupën e popullit por mua më duket se shpata e gjykimit do të jetë më e mprehtë se më parë”, ka thënë ai.
VV-ja propozon Konjufcën mandatar për kryeministër
Glauk Konjufca është propozuar për mandatar për formimin e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje e cila ka mbledhur sot Këshillin e Përgjithshëm.
Konjufca është propozuar pasi Albin Kurti nuk arriti t’i marrë votat.
Kurti në propozim ka thënë se vetë do të jetë kandidat për ministër të Punëve të Jashtme, për çka ishte propozuar herën e shkuar Konjufca.
“Këtë propozim e bëj për shkak të besimit të madh që kam për Konjufcën, por edhe për shkak që të mos bëhen zgjedhje tjera. Unë marr vendin e Glaukut e Glauku timin”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje pa buxhet të miratuar në Kuvend.
Sipas tij, pa buxhet të miratuar nuk do të mund të mbaheshin as zgjedhjet.
Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që në përpjekjen e parë dështoi të marrë votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër, presidentes Osmani i kërkoi disa ditë kohë para se t`i kthejë përgjigje, nëse do të tentojë sërish të formojë qeverinë apo do t`u bashkëngjitet partive të tjera që janë përcaktuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Konjufca tutje ka thënë “në çdo shtet serioz, opozita dhe pushteti arrijnë të ndërtojnë disa qëllime të përbashkëta për hir të interesit të përgjithshëm”.
“Ky është momenti në Kosovë”, ka thënë ai.
Kurti: Kudo që VV-ja është në balotazh me PDK-në e LDK-në, këto të dyja po bëhen bashkë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se VV-ja duhet të fitojë në të gjitha komunat ku është pjesë e balotazhit.
Ai ka thënë se kur të tjerët po bëhen bashkë për marrëveshje nën tavolina, fitorja e VV-së do të shumëfishohet.
Sipas tij, kudo që VV-ja është në balotazh me PDK-në dhe LDK-në, këto dy parti po bëhen bashkë për ta dëmtuar të parën. Kjo, ka thënë Kurti, po bëhet pa llogaritur e as bërë analizë për qeverisje.
Kurti ka thënë se këto dy parti janë bërë bashkë edhe në kryeqytet por “nuk po tregojnë”.
“LVV-ja nuk ka bërë pazare me komuna duke kushtëzuar marrëveshje komunë me komunë. Kur jemi vetëm pesë ditë larg nga balotazhi, jemi intensivisht në terren, për koalicione të sinqerta. Secila votë është e rëndësishme”, ka vlerësuar Kurti.
Ai ka thënë se kur të tjerët po bëhen bashkë për marrëveshje nën tavolina, fitorja e VV-së do të shumëfishohet.
Mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i VV-së
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje është mbledhur në selinë e kësaj partie në Prishtinë, disa orë para përfundimit të afatit për dërgimin e emrit të mandatarit për formimin e Qeverisë në përpjekjen e dytë.
Kryetari i Komunës së Kamenicës nga Lëvizja Vetëvendosje, Kadri Rahimaj ka thënë se LVV-ja e ka caktuar emrin e mandatarit dhe se ai është Albin Kurti.
“Nuk ka shumë nevojë për diskutim në këtë pikë, ne e kemi kandidatin për kryeministër. Në rregull jemi për atë pjesë ne vazhdojmë me procedurat tjera të brendshme dhe do të bëhemi gati për proceset tjera”, ka thënë ai.
Tutje ka shtuar se partia do të deklarohet pas mbledhjes.
Dy ditë kohë i kanë mbetur Lëvizjes Vetëvendosje që të vendosë nëse do të provojë sërish për taformuar qeverinë me një kandidat tjetër për kryeministër apo do që vendi të shkojë në zgjedhje.
Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që në përpjekjen e parë dështoi të marrë votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër, presidentes Osmani i kërkoi disa ditë kohë para se t`i kthejë përgjigje, nëse do të tentojë sërish të formojë qeverinë apo do t`u bashkëngjitet partive të tjera që janë përcaktuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.