Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
BETIMI PËR DREJTËSI

Lëmsh në MPJD

Emërimet, shkarkimet, transferet dhe hapja e konkurseve të kundërligjshme, kanë krijuar probleme serioze në funksionimin e duhur të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Për këto probleme së fundi punonjësit e kësaj ministrie edhe kanë protestuar.

Gjatë vitit 2020, në Qeverinë Kurti 1, kishte ndërruar struktura e ministrive. Synimi për ta ulur numrin e madh të ministrive, kishte krijuar nevojën e fuzionimit të disa ministrive. Këtë fat të shkrirjes nga dy në një, e kishin Ministria e Diasporës dhe Ministria e Punëve të Jashtme për t’u bërë një; Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Fuzionimi i këtyre dy ministrive ishte bërë pa një bazë të mirëfilltë ligjore, duke mos i paraprirë këtij fuzionimi ndryshimet ligjore, të cilat ndryshime ende nuk duken askund në horizont.

Në këtë drejtim, me rastin e fuznionimit të dy ministrive, janë shkelur Ligji për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, Ligji për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Diasporën dhe Mërgatën.

As 18 muaj pas qeverisjes Kurti 2 ndryshimi dhe plotësimi i ligjeve që e rregullojnë fuzionimin e dy ministrive, nuk ka përfunduar. Pavarësisht se në agjendën e programit legjislativ për vitin 2022 janë përfshirë Projektligji për Diasporën dhe Projektligji për Shërbimin e Jashtëm, ato ende nuk janë miratuar as në qeveri, edhe pse njëri ishte planifikuar të miratohej në korrik e tjetri në shtator të këtij viti.

Këto vonesa, sipas punonjësve të këtyre ministrive të fuzionuara, kanë krijuar një kaos të funksionimit brenda ministrisë. Një pjesë e stafit të Ministrisë së Diasporës ishte akomoduar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pa u miratuar rregullorja e brendshme, ndërsa edhe pas miratimit të saj, ende nuk ka rregull në këtë ministri, pasi sipas punonjësve, rregullorja ka çakorduar vendosjen e personelit, duke i vlerësuar sistematizimet si të kundërligjshme.

Për sistemimin e zyrtarëve të ish Ministrisë së Diasporës në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në korrik 2021, Visar Rrecaj, Udhëheqës Ligjor i Departamentit për Çështje Ligjore në MPJ, kishte kërkuar nga Departamenti Ligjor i Ministrisë së Punëve të Brendshme sqarime nëse lejohet ky sistematizim në mungesë të një rregulloreje për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të MPJD.

Në përgjigjen e MPB-së thuhet se sistematizimi në këtë rast duhet të bëhet kur ka sistematizim të qartë, që në rastin konkret nënkupton nxjerrjen e një Rregulloreje për organizim dhe sistematizim të vendeve të Punës. Meqenëse kjo rregullore nuk është miratuar, sipas kësaj përgjigje, nuk ka bazë ligjore të mjaftueshme për ndjekjen e hapave për sistematizim.

“Marrë parasysh se ju si institucion jeni akoma në procedurë të sistematizimit, e me qëllim të funksionalizimit dhe përfundimit të detyrave me kohë, mund të bëhet transferimi i përkohshëm që kanë qenë të punësuar në ish MD, sipas normave të Ligjit për Zyrtarët Publikë”, thuhej në përgjigje.

Mirëpo, kjo nuk kishte ndodhur pasi zyrtarët e Ministrisë së Diasporës tashmë veç janë sistemuar në pozitat si: Sekretari i Përgjithshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, Udhëheqës i Burimeve njerëzore, Zyrtar i lartë për trajnim dhe zhvillim dhe Udhëheqës të Divizionit për Buxhet dhe Financa si dhe pozita e Auditorit të brendshëm i MPJ-së është zëvendësuar nga Auditori i MD-së.

Duke pas parasysh Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimit Diplomatik dhe Ligjit për Zyrtarët Publikë, në nenin 4, Nëpunësit civilë me status të veçantë, thotë se “Nëpunësit profesionalë të shërbimit diplomatik dhe shërbimi korrektues janë nëpunës civilë me status të veçantë, të cilët rregullohen me këtë ligj dhe me ligj të veçantë”, ndërsa në pikën 2.3 theksohet se ka rregulla të veçanta për zhvillimin e karrierës sipas sistemit të gradave”.

Pra, përgjatë viteve për të marrë pozita të tilla drejtuese në Ministrinë e Punëve të Jashtme, zyrtarëve u është dashur t’i nënshtrohen sistemit të gradimit, çka e njëjta nuk ka qenë edhe në Ministrinë e Diasporës. Duke parë që këto pozita janë marrë nga persona që kanë ardhur me një koeficient të ulët dhe menjëherë kanë kaluar me një koeficient më të lartë, kjo ka shkaktuar pakënaqësi të shumta tek zyrtarët që udhëhiqnin këto pozita me vite. Për çka edhe kanë protestuar javëve të fundit.


Ish-drejtori e konsideron të jashtëligjshëm shuarjen e pozitës së drejtorit të përgjithshëm në MPJD

Albert Prenkaj ka qenë drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai thotë se në këtë ministri ka shërbyer që nga themelimi i saj, ndërsa sipas tij, kjo pozitë nuk ekziston me rregulloren e re edhe pse ajo parashihet me ligj. Prenkaj thotë se me rregulloren e re kompetencat e drejtorit i kanë kaluar Sekretarit të Përgjithshëm, të cilën pozitë e mban një zyrtar i ish-Ministrisë së Diasporës.

Kjo, sipas tij, nuk korrespondon më ligjin për Shërbim të Jashtëm, duke shtuar se kur ka shpërputhshmëri në mes rregullores dhe ligjit, atëherë duhet të mbisundojë ligji dhe kjo çfarë po ndodhë në ministri është e jashtëligjshme.

“Po e përmenda këtë rregulloren për sistematizim e fillimvitit e cila është në kolezion, pra në shpërputhshmëri me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe ligjet tjera që rregullojnë funksionimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. E kanë shuar përmes kësaj rregulloreje. Por me ligj ekziston”, ka thënë Prenkaj, i cili tash mbanë pozitën e drejtorit të departamentit për Amerikë.

Sipas tij, pozita e drejtorit të Përgjithshëm është pozitë kyçe menaxheriale dhe konsideron se është thyerje e rendit ligjor dhe e cila ndikon efektivisht në punën e shërbimit të jashtëm në përgjithësi, koordinimin me kabinet, në koordinimin me ambasadat e ndryshme në gjithë globin dhe me ambasadat e huaja në vend.

Sipas tij, kalimi i gjithë kompetencave një zyrtari që vjen nga Ministria e Diasporës ka qenë emërim politik nga menaxhmenti.

“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar vazhdimisht përgjigje nga ministrja Donika Gërvalla-Schwarz dhe MPJD, për këto probleme, por asnjëherë nuk janë përgjigjur.

Ndërsa, ish-ministrja, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se nuk ka askund në botë Ministri të Jashtme që nuk kanë drejtor të përgjithshëm.


Maloku: Më transferuan nga MPJD-ja në MSH pa u koordinuar më mua

Përveç ndryshimeve në pozitat kyçe, menaxhmenti i Ministrisë së Punëve të Jashtme në emër të ristrukturimit ka vendosur që disa zyrtarë t’i transferojë në Ministri tjera.

Agron Maloku, i cili mbante pozitën e Drejtorit të Financave në MPJD, dhe është edhe kryetar i Sindikatës së Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm është transferuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Kjo, sipas tij nuk përkon as me përvojën e tij dhe fushën, pasi ai në MPJ, ishte që nga themelimi i saj.

Maloku ka thënë se ka mbajtur pozita të ndryshme, ku ka qenë edhe në misione diplomatike dhe se fundi ka mbajtur pozitën drejtuese Drejtor i Administratës së Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme. Ai shton se gjatë këtyre viteve iu është nënshtruar procesit të gradimit sipas ligjit dhe se transferimi në Ministrinë e Shëndetësisë është bërë pa asnjë koordinim me të.

Për të gjitha veprimet që Ministria e punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ndërmarrë e që po konsiderohen jashtëligjore, ka bërë që Sindikata të cilën e drejton Maloku dhe një pjesë e stafit të MPJD-së, të organizojnë protestë ku kërkojnë që veprimet e jashtëligjshme të menaxhmentit menit të ndalohen.

Zhvendosjen e tij në Ministri të Shëndetësisë, Maloku e quajti vendim arbitrar. Për këtë ai ishte në pritje të vendimit të Këshillit të Pavarur të Shërbimit civil, teksa nga Ministria thotë se me dhunë i është ndaluar qasja në zyre, në të cilën kishte edhe gjithë dokumentet që kanë të bëjnë me Sindikatën.

Për këtë ai ka njoftuar organet e rendit. Në lidhje me këtë incident, zyrtarët e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kanë konfirmuar inicimin e këtij rasti për “Betimin për Drejtësi”.


54 ankesa nga zyrtarët e MPJD-së në Këshillin Mbikëqyrës të Shërbimit Civil

Këshilli Mbikëqyrës për Shërbimin Civil në një përgjigje dhënë për “Betimi për Drejtësi”, ka bërë të ditur se prej 1 janarit të këtij viti deri me tani, ka pranuar 54 ankesa nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Prej tyre ka shqyrtuar 41 ankesa. 14 ankesa janë refuzuar, 4 janë aprovuar ndërsa të tjerat janë zgjidhur ndryshe.

Sipas kësaj përgjigje, 35 nga këto ankesa lidhen me marrëdhënien e punës, 13 për ndërprerje të marrëdhënies së punës, 2 ankesa për transferime dhe ankesa tjera.

Këshilli mbikëqyrës kishte anuluar edhe konkursin për rekrutimin e 32 zyrtarëve të misionit diplomatik.


Mungojnë njohjet, opozita thotë se MPJD-ja po merret me punë të brendshme

Deputetët e opozitës dhe po ashtu ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, ka thënë se për dy vite i gjithë fokusi i MPJD-së ka rënë në problemet e brendshme.

Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se përveç jo funksionimit administrativ që e ka kjo ministri, përveç vendimeve arbitrare, shkarkimeve të jashtëligjshme, konkurseve joligjore që janë duke u shpallë e duke u anuluar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, në anën politike nuk ka lëvizje pozitive.

Sipas saj, duhet të ketë edhe strategji se si t’u qaset 5 vendeve të BE-së të cilat nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se ka dëmtim të subjektivitetit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare më shkarkimin e përnjëhershëm të shumë ambasadorëve.

Rrezarta Krasniqi nga LDK-ja ka thënë se ka stagnim të proceseve.


Haradinaj-Stublla: Vettingu diplomatik ishte i gatshëm, s’u vazhdua nga ministrja e re

Pushteti aktual në vazhdimësi ka hedhur akuza drejtë qeverisjeve të kaluara se Ministria e Punëve të Jashtme është udhëhequr me njerëz jokompetentë, jomeritorë që janë pranuar pa procedura. Opozita këto pretendime nuk i komenton, duke thënë se janë procedurat ligjore ato që i vërtetojnë apo jo këto pretendime dhe se deri më tani në MPJD, ka pasur diplomatë të aftë, por ish ministrja Meliza Haradinaj- Stublla nuk e përjashton se ka edhe njerëz jomeritorë.

Ajo ka thënë se ka një numër një numër diplomatësh që janë profesional dhe janë shtylla e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Mirëpo, siç ka deklaruar ajo, MPJD ka qenë lloj hapësire ku janë shpërblyer dhe janë dhënë trofe partiake.

Haradinaj-Stublla ka thënë se gjatë kohës sa drejtonte këtë Ministri kishte lënë të gatshme një strategji Vettingu, por që një gjë e tillë, sipas saj, nuk është vazhduar nga ministrja aktuale, Donika Gërvalla.

“Prandaj unë kam lobuar dhe kam lënë një strategji të gatshme të vettingut diplomatik. Vettingu ka pasur për qëllim jo të eliminojë njerëz, jo të shkarkojë njerëz, të largojë njerëz nga puna, por ta riorganizojë Ministrinë në mënyrë që të kapitalizohet potenciali që ekziston, të vendosen njerëz sipas aftësive profesionale, të integritetit moral dhe etik dhe po ashtu të identifikohen boshllëqet apo hapësirat ku ne mund të përmirësoheshim, mund të shpallim pastaj konkurse dhe të marrim njerëz profesionalë aty ku mungojnë ato aftësi ato resurse njerëzore”, ka thënë ajo.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Scharz e as deputetë të pushtetit nuk kanë pranuar të flasin për problemet në MPJD./BetimipërDrejtësi.

Artikuj të ngjashëm