BETIMI PËR DREJTËSI

Hasani: Procedurat për anëtarësim në Këshillin e Evropës komplekse, mund të zgjasin me vite

Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Jeton Hasani, ka thënë se procedurat për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës janë komplekse dhe mund të zgjasin me vite deri në përfundim. Ka thënë se së pari Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do të kërkojë nga Asambleja Parlamentare një opinion i cili nuk është obligativ për të vlerësuar nëse Kosova i plotëson kriteret për t’u bërë pjesë e KE-së.

“Me këtë rast, në faza të ndryshme, pastaj asambleja dërgon ekspertë të ndryshëm dhe raportues në Kosovë që të bëjnë vizita dhe të bëjnë vlerësime objektive se sa realisht korniza aktuale ligjore e vendit dhe gjendja në përgjegjësi përputhet me kriteret apo vlerat themelore që përshkojnë në Këshillin e Evropës siç janë sundimi i ligjit, demokracia dhe respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut”, ka thënë Hasani.

Ai ka shtuar se krahas gjendje aktuale, matet edhe gatishmëria e Kosovës për t’u zotuar në të ardhmen që pas anëtarësimit në Këshill të Evropës, këto vlera themelore t’i ngrejë dhe t’i përmirësojë.

“Pasi ekspertet të vlerësojnë gjendjen, ata pastaj përpilojnë një raport, të cilin ia dërgojnë Asamblesë Parlamentare dhe varësisht nga ajo se ky raport është pozitiv, Asambleja Parlamentare dërgon në Komitet të Ministrave një opinion afirmativ se Kosova duhet të anëtarësohet në Këshill të Evropës”, shpjegoi tutje Hasani.

Ai tha se me pas mbetet në dorën e Komitetit të Ministrave që të vendosë përfundimisht se a duhet që Kosova të ftohet për anëtarësim. Kjo ftesë, sipas Hasanit, duhet të bëhen me 2/3 e shteteve anëtare që përfaqësohen në Komitet të Ministrave. Pas kësaj ajo çfarë mbetet është që të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, po ashtu me 2/3 e votave.

Ndërsa, sa i përket mundësive që Kosova të jetë pjesë e këtij Këshilli, Hasni thotë se ka gjasa të mira, por prapë kjo mbetet në vullnetin politik të shteteve dhe se ky proces mund të marrë vite./Betimi për Drejtësi