Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
BETIMI PËR DREJTËSI

Hasani: I mundshëm ndalimi i burkës, por duhet të respektohen garancione të caktuara kushtetuese

Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Jeton Hasani, në emisionin “Betimi për Drejtësi”, tha se parimisht është i mundur ndalimi i mbulimit të tërësishëm të fytyrës në vendet publike, por që tha se duhet të respektohen garancione të caktuara kushtetuese.

“Në parim, është i mundur një ndalim i përgjithshëm i burkës apo nikabit në Kosovë, duke qenë se të drejtat dhe liritë e garantuara në Kushtetutën e Kosovës duhet të interpretohen në harmoni me praktikën gjyqësore të GjEDNJ. Ky interpretim, në fazë të fundit, bëhet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Megjithatë duhet pasur parasysh që ekzistojnë disa dallime thelbësore në mes të asaj se cili është roli i një gjykate kushtetuese nacionale si dhe i GjEDNJ, në këtë kuptim nuk do të duhej që çdo vendim i gjykatës së Strasburgut edhe të ndiqet verbërisht nga ana e një gjykate kushtetuese nacionale. Këtë e themi duke pasur parasysh që Gjykata e Strasburgut është organ subsidiar si dhe element ose koncept kyç që ndikon në vendimet e saj është ajo që quhet margjina e vlerësimit e cila i garantohet shteteve anëtare, përkatësisht shtetet anëtare kanë një lloj diskrecioni brenda të cilit mund të veprojnë çka nuk është rasti me gjykatat kushtetuese nacionale të cilat zbatojnë një analizë të plotë proporcionaliteti”, tha ai në KTV.