BETIMI PËR DREJTËSI

Gjuha fyese në rrjetet sociale

“Gjuha e urrejtjes dhe ofendimet u kultivuan në Parlament e debate televizive”

Zhvillimi i shpejtë i digjitalizimit në botë, ku përjashtim nuk bën as Kosova, ka ofruar mundësi të shumta për të ndërvepruar në mes të njerëzve, bizneseve dhe qarkullimit të ideve dhe inovacionit, duke ndryshuar mënyrën e punës dhe ofrimit të shërbimeve.

Sipas një publikimi të UNDP në vitin 2022, Kosova hyn në kuadër të shteteve me 100% qasje në internet dhe me një pjesëmarrje të madhe të popullatës në shërbimet e internetit. Sipas konkluzioneve të nxjerra nga UNDP, Kosova në mënyrë sistematike po avancon në fushat kryesore të transformimit digjital. Kjo vërehet qartë në rrjetet sociale, nga komentet, me përmbajtje fyese, e shpesh herë me ofendime të rënda, deri në gjuhë të urrejtjes. Lloje të komenteve të tilla, gjenden kryesisht në rrjetet sociale të figurave të njohura publike dhe tek personat me ndikim në shoqëri.

Sipas sociologut Ismail Hasani, kjo formë komunikimi po vjen si shkak i shumë faktorëve. Në mesin e tyre, ai përmend gjuhën e urrejtjes në Kuvendin e Kosovës dhe në debatet televizive, ku sipas tij flitet pa argumente dhe nga persona pa kompetencë.

“Çfarë në të vërtetë i ka ndodh shoqërisë kosovare me përdorimin dhe instalimin e kësaj gjuhës së urrejtjes, është e kushtëzuar nga shumë faktorë. E para, ka vite që gjuha e urrejtjes në institucione publike, në Parlament, kultivohet në stilin e gjuhës së urrejtjes dhe mosrespektin ndaj kundërshtarit. Ka vite që në disa masmedia në debate të ndryshme ftohen njerëz pa kompetencë, të cilët në mungesë të argumentimit të temës për të cilën flasin, mundohen që boshllëkun, ta përmbushin me ofendime”, ka thënë Hasani.

Derisa ka folur për pasojat në shoqëri, Hasani ka theksuar se aty ndikojnë shumë faktorë përfshirë mentalitetin.

Profesoresha thotë se kërcënimet përmes rrjeteve sociale kanë nxitur edhe vetëvrasje

Komentet në rrjetet sociale, sipas profesoreshës së psikologjisë, Mimoza Shahini, shkruhen për të denigruar integritetin e ndonjë personi apo grupi të caktuar. Sipas saj, komentet të tilla kanë çuar edhe deri te vetëvrasja.

“Kërcënimet përmes facebookut kanë nxitur edhe vetëvrasje tek njerëzit apo komente fyese apo abuzuese të cilat ne gjatë vitit të fundit i kemi parë në dy-tre ngjarje që tronditën shoqërinë tonë. Unë kam qenë jashtëzakonisht e shokuar. Sepse një individ mund të kryejë një vepër, por ne nuk jemi askush ta dënojmë publikisht, ta varim, ta linçojmë publikisht përmes mesazheve që e kalojnë edhe mendjen njerëzore”, ka treguar Shahini.

Profesoresha Shahini ka theksuar se janë disa faktorë pse njerëzit përdorin gjuhë ofenduese.

“Mua më duket që janë njerëz të frustruar, të zemëruar, të frikësuar të cilët nuk munden në jetën e tyre reale të shprehin emocionet e tilla, kështu që, gjejnë rrjetet sociale për me u shpreh në një formë të tillë, e sidomos në përdorimin e një gjuhe jashtëzakonisht ofenduese”, ka deklaruar Shahini.

Mënyra e të shprehurit në internet, ka qëllim të ndikojë edhe në aspektin emocional tek njerëzit, ka theksuar tutje ajo.

Gazetarja thotë se ka marrë edhe komente raciste në internet

Përdorimi i mediave sociale ka bërë që të përdoret gjuhë raciste dhe ofenduese edhe ndaj komuniteteve. Një përjetim të tillë, në përditshmëri ka thënë se e kalon edhe gazetarja Nora Gjuzi, e cila i takon komunitetit egjiptian.

Ajo ka thënë se ka pasur raste kur është fyer edhe në baza raciste në kanalin Youtube, aty ku është i publikuar emisioni i saj.

“Emisioni im publikohet edhe në Youtube. Me i pa komentet janë që: ‘Nuk jeni egjiptian, keni lind me emrin m… dhe do të vdisni me emrin m…’. Janë komente që çdo kush mundet me i pa, dhe shumë vështirë, se pavarësisht punës që e bën, pavarësisht edukimit, pavarësisht kontributit që e jep në këtë vend për këtë shoqëri, nuk pranohesh shumë lehtë dhe vazhdon të atakohesh çdo ditë me këto terme dhe ndihesh shumë keq”, është shprehur Gjuzi.

Ajo ka treguar po ashtu që, shpeshherë familja dhe rrethi i saj shoqëror, e kanë sugjeruar që ta lërë punën, me arsyetimin, se ajo po ofendohet e nënçmohet.

Gazetari tregon se është bërë imun ndaj fyerjeve e kërcënimeve në internet

Komunikimi në rrjetet sociale, sa shkon e vështirësohet, duke u përcjell edhe me kërcënime, ndaj gazetarëve. Gazetari Parim Olluri thuajse në secilin postim ka komente me përmbajtje fyese, linçuese e me kërcënime.

Në fillim, sipas tij, kjo praktikë ka qenë shqetësuese. Por, tashmë ai thotë se është bërë imun.

Komente të tilla, Olluri ka thënë se nuk i paraqet as në organet e rendit me arsyetimin se Policia s’ka kohë të merret me të gjitha komentet fyese ndaj gazetarëve.

“Në fillim ka qenë shqetësuese se nuk ishim mësu me atë numër aq të madh të komenteve ku njerëzit fyejnë e shajnë gjithë kohën. Ka qenë e çuditshme, në ato dy muajt e parë, javët e para jo vetëm unë por shumë prej gazetarëve dhe analistëve kanë shku me bllokim të komenteve për njerëzit që nuk i kanë ‘friends’ në Facebook, por me kalimin e kohës njerëzit janë bërë imun. Dhe kur ti e sheh që është një orkestrim i një partie politike të caktuar, nuk është se i merr afër zemrës”, ka treguar Olluri.

Sipas tij, problematik është fakti se personat që përdorin gjuhë të tillë nuk ndëshkohen.

Zekaj thotë se liria e shprehjes ka edhe kufizime, përmend mundësinë për padi ndaj atyre që shpifin dhe fyejnë

Hulumtuesja në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Eranda Zekaj, ka thënë se bazuar në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut liria e shprehjes përmban edhe kufizime të caktuara.

Sipas Zekajt, Kosova e ka në fuqi Ligjin civil kundër shpifjes dhe fyerjes, i cili interpretohet në pajtim me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ajo ka thënë se secilit që i shkelen të drejtat mund të iniciojë padi në gjykatën kompetente.

Ajo ka theksuar rastin e platformës së lajmeve “Delfi AS kundër Estonisë”, e cila ishte mbajtur përgjegjëse për dështimin për të hequr komentet personale fyese dhe kërcënuese të përdoruesve në një prej artikujve të tij të lajmeve.

Asnjë ankesë tek Avokati i Popullit për gjuhën e urrejtjes, as për shpifje e fyerje

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se asnjë ankesë nuk ka pasur nga qytetarët për gjuhën fyese, shpifjen apo fyerjen. Kjo, sipas tij, tregon qartë nivelin e të kuptuarit të shoqërisë, se cili është kufiri në mes lirisë së shprehjes, fyerjes dhe nxitjes së urrejtjes.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka kërkuar që organet e drejtësisë, përkatësisht gjykatat që të jenë më të përgjegjshme për të vepruar në rastet kur qytetarët, kanë probleme me fyerjet dhe gjuhën e urrejtjes.

Qelaj ka thënë se situata është shumë e vështirë pasi askush s’e ka brengën për fjalën që e përdor shkaku i mungesës se efikasitetit të institucioneve të drejtësisë.

“Gjykatat duhet me qenë më azhure. Me vepru tek rastet kur kemi padi dhe qytetarët të cilët janë cenuar përmes shprehjeve që janë përdorur, me pas mbrojtje gjyqësore. Në të dyja rastet mendoj që nuk veprohet në plotni në përmbushjen e mandateve që kanë autoritetet publike për me zbatu ligjin në këto dy fusha. Prandaj, edhe jemi një situatë shumë të vështirë, ku secili sot shprehet lirshëm pas brengën e pasojës që mundet me i pas për fjalën që e ka përdorë”, ka thënë Qelaj.