BETIMI PËR DREJTËSI

“Kontrabandimi” i rektores në Universitetin e Mitrovicës

E dënuara me vepër penale të korrupsionit nga Gjykata Themelore në Mitrovicë tashmë është në krye të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Me katër vota pro, Nurtene Deva është përzgjedhur rektore e universitetit më 22 mars.

E ky konkurs sikurse edhe shumë procese tjera të udhëhequra nga ky Universitet prapë nuk kaloi pa shkelje të ligjit dhe procedurave. Si duket anëtarët e Këshillit Drejtues të këtij universiteti kanë probleme serioze për të zbatuar drejt ligjin.

Zgjedhja e Devës në krye të Universitetit u bë përkundër se nuk i kishte plotësuar kriteret e konkursit për aplikim.

Edhe pse Deva nuk kishte dorëzuar dokumentet sipas konkursit të shpallur dhe kritereve të përcaktuara me nenin 9 të Ligjit për Zyrtarët Publikë, KD injoroi ato dhe rekomandimin e Komisionit Profesional dhe në mënyrë të kundërligjshme “kontrabandoi” Devën, duke i dhënë mundësi të intervistohet dhe votohet për Rektore e këtij Universiteti.

Në dokumentacionet e kërkuara në konkursin për rektor thuhej se kandidatët duhet të dërgojnë dëshminë se nuk kanë kryer vepër penale.

Por, këtë kërkesë e injoroi Nurtene Deva që në vend të dëshmisë së gjykatës ajo dërgoi një certifikatë përmes së cilës tregonte se nuk ka dosje aktive penale në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës.

Kjo përkundër se dënimi ndaj saj ishte shqiptuar me gjobë dhe për rrjedhojë nuk prodhonte pasoja juridike, në këtë rast pamundësimin e garës për rektor. Sidoqoftë, dëshmia e Gjykatëse nuk u dërgua.

Pavarësisht vlerësimit të Komisionit Profesional të Senatit, Devës fillimisht iu mundësua pjesëmarrja në garë, e më pas mori edhe votat e nevojshme për të marrë pozitën e rektores.

Po ky nuk është i vetmi proces me probleme që është ballafaquar ky Universitet.

UMIB vetëm në dy vitet e fundit është përballur me shumë procese të emërimeve të anëtarëve të Këshillit Drejtues, dorëheqjeve të anëtarëve të Këshillit Drejtues, emërime të reja të anëtarëve të Këshillit Drejtues, dorëheqje të Këshillit Drejtues, dhe prapë emërime të Këshillit Drejtues. Me fjalë tjera anëtarët e Këshillit Drejtues të UMIB të emëruar nga MASHT janë zëvendësuar tre herë.

Gjithë kjo në tendencë për zgjedhjen e rektores së re. /Betimipërdrejtësi

Ministria reagoi për konkursin e parë, për të dytin nuk mban përgjegjësi

1 muaj më parë / 30 mar 2024 21:42
MASHTI

Burime të “Betimi për Drejtësi” në universitet kanë treguar se Nurtene Deva më 21 mars 2024, ka dërguar tek anëtarët e Këshillit Drejtues vërtetimin se nuk është e dënuar në formën e shkallës së prerë.

Sipas dokumentit të cilin e posedon “Betimi për Drejtësi” vërtetimi është nxjerr më datën 5 mars 2024, pra pas përfundimit të konkursit për rektor.

Universitetet janë institucionet më të larta të arsimit, dhe përzgjedhja e rektores me vepër penale e dëmton integritetin e universitetit.

Edhe pse “Betimi për Drejtësi” në vazhdimësi ka raportuar se rektorja Nurtene Deva ka vepër penale por për këtë rast nuk ka pasur asnjë reagim nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

E për të zgjedhur Deven, u ndryshuan tre Këshilla Drejtuese të Universitetit.

Në fund të vitit të kaluar ky Universitet kishte zgjedhur rektore Merita Shalën. Por, MASHT dhe Ministrja Arberie Nagavci kishin reaguar publikisht lidhur me këtë proces.

“I nderuar Kryesues i Këshillit Drejtues, Bazuar në legjislacionin e zbatueshëm në Kosovë, përfshirë Ligjin 04/ L – 37 për Arsimin e Lartë Ligjin nr 05/L – 031 për procedurën e përgjithshme Administrative, Statutin e Universitetit, rregulloren për punën e Këshillin Drejtues te Universiteti të Mitrovicës, Ligji Nr. 08/L – 197 për Zyrtarët Publik, Ligjin për parandalimin e konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksioneve publike dhe Opinionin Ligjor të Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik për vlerësimin e ligjshmërisë për pozitën: Rektore e Universitetit, të gjeturave të MASHTIT, ankesat e anëtarëve individual të Këshillit Drejtues MASHTI si organi shqyrtues i bartësve të Arsimit të Lartë: Kërkon nga KD si organ kryesore qeverisës i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” dhe njëherit organ akt nxjerrës i vendimit për emerimin e rektorit të universitetit:
1. Ta shfuqizoj vendimin e KD-së, për emërimin e rektorit të universitetit
2. Të nxjerrë vendimin e ri shpalljen (përsëritjen) e konkursit për rektor të universitetit “Isa Boletini”në Mitrovicë” , thuhej në reagimin e ministrisë së arsimit.

Madje për këtë konkurs, ministrja e MAShTI-t, Arbërie Nagavci, pati folur edhe gjatë dy konferencave, në gusht dhe në dhjetor të vitit të kaluar.

E kemi pezulluar zgjedhjen e rektorit sepse kemi pasur një tentim të keqpërdorimit të skajshëm edhe abuzimit të qenit anëtarë të Këshillit Drejtues ku mbledhja është ftuar krejtësisht ndryshe nga ajo çka e parasheh do të thotë Statutit i Universitetit”, pati thënë ministrja në një konferencë në muajin gusht 2023

Deklaratë pothuajse të njëjtë, ministrja e kishte dhënë edhe në konferencën e fundvitit.

“Sa i përketë zgjedhjes së rektores së Universitetit të Mitrovicës  unë jam njoftuar nga anëtarët e Këshillit Drejtues se aty ka pasur probleme serioze me në raport me ligjin, për të cilin janë raportuar parregullsitë”, pati thënë ajo gjatë konferencës së muajit dhjetor 2023.

Në gusht dhe në dhjetor të vitit të kaluar, ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kishte folur rreth konkursit për rektor në universitetin e Mitrovicës, por tash pas zgjedhjes së Nurtene Deva në krye të Universitetit ajo thotë se përgjegjës për zgjedhjen e rektorit është Këshilli Drejtues, kështu duke rënë në kundërshtim me atë se çka kishte deklaruar vitin e kaluar.

“Këshilli Drejtues i Universitetit të Mitrovicës është përgjegjës për zgjedhjen e rektorit/es siç edhe e parasheh Statuti i Universitetit. Siç jeni në njohuri, MASHTI i ka 3 anëtarë në Këshill të cilët mund të përgjigjen për çdo detaj që lidhet me konkursin dhe zgjedhjen e rektores. Universitetet publike janë institucione të pavarura andaj, ju lusim që këto pyetje t’i drejtoni tek KD i Universitetit. Si Ministri e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit jemi të hapur për përgjigje për të gjitha temat që ndërlidhen me MASHTI”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

E reagimet e ministres Nagavci nuk shkuan ne vesh të shurdhër.

Gjatë kësaj periudhe kohore, dy herë radhazi kanë dhënë dorëheqje kryesuesit dhe anëtarët e përzgjedhur nga MAShTI.

Por, me të përzgjedhë anëtarët për herë të tretë Këshilli Drejtues u mblodh, katër muaj pas fillimit të vitit të ri akademik.

Në mbledhjen e mbajtur më 5 shkurt kryesuesja e këshillit, Albana Rexha, e cila është zgjedhur nga radhët e ministrisë, pikë të rendit të ditës e kishte futur dhe anulimin e konkursit për rektor, përmes së cilit ishte përzgjedhur rektorja Shala.

Këshilli Drejtues i udhëhequr nga Albana Rexha, ne nje proces të kontestuar arriti të shkarkonte rektoren Merita Shala, me shumicën e votave të anëtarëve të emëruar nga MAShT.

Gjithë kjo zhurmë u bë që në fund, përmes një konkursi të kundërligjshëm, në krye të universitetit të vinte një e dënuar për vepër penale nga kapitulli i korrupsionit.

Anëtarëve të KD u pengoi emisioni i “Betimi për Drejtësi” për parregullsitë e konkursit për rektor

1 muaj më parë / 30 mar 2024 21:35
KD

“Betimi për Drejtësi” më 10 shkurt e ka transmetuar emisioni “Hallakama për rektor në Universitetin e Mitrovicës” por lidhur me këtë emision anëtarët e Këshillit Drejtues e konsideruan jotransparent, por kur u pyetën se çka ka pasur jotransparencë në emision të njëjtët nuk u përgjigjen.

Si rrjedhojë, kur më 15 mars ekipi i “Betimit për Drejtësi” shkoi për të përcjell mbledhjen e Këshillit Drejtues të universitetit, pak para se të fillonte mbledhja, anëtari nga radhët e MASHTI-t Ylber Januzaj kërkon nga gazetarja e “Betimi për Drejtësi” që të konsultohen rreth emisionit.

Megjithëse u ankua për jotransparence, ai nuk tregoi se për çfarë.

Përkundër se vetë e ftoi gazetaren për të diskutuar, në fund kërkoi ndërhyrjen e sigurimit.

Ylber Januzaj: A mundemi me fol para se me ja fillu?

Gazetarja: Po, urdhëro?
Ylber Januzaj: Kisha kërku me u tregu pak më transparent.

Gazetarja: Transparent në çfarë kuptimi?
Ylber Januzaj: Herën e kaluar kur keni qenë keni incizuar tërë kohën edhe keni shfaqë çka keni dashtë vet.

Gazetarja: Kemi shfaqë çka kemi pa gjatë mbledhjes, po mendon.
Ylber Januzaj: Jo, nuk është shfaqë.

Gazetarja: Çka nuk është shfaqë që ka qenë në mbledhje?
Avni Islami: Nuk ke nevojë me debatu.
Ylber Januzaj: Jo, unë tregova.

Gazetarja: Meqenëse po thotë nuk jeni tregu transparentë unë vetëm po du me ditë çka nuk ka qenë në rregull.
Albana Rexha: Edhe intervistën…
Avni Islami: Sa ka zgjatë intervista ime?

Gazetarja: Po edhe çka ka ndodh mandej ku po don me dal me këtë pyetje. Nuk e kam këqyr, pesë minuta nashta, çka nëse ka zgjatë pesë minuta?
Avni Islami: Ngo, asnjëherë prej meje intervistë nuk keni me mujt me marrë. E keni keqpërdorë.

Gazetarja: Çka është keqpërdorë se nuk po të kuptoj
Avni Islami: Të lutem thirrma sigurimin e mos të më pengon në mbledhje.

Gazetarja: Po nuk po ju pengoj, ju vet më ftuat.
Avni Islami: E kryva. Urdhëro shkon në vend tëndin.

Gazetarja: Në rregull, vetëm deshta me ditë çka ka pas jo transparencë, por meqenëse ju nuk po flitni…
Avni Islami: E keni keqpërdore.

Gazetarja: Çka kemi keqpërdorë?
Avni Islami: Edhe e keni marrë e keni shkëputë…

Gazetarja: Krejt intervista nuk del…
Avni Islami: (ngritët në këmbë) e keni nxjerrë nga konteksti…

Gazetarja: Në rregull qetësoju mos u ngrit në këmbë nuk ki nevojë.
Avni Islam: Unë gazetar kam punu vet e di qysh punohet gazetaria. Të lutem nuk nxirret në kontekst të fjalisë…

Përkundër zotimit, Islami fatmirësisht pranoi të intervistohet në këtë emision.

Anëtari i KD nga Ministria arsyeton Devën për mosdërgim të dëshmisë së gjykatës

1 muaj më parë / 30 mar 2024 21:33
Avni Islami

Zëvendës kryesuesi i Këshillit Drejtues nga radhët e Ministrisë, Avni Islami, ishte në mesin e anëtarëve të këshillit të cilët kanë votuar pro thirrjes së Nurtene Devës në intervistim, por ai pretendon se Deva nuk e ka kuptuar konkursin dhe për këtë arsye e ka dërguar vetëm certifikatën e Policisë dhe jo të gjykatës.

Avni Islami: Pse ajo nuk e ka dërguar certifikatën është për shkak të konkursit që është i paqartë tek pika ku po ju referoheni…
Gazetarja: A keni diskutuar me zonjën Deva ku ka thënë se konkursi ka qenë i paqartë?
Avni Islami: Ne nuk kemi kontaktuar me zonjën Deva…

Gazetarja: Pse po mendoni që për të ka qenë e paqartë?
Avni Islami: Pse ky është mendim i imi, për shkak se ajo e ka sjellë një dokument

Gazetarja: Por, ju nuk mundeni me pas mendim për dikë se si e ka kuptuar konkursin. Nuk po më duket e qartë kjo pjesë.
Avni Islami: Unë besoj që është mendim autonom i secilit me mendu. Unë kështu mendoj.

Lidhur me këtë deklaratë të anëtarit të Këshillit Drejtues, hulumtuesi i IKD-së, Flamur Kabashi, thotë se Këshilli Drejtues është dashur ta qartësojë tërë procesin e konkursit në mënyrë që të mos shkelen rregullat e këtij konkursi.

“Është për keqardhje kjo që e dëgjojmë. Nëse konkursi ka pasur paqartësi, Këshilli Drejtues është dashur të sigurohet ta qartësoj tërë procesin dhe jo t’ia mundësojë znj. Deva të zgjidhet përmes një konkursi të paqartë dhe me plotë shkelje, dhe kjo është absurde”,thotë Kabashi.

Ndryshimin e listës së kandidatëve e sheh të kundërligjshëm edhe Izet Zeqiri, i cili ka qenë kandidatë për rektor.

“Konsideroj prapë si ndërhyrje që është e jashtëligjshme, ose e konsideroj që mund të jetë edhe vepër penale sipas juristëve, ndryshimi ose plotësimi i listës me kandidatët të cilët një herë komisioni ka konsideru që nuk i plotësojnë kriteret. Pra njerëz të cilët nuk i plotësojnë kriteret e konkursit nuk mund të futen në garë përsëri”, u shpreh ai.

Nazmi Hasi thotë se ndryshimi i listës së kandidatëve nuk është dashur të ndodh

1 muaj më parë / 30 mar 2024 21:32
Nazmi Hasi

Sa i përket mosnënshkrimit të dekanit në diplomën e doktoraturës, anëtari i Komisionit Profesional, Nazmi Hasi, thotë se e kanë vlerësuar si një gabim teknik dhe rrjedhimisht nuk e kanë përfshirë në raportin vlerësues të komisionit.

Gazetarja: Në diplomën e znj.Nurtene Deva nuk është nënshkrimi i dekanit në atë kohë ka qenë Izet Zeqiri, a e keni vërejtur ju këtë detaj?
Nazmi Hasi: Po e kemi vërejtur.

Gazetarja: Cili ka qenë vlerësimi i komisionit?
Nazmi Hasi: Vlerësimi i komisionit, si gabim teknik e kemi vërejt këtë”.

Anëtari i Komisionit Profesional gjithashtu sqaron se ndryshimi i listës së kandidatëve nga anëtarët e Këshillit Drejtues nuk është dashur të ndodhë pasi që komisioni është bazuar në rregulloren e punës së këshillit para se të dal me vendim se cili nga kandidatët i plotëson kriteret për të vazhduar garën.

“Juridikisht nuk është dashtë. Meqenëse kemi marrë për bazë edhe rregulloren e Punës së Këshillit Drejtues, konkretisht neni 16 e qartëson qartë se si duhet të veprohet”

Diploma e rektores Deva e panënshkruar nga dekani

1 muaj më parë / 30 mar 2024 21:30
Nurtene Deva

“Betimi për Drejtësi” ka qenë më 27 mars në Universitetin e Mitrovicës dhe ka parë nga afër dokumentet e aplikimit të Devës.

Përveç dëshmisë së gjykatës, dëshmisë se ka qenë anëtare e Këshillit Drejtues të Universitetit, mungon edhe nënshkrimi i dekanit në diplomën e doktoratës së Universitetit të Prishtinës, e vitit 2014.

“Betimi për Drejtësi” më 27 mars ka tentuar të marrë një përgjigje nga Deva, nëse diploma e saj është valide dhe e njëjta thotë se sipas Universiteti të Prishtinës diploma është valide.

Gazetarja: Diploma e juaj është pa nënshkrim të dekanit. A është valide diploma e juaj meqenëse ju tash jeni edhe rektore?
Rektorja Nurtene Deva: Valide është.

Gazetarja: Kush ta ka konfirmu?
Rektorja Nurtene Deva: Ma ka konfirmu Universiteti i Prishtinës, të lutem.

Gazetarja: Statuti i Universitetit të Prishtinës thotë që fillimisht duhet të nënshkruhet (diploma) nga dekani mandej nga rektori”.

Në një përgjigje përmes email-it, Deva, nuk jep sqarime pse diploma e saj nuk ka nënshkrim nga dekani, por ajo thotë se për këtë duhet të pyetjet Universiteti i Prishtinës.

“Diploma më është dorëzuar gjatë ceremonisë solemne nga ana e rektorit të atëhershëm të Universitetit të Prishtinës, prof.dr. Anton Berishaj në vitin 2014 dhe se e njëjta është e vulosur me vulën zyrtare të UP”, ashtu si parashikohet neni- 129, Statuti i UP , andaj pyetjen se pse nuk është nënshkruar nga ana e dekanit të atëhershëm mundeni të drejtoni tek UP”, thuhet në përgjigje.

Në anën tjetër, sipas Statutit të Universitetit të Prishtinës, neni 129 pika 2, thotë:

“Dokumenti i diplomës nënshkruhet nga rektori dhe dekani i njësisë akademike ku është mbrojtur me sukses punimi i disertacionit”.

Të njëjtën e thotë edhe statutit i Universitetit të Mitrovicës, në krye të së cilit tashmë është Deva.

Neni 128 pika 3, thotë “Diploma nënshkruhet nga rektori dhe dekani i njësisë akademike ku ka përfunduar studimin”.

Lidhur me mungesën e dëshmisë nga gjykata gjatë aplikimit për pozitën e rektorës, Deva thotë se nuk ka qenë e sqaruar se në cilin institucion të merret dëshmia. Të njejtën arsye e ka edhe për mungesën e dokumentit përmes së cilit do të dëshmonte se ajo ka qenë anëtare e Këshillit Drejtues.

“Bazuar në konkursin e shpallur të datës nuk është cekur se duhet bashkangjitur dokumente lidhur me përvojën menaxheriale (dëshmi që keni qenë anëtare e Këshillit Drejtues të Universitetit), gjersa sa i përket dëshmisë nga gjykata, po ashtu në konkurs nuk është cekur se duhet të jetë nga gjykata”

Rektorja e Universitetit të Mitrovicës, nuk e mohon faktin që është e dënuar për vepër penale, e njëjta thotë se gjoba prej 800 euro është paguar me kohë, ashtu siç parashihet me ligj.

“Aktgjykimit të cilit po i referoheni është bërë i plotfuqishëm me datë 29.09.2022; dhe gjobën e shqiptuar sipas këtij aktgjykimi e kam paguar ashtu siç parashihet me ligj. Sipas Kodit penal të Kosovës Pasojat juridike të dënimit nuk krijohen kur kryesit i shqiptohet gjoba (Neni 93, paragrafi 2 i KPRK). Lidhur me këtë, posedoj Certifikatën e lëshuar nga sistemi qendror i evidencës penale të Kosovës si dhe vërtetimin nga Gjykata komunale”, thuhet në përgjigje.

Përkundër raportimeve të “Betimi për Drejtës”, Nagavci thotë se s’e di që rektorja ka vepër penale

1 muaj më parë / 30 mar 2024 21:27
Ministrja Arbërie Nagavci

Përkundër raportimeve të “Betimi për Drejtës”, Nagavci thotë se s’e di që rektorja ka vepër penale

 

Lidhur me këtë konkurs, “Betimi për Drejtësi” e ka pyetur edhe ministren e MAShTI-t, Arbërie Nagavci, nëse është në dijeni që rektorja e përzgjedhur në Universitetin e Mitrovicës është e dënuar  për vepër penale. 

Ajo ka deklaruar se s’ka njohuri që Deva ka vepër penale.

Gazetarja: Ju kemi bërë ftesë dy herë radhazi për intervistë mirëpo nuk keni pranuar…

Ministrja Nagavci: Jo që nuk kam pranuar por e kam pas agjendën super të nxanun. E sot nëse kishit mujt me na lënë me përfundu këtë aktivitet se jemi ardh.

Gazetarja: Po. Vetëm një pyetje e kam shumë shkurtë…

Ministrja Nagavci: Të gjitha pyetjet shkurt dhe gjatë ju kthejmë përgjigje brenda ditës përmes email-it.

Gazetarja: A jeni në dijeni që rektorja Nurtene Deva ka vepër penale dhe prapë është zgjedhë rektore në Universitetin e Mitrovicës, për të cilën ne kemi raportu?

Ministrja Nagavci: Jo nuk jam në njohuri që ka vepër penale. Këtë pyetje të cilën e keni të lutem e dërgon me shkrim brenda ditës ju kthejmë përgjigje.

 

Zekaj thotë se emërimi i rektores së dënuar nga gjykata cenon integritetin e Universitetit

1 muaj më parë / 30 mar 2024 21:26
Eranda Zekaj

Eranda Zekaj, hulumtuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se rektorja e Universitetit të Mitrovicës, Nurtene Deva është e dënuar nga gjykata.

“Është fakt i pakontestueshëm se znj. Deva është e dënuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë për vepër penale të mos deklarimit të pasurisë apo deklarimit të rremë të pasurisë, vepër kjo që hyn në kuadër të veprave penale të korrupsionit”, tha ajo.

Hulumtuesja, sqaron se në bazë të Kodit Penal të Kosovës dënimi me gjobë dhe vërejtjet gjyqësore nuk kanë pasoja juridike por dënimi me vepër penale të korrupsionit e cenon rëndë integritetin e Universitetit.

“Duke qenë se e njëjta është dënuar në 800 euro gjobë dhe e njëjta e ka paguar këtë gjobë, sipas Kodit Penal të Kosovës, gjoba dhe vërejtja e gjyqësore nuk kanë pasoja juridike. Por, ato dëmtojnë rëndë integritetin e personit zyrtarë, integritetin e Universitetit andaj është e pakuptimt qëllimi i anëtarëve drejtues të Universitetit se si përkrahin një person zyrtar përkundër kushtit të shkeljes së ligjit dhe procedurave” tha Zekaj.

Kabashi: Konkursi me parregullsi dhe shkelje ligjore, Prokuroria do të duhej t’i fillonte hetimet

1 muaj më parë / 30 mar 2024 21:24
Flamur Kabashi

Flamur Kabashi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se konkursi për rektor në Universitetin e Mitrovicës, ka pasur parregullsi dhe shkelje ligjore.

Hulumtuesi i IKD-së gjithashtu potencoi se sikur të kishte prokuror të pavarur do të duhej të fillonin menjëherë hetimet për këtë konkurs.

“Sikur Kosova të kishte Prokurori të pavarur dhe që interes e ka ushtrimin e kompetencave në bazë të ligjit do të duhej të fillonte menjëherë me hetimet në lidhje me dyshimet për këtë proces të kundërligjshëm”, u shpreh ai.

Kabashi ka numëruar shkeljet ligjore me rastin votimit të udhëheqëses së re të Universitetit të Mitrovicës.

“Fatkeqësisht edhe ky konkurs i Universitetit të Mitrovicës është përballur me shkelje ligjore dhe procedurale. Kandidatja e emëruar për rektore nuk i ka plotësuar kushtet sipas konkursit. E njëjta nuk ka dorëzuar brenda afatit ligjor edhe certifikatën e gjykatës.  Këtë dokument e ka dorëzuar pas afatit”, u shpreh Kabashi.

Sipas tij, Këshilli Drejtues e ka kontrabanduar Nurtene Devën duke e ftuar për intervistim ani pse e njëjta nuk i ka plotësuar kriteret e konkursit.

“Përderisa Komisioni Profesional ka vendosur drejt, Këshilli Drejtues i Universitetit e ka kontrabanduar znj. Deva, duke e ftuar për intervistë edhe pse nuk i ka plotësuar të gjitha kriteret.  Kjo mënyrë e veprimit edhe në kundërshtim me ligj dhe tregon vendosmërinë e Këshillit Drejtues që me çdo kusht ta zgjedhin znj. Deva në krye të universitetit.  Për më tepër edhe pse një pjesë e anëtarëve te Këshillit Drejtues dhe stafit administrativ të Universitetit e kanë shpjeguar se e njëjta nuk i plotëson kushtet, shumica e anëtarëve të emëruar nga MASHT kanë insistuar që të vazhdohet me intervistimin e znj. Deva”, u shpreh tutje Kabashi.

Kabashi tutje shprehet se duke e parë rrjedhën e procesit të konkursit, kuptohet se kemi të bëjmë me implementimin e një urdhri politik nga anëtarët e Këshillit Drejtues që janë nga Ministria.

“Kjo të jep një përshtypje se anëtarët e KD të MASHT e kanë pasur të qartë se kush do të bëhet rektore paraprakisht, edhe me kushtin e shkeljes së ligjit dhe procedurës. Duhet se në rastin konkret, haptazi, kemi të bëjmë me implementimin e një urdhri politik nga anëtarët e KD, të zgjedhur nga MAShT”, potencoi ai.

Dy anëtarët e brendshëm të KD-së nuk i parashtruan fare pyetje Devës gjatë intervistimit

1 muaj më parë / 30 mar 2024 21:20
KD

Pak minuta para se të ftohej Nurtene Deva për intervistim Halil Bajrami dhe Bashkim Bellaqa nuk pranuan t’i bëjnë pyetje.

“Pasi që në radhë është profesoresha e nderuar Nurtene Deva për intervistim, ju e dini që në mbledhjen e kaluar personalisht kam qenë kundër përfshirjes në listën e intervistës për shkak se kam vlerësuar dhe po e vlerësoj edhe sot se është në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e konkursit. Unë po ndijë obligim që të njoftoj këshillin që unë abstenoj sot për t’i bërë pyetje profesoreshës”, deklaroi Bajrami.

Pas Bajramit, edhe Bashkim Bellaqa deklaroi se nuk dëshiron t’i bëjë pyetje kandidates Nurtene Deva.

“Edhe unë nuk do të marrë pjesë, do të thotë në aspektin e bërjes pyetje për profesoreshën Nurtene Deva duke marrur për bazë ligjshmërinë nuk është trajtuar siç duhet kështu që prej meje nuk ka pyetje”, tha Bellaqa.

Mirëpo, abstenimet e Bajramit dhe Bellaqës ngjallën reagimin e anëtarit nga radhët e ministrisë, Ylber Januzaj.

Ai u propozoi kolegëve të tij që në rast se kanë diçka për të thënë të shkojnë në emision.

“Mua po më vjen keq prej kolegëve të mi para kamerave pse po e shfrytëzoni rastin nëse keni nevojë me fol shkoni në emision folni. Na tregut edhe javën e kaluar që jeni kundër kështu që nuk kanë nevojë me u diskutu temat që i kemi shtjerrë, sot është përcaktuar rendi i ditës, ka dikush diçka shkon në emision edhe flet”, u shpreh Januzaj.

Dy anëtarët, Halil Bajrami dhe Bashkim Bellaqa përveç abstenimit për t’i bërë pyetje gjithashtu nuk e pranuan propozimin e Ylber Januzajt për të qenë pjesë e Komisionit për Zbatimin e Votimit dhe Numërimit të Votave.

“Faleminderit profesor, por unë nuk dua të jem pjesë e këtij komisioni ka me të ri këtu, kështu unë tërhiqna nga propozimi i profës Ylber”, u shpreh Bajrami.

“Edhe unë tërhiqem. Nuk dua të jem pjesë e këtij komisioni”, tha Bellaqa.

Gjatë intervistimit të kandidatëve për rektor, Këshilli Drejtues shkeli Ligji për Arsimin e Lartë

1 muaj më parë / 30 mar 2024 21:19
Nurtene Deva

Pas kalimit të fazës së verifikimit, anëtarët e Këshillit Drejtues më 22 mars u bën gati për intervistimin e kandidatëve për rektor: Nurtene Deva, Ejup Fejza, Izet Zeqiri dhe Naser Pajaziti.

Por, vetëm dy orë para fillimit të intervistimit, Fejza u tërhoq nga gara.

Arsyeja e tërheqjes ishte futja e kundër kandidates Deva në listën e kandidatëve për intervistim.

“Në fakt unë nuk e dija në fillim që anëtarët e Këshillit Drejtues që kanë votuar pro kthimit të profesoreshës në intervistim duke e shkelur rregullat e parapara që kërkojnë që Komisioni Profesional të bëjë listën se kush aprovohet dhe e dyta, sinqerisht të ju them unë kam shpresuar që profesoresha do të reflektoj dhe do të tërhiqet nga gara duke e ditur që në mënyrë të jashtëligjshme është duke u intervistuar dhe kam prit që dikush nga anëtarët e Këshillit Drejtues, ata katërshja që e kanë sjellë këtë (Nurtene Deva) për intervistim do të reflektojnë edhe këta dhe do ta kthejnë procesin mbrapa për ta respektuar listën që është dërguar nga Komisioni Profesional të Senatit, ajo nuk ndodhi unë prita derisa profesoresha e dërgoj një email për të gjithë dhe na tha që do të marrë pjesë në intervistim atëherë unë vendosa të mos jem e kësaj liste sepse janë shkelë dy parime bazë”, sqaroi Fejza.

Por, edhe intervistimi i kandidatëve u bë në mënyrë të kundërligjshme.

Në orën 11:20 intervistimi i kandidatëve të cilët ishin ende në garë filloi.

Ligji për Arsimit e Lartë, neni 19, pika 1, në të cilin thuhet se kandidatët të cilët janë në garë duhet të intervistohen nga të gjithë anëtarët e Këshillit.

Megjithatë, prezent ishin vetëm 6 nga 7 anëtarët e Këshillit Drejtues.

“Autoriteti kryesor menaxherial i një universiteti publik është rektori. Rektori i universitetit publik zgjidhet nga Këshilli Drejtues me shumicën absolute të numrit të përgjithshëm të votave, pas një procesi formal të konkursit publik, pas vlerësimit nga një komision profesional dhe pas intervistimit nga i tërë Këshilli Drejtues”, thuhet në Ligjin për Arsimin e Lartë.

Në ditën e intervistimit të kandidatëve, mungoi anëtarja e brendshme e Këshillit Drejtues, Fatbardha Hoxha.

Ajo gjatë intervistës së dhënë për “Betimi për Drejtësi” ka treguar se arsyeja pse nuk ka shkuar në mbledhje ka qenë për shkaqe shëndetësore.

“Në mbledhjen e fundit nuk kam marrë pjesë për shkaqe shëndetësore, për këtë është njoftuar edhe Kryesuesja, paraprakisht. Dhe kjo është arsyeja”

Kështu, Këshilli Drejtues zhvilloi intervistat në përbërje jo të plotë, edhe pse kjo kërkohet me ligj. Pra, Këshilli vendosi ta shkelë ligjin, por jo ta shtyjë intervistimin për një datë tjetër kur janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues.

Kundër raportit të Komisionit për Devën ishte anëtari i KD nga radhët e Ministrisë, Ylber Januzaj

1 muaj më parë / 30 mar 2024 21:17
Nurten Deva

Diçka tjetër kërkohej e diçka tjetër dërgoi. Por, pavarësisht raportit të Komisionit Profesional të Senatit, anëtari i MAShTI-t, Ylber Januzaj, propozoi që në intervistim të ftohej edhe kandidatja e cila nuk plotësoi kriteret, Nurten Deva.
Pasi që, sipas tij asnjë kandidat nuk duhet të diskriminohet, ani se nuk kishte të bënte me diskriminim por me kritere.

“Propozimi im është, të nderuar anëtarë e nderuara kryesuese, që mos ta diskriminojmë kandidaten në fjalë gjithmonë duke u bazuar në të drejtat tona si këshill drejtues dhe propozoj që meqenëse kandidatja në fjalë nuk e ka pasur të cekur se nga kush ta nxjerrë këtë dokument, nga cili organ, ta ftojmë edhe kandidaten në fjalë në intervistim mos ta mos ta diskriminojmë asnjërin kandidatë, pra të ftohen të gjithë kandidatët që kanë aplikuar në intervistim në mbledhjen e radhës”, propozoi ai.

Anëtari i brendshëm i Këshillit Drejtues, Bashkim Bellaqa, doli kundër këtij propozimi me arsyetimin se dokumentacionet duhet të dorëzohen të kompletuara ashtu siç kërkohen në konkurs.

“Kam shumë respekt për kolegen Nurtene Deva, por konkursi është konkurs, janë do rregullore do ligje që i ka bërë dikush dhe na duhet me i respektu. Kur të ndryshohen ato edhe na duhet me ndryshu. Unë kam përvojë menaxheriale prej 20 viteve, duke filluar edhe në statistika e ministri e kështu me radhë e tash këtu. Por hapi i parë i çdo komisioni është vlerësimi apo kompletimi i aplikacionit të kandidatit. Mundesh me pas vëlla motër apo ku ta di unë, por në qoftë se hapin e parë nuk e kalon, pra nuk e kalon, nuk e ke të kompletuar dokumentin si në këtë rast që mungon një certifikatë që lëshohet nga organi kompetente në nivel shteti, jo të regjionit të Mitrovicës”, u shpreh Bellaqa.

Kundër këtij propozimi doli edhe sekretari i Universitetit, Avdyl Beqiri

Ai tha se dëshminë për vepra penale e posedon vetëm gjykata

“Ashtu siç është kërkuar në konkurs, kërkohet dëshmia që nuk është i dënuar për ndonjë vepër penale do të thotë dëshmia që nuk është i dënuar për vepër penale e ka vetëm Gjykata për shkak se Gjykata i lëshon aktgjykimet dhe Gjykata i ka të gjitha për personat që kryejna apo nuk kryejnë vepër penale, UD rektorja, Nurtene Deva, mundet me i pasë të gjitha, por në dosjen që na ka përcjellë arkiva nuk është dëshmia e Gjykatës se nuk ka vepër penale, është një dëshmi e Policisë që nuk ka dosje penale, me sa e di, mundet me pas ndonjë rast të veprës penale edhe me kalu direkt në Gjykatë pa kalu në Polici”, u shpreh sekretari. 

Si përfundim, Deva u vendos që të ftohej për intervistim. Kjo përkundër se e njëjta nuk e kishte dorëzuar dokumentin që tregonte se nuk është e dënuar.

Në vitin 2022 Deva është e dënuar për kryerjen e veprës penale nga kapitulli i veprave të korrupsionit “Mos raportim apo raportim i rrem i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Në vitin 2020 sa ishte anëtarë e Këshillit Drejtues ajo nuk kishte deklaruar të hyrat e sakta.
Aktgjykimi ndaj saj është marrë në shtator të vitit 2022 dhe është dënuar me 800 euro gjobë.

Megjithatë, dënimi i shqiptuar me gjobë nuk prodhon pasoja juridike për të. Rrjedhimisht, nuk do t’i pamundësohej pjesëmarrja në garë. Megjithatë, Deva nuk e deponoj me kohë certifikatën e Gjykatës se nuk është e dënuar me vepër penale.

Por, pikëpyetja tjetër për anëtarët e Këshillit Drejtues do të ishte integriteti i rektorit në krye të universitetit, të dënuar për vepër penale.

Komisioni konstatoi se Deva nuk i plotësoi kriteret, anëtarët e KD nga Ministria injoruan raportin

1 muaj më parë / 30 mar 2024 21:11
Nurten Deva

Më 7 shkurt 2024, Universiteti i Mitrovicës shpalli konkurs për pozitën e rektorit.

Ndër kriteret e përcaktuara në konkurs ishte dëshmia nga gjykata se kandidati nuk është i/e dënuar për kryerjen e veprës penale me dashje.

Pas mbylljes së konkursit, Komisioni Profesional i Senatit kishte bërë vlerësimin e kandidatëve nëse të njëjtit kishin plotësuar kriteret.

Si rezultat, Komisioni konstatoi se vetëm një kandidate nuk i plotësonte këto kritere.

Kryesuesja e Komisionit Profesional të Senatit, Mimoza Aliu para anëtarëve të Këshillit, sqaroi se sipas vlerësimit të komisionit, Nurten Deva, ishte kandidatja e cila nuk i plotësoi kriteret.

Kandidatja nuk e kishte dërguar dëshminë e gjykatës nëse është e dënuar për kryerjen e veprës penale me dashje.

Përveç kësaj Deva nuk e kishte dërguar as dëshminë se e njëjta ka qenë anëtare e Këshillit Drejtues në Universitetin e Mitrovicës.

“Kandidatët që si komision kemi rezultuar që i plotësojnë kriteret, janë emrat e kandidatëve të cilat i plotësojnë kriteret (në raportin e dërguara nga Komisioni tek Kryesuesja e Këshillit Drejtues) dhe njëra nga kandidatet kemi thënë që nuk i përmbush kriterin, kemi thënë për shkak se në dosjen e saj nuk është e vendosur certifikata e cila nuk është nën hetime nga gjykata, ndërsa në dosjen e saj është vetëm një certifikatë e cila është do të thotë e lëshuar nga Policia e Kosovës”, ishte shprehur kryesuesja e Komisionit Profesional, Mimoza Aliu, gjatë mbledhjes së mbajtur më 15 mars 2024.

Punën e Komisionit Profesional të Senatit nuk e konsideroi korrekt anëtari i Këshillit nga radhët e Ministrisë së Arsimit, Shkencën, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ylber Januzaj.
Ai vlerësoi se certifikata e Policisë e dërguar nga Nurtene Deva është dashur të cilësohet e barasvlershme me atë të kandidatëve tjerë.

Madje, sipas tij gabimi është i Komisioni që në caktimin e kritereve nuk ka treguar se ku duhet të nxjerrët ky dokument.

“Sipas meje ish dashtë ky Komisioni Profesional që ta bëjë një punë pak më korrekte, pak më serioze dhe më profesionale dhe ta vlerësoj këtë certifikatë këtë dokument si të barasvlershme me kërkesën e konkursit, meqenëse nuk ka qenë e potencuar. Po të kish qenë e potencuar që dokumenti që nuk është e dënuar të nxirret nga Gjykata ose t’i caktohet ose nga të dy institucionet, nga dy organet kompetente atëherë kish mund me u konsideru që kandidates në fjalë i mungon dosja”, tha Ylber Januzaj, anëtar i Këshillit Drejtuese nga radhët e Ministrisë së Arsimit.

Sipas tij, në konkurset e tjera duhet të monitorohet Komisioni që bëjë vlerësimin e dokumentacioneve.

“Gjithashtu mendoj që herëve të tjera, zyra ligjore Ensar (drejtuar zyrtarit te zyrës ligjore) pavarësisht kritikave me vend apo pavend herëve të tjera duhet të monitorohen këto komisioni dhe të kenë kujdes kur nxjerrin konkluda se cili dokument vlen e cili jo. Pa dashur të besoj që ka pas ndonjë pretendencë, por vetëm në jo profesionalizëm. Ky është mendimi im”, kishte deklaruar Jonuzaj. /Betimipërdrejtësi