Betimi për Drejtësi

Nga 34 kallëzime penale, Prokuroria ngriti 19 aktakuza për Kobrën

 

Jo të gjitha kallëzimet penale të iniciuara nga policia ndaj Dibran Hoxhajt - “Kobrës”, ia kishin mbushur syrin prokurorëve të Prokurorisë Themelore në Prizren. Nga 34 kallëzimet penale pas vitit 2004, Prokuroria kishte ngritur vetëm 19 aktakuza. Kështu, duke i hedhur poshtë 15 prej tyre. Kobra është i dyshuar për vrasje më 3 janar në ora 4 të mëngjesit në dalje të lokalit të tij, “Kobra City” në daljen jugore të Prizrenit. Pas arrestimit të tij, u shpalosën raste të tjera për të cilat Kobra “qe amnistuar”.

Megjithatë, ndryshe prej të dhënave të Policisë, ka deklaruar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren. Admir Shala ka thënë se nuk kanë pranuar më shumë se 21 apo 22 kallëzime penale dhe ato që janë hedhur poshtë nuk kanë pasur fakte të mjaftueshme për hetim të mëtutjeshëm.