BETIMI PËR DREJTËSI

Oda e Ndërmjetësuesve: Nuk është në rregull nëse lëndët ndahen te një apo dy persona

Ganimete Xhelili, kryetare e Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës, po e sheh si parregullsi ndarjen selektive të lëndëve të ndërmjetësimit dhe mospërfshirjen e gjithë ndërmjetësve në zgjidhjen e lëndëve.

Në emisionin “Betimi për Drejtësi”, Xhelili ka thënë se askush s’ka të drejtë t’ia mohojë ndërmjetësuesit ushtrimin e profesionit përmes ndarjes së lëndëve te një apo dy ndërmjetësues.

“Përveç kësaj, kemi edhe legjislacionin që na mundëson që palët të zgjedhin nga lista, dmth në lista nuk është një person, nuk është një individ, një ndërmjetësues, po kemi shumë të tillë. Kështu që sigurisht që nuk është e drejtë të përzgjidhet gjithmonë një ose dy ndërmjetësues, por po tentojmë që me e gjet bashkëpunimin e mundshëm edhe të kemi kolegjialitet mes vete të bashkëpunojmë dhe të kemi gjithëpërfshirje në këto zyre të ndërmjetësimit”, është shprehur ajo.

Por, Xhelili ka thënë se deri më tani nuk ka pasur ankesa nga ana e qytetarëve për ndërmjetësuesit.

“Prej qytetarëve deri me tash nuk kemi pas ankesa, përveç në Odë adresohen shumë kërkesa qysh do isha bërë ndërmjetësues. Pjesa tjetër qysh me i zgjedh rastet, duan më tepër informim për ndërmjetësim, kanë dëgjuar që është proces që kryhet më shpejt, por nuk i dinë benifitet tjera, kërkojnë më tepër informim”, ka thënë Xhelili.