Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se qytetarët e Kosovës më së shumti do të përfitonin nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Qelaj vlerëson se anëtarësimi në këtë mekanizëm të Evropës do t’i mundësonte Kosovës të jetë pjesë e politikëbërjen dhe pjesë e vendimeve.
“Padyshim që përfitimi do të jetë i shumëfishtë për qytetarët në rend të parë. Për herë të parë krijohet mundësia që qytetarët e Republikës së Kosovës, në rast të shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut nga autoritetet publike me pasë mundësinë me iu adresua Këshillit të Evropës përmes mekanizmave që i ka duke mos përjashtu këtu edhe Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka thënë Qelaj.
Ai ka thënë se anëtarësimi në Këshillin e Evropës krijon detyrime për shtetin e Kosovës.
“Në anën tjetër ka më pas shumë përgjegjësi edhe shumë detyrime për vetë institucionet e shtetit me vetë faktin e anëtarësimit në Këshill të Evropës”./Betimi për Drejtësi