Vëllaznimi e ka mposhtur Sigal Prishtinën në kuadër të xhiros së fundit të stinorit të rregullt në Superligën e Kosovës në basketboll.
Ndeshja e së mërkurës mbrëma u zhvillua në Gjakovë, ndonëse Prishtina ishte vendase. Vëllaznimi fitoi me rezultatin 99:94.
Gjakovarët e fituan çerekun e parë me rezultat 33:24 e të dytin me rezultat 23:16. Prishtina u mundua të reagojë në pjesën e dytë, por nuk bëri mjaftueshëm.
Jahenns Manigat u dallua te Vëllaznimi me 14 pikë, tetë kërcime e katër asistime. Jalen Ray i kishte 21 pikë, pesë kërcime e pesë asistime. Jordan Dallas shtoi 16 pikë e gjashtë kërcime.
20 pikë në fitore i shtoi Myreon Jones.
Prishtinës nuk i mjaftoi një tjetër paraqitje superiore e Diamond Stone. Ai ndeshjen e përfundoi me 34 pikë e 13 kërcime.
Donte Clark i kishte 20 pikë e tetë asistime. Henrik Shirko realizoi 11 pikë e 10 kërcime.
Prishtina përfundon stinorin e rregullt me 44 pikë, në pozitën e katërt. Vëllaznimi përfundon i pesti me 41 pikë. Këto dy skuadra takohen edhe në çerekfinale të plejofit.