Basketboll

Ngulitja historike dhe jeta e vështirë e “viktimës” së saj

Frederic Weis

Rëndësinë e asaj skene e paraqet titulli i një gazete franceze, të nesërmen: “Le Dunk De LA Mort”.

“Ngulitja e vdekjes” ndodhi gjatë Lojërave Olimpike të vitit 2000, saktësisht 24 vjet më parë, në Sydney. Në turneun e basketbollit po takoheshin SHBA-ja dhe Franca. Vince Carter rrëmbeu topin pas një pasimi të gabuar të francezëve dhe iu drejtua koshit.

Në mes Carterit dhe koshit ishte basketbollisti francez, Frederic Weis. Weis është i gjatë 218 centimetra. Ylli i basketbollit, Carter e goditi topin dy herë në parket dhe u hodh në ajër. Weis ishte para tij. Por Carter kërceu aq lart sa e kaloi plotësisht gjigantin francez dhe nguliti topin në kosh. Është prej ngulitjeve më të mira në histori, nëse jo më e mira.

“Ai nuk kërceu, ai fluturoi”, tha Weis për ESPN disa vjet më pas.

Ngulitja është ende prej momenteve më të rëndësishme në histori të basketbollit.

Ndeshja i takonte fazës grupore, ndërsa SHBA-ja fitoi me rezultat 106:94. Më pas, amerikanët e fituan medaljen e tretë rresht të artë olimpike. Në finale, SHBA-ja kishte mposhtur sërish Francën, 85:75.

Megjithatë, sa i takon turneut të basketbollit, ajo që mbahet mend nga Sydney është ngulitja, përkatësisht zhytja e topit në kosh nga Carter.

Skena do të shoqëronte karrierën e dy basketbollistëve. Carteri realizoi njërin prej aksioneve më të bukura në histori, ndërsa Weis ishte “viktimë” e atij aksioni.

Carteri i kaloi plot 22 vjet në NBA dhe shumë herë ishte në ndeshjen e yjeve. Weisi ndërkohë nuk luajti asnjëherë në ligën më të mirë në botë.

Ndonëse fitoi medalje të argjendtë olimpike dhe medalje të bronztë evropiane, në nivel klubesh Weis nuk kishte ndonjë sukses.

“Për shumë njerëz unë jam vetëm personi që Vincer Carter e kaloi për të ngulitur”, ka thënë francezi.

Ai ishte pranë të transferohej në NBA, një vit para “ngulitjes së vdekjes”. New York Knicks e përzgjodhi atëbotë 22-vjeçarin si zgjedhjen e 15-të në draftin e NBA-së në vitin 1999. Tifozët nuk ishin të kënaqur dhe po ashtu trajneri Jeff van Gundy.

Basketbollisti e dëgjoi këshillën e agjentit dhe qëndroi edhe një vit në Francë. Ishte një vendim, për të cilin Weis u pendua më pas. Në vitin pasues ai nuk shkoi në New York pasi ndjeu se klubi nuk kishte interesim. Agjenti i tij u burgos në vitin 2002 për konflikt të interesit dhe parregullsi financiare.

Ngulitja e Carterit dhe lëshimi i rastit për të shkuar në NBA i sollën shumë pyetje francezit. Ai u përball me depresion, por jo për shkak të basketbollit apo për shkak të atyre dy momenteve.

“Ajo që më shkatërroi ishte jeta private, jo basketbolli”, ka thënë Weis.

Weis u godit pasi djali i tij, Enzo, i lindur në vitin 2002, ishte me autizëm. Një mjek i tha basketbollistit se gjenetika e tij ka kontribuuar në gjendjen e të birit.

“Kjo më shkatërroi”, ka treguar Weis.

Ai nuk mundi të përballojë fatin e djalit dhe nisi të konsumojë alkool, të rrihet në rrugë dhe humbi shumë shokë.

U nda me grua për shkak të kësaj po ashtu.

Aq e keqe ishte gjendja e tij sa që tentoi edhe të vriste veten. Doli të jetë pikë kthese në jetën e tij.

Ai më pas hoqi dorë nga alkooli. Tani ka shumë raporte të mira me djalin, Enzon, me të cilin kalon shumë kohë.

Frederic Weis është krenar me karrierën e tij, me faktin që ka luajtur për Francën dhe mbi të gjitha me familjen.

“I kam harruar të gjitha gjërat e këqija. Jam i lumtur. Jeta është e bukur”, thotë Weis.

VIDEO: