Volkswageni (VW) ka ngritur një zyrë në provincën perëndimore turke të Manisa, sipas një regjistri biznesi të botuar sot në Gazetën Zyrtare të Turqisë, raporton Reuters.
Një zhvillim i tillë sugjeron që kompania po i afrohet vendimit përfundimtar për vendndodhjen e objektit të saj të ri prodhues, vlerëson agjencia britanike.
Filiali turk i VW do të ketë një kapital prej 943.5 milionë lira (rreth 150 milionë euro) dhe kompania mëmë ka paguar një të katërtën e kësaj shume, raportoi Gazeta Zyrtare.
Pjesa tjetër, do të paguhet gjatë dy viteve të ardhshme. Filiali i Volkswagenit në Turqi do të përqendrohet në hartimin, prodhimin dhe montimin e makinave, kamionëve dhe automjeteve të tjera, transmeton KosovaPress.
VW po eksploronte disa lokacione për ndërtimin e një fabrike të re në Evropën Lindore, dhe përveç Turqisë, konsideroi Bullgarinë dhe Serbinë si një destinacion të mundshëm për investimet e saj.
Edhe
Volkswageni sërish shtynë vendimin për fabrikën në Turqi
Një anëtar i bordit të VW u tha gazetarëve në Berlin javën e kaluar se kompania po i afrohej një vendimi për të ndërtuar një fabrikë të re në Turqi.
Sidoqoftë, një zëdhënës i VW tha sot për Reuters se kompania është ende në fazat e fundit të negociatave dhe nuk ka marrë një vendim përfundimtar për uzinën.