Kompania prestigjioze gjermane, Volkswagen, në fabrikën e saj në Hanover, Gjermani, zyrtarisht ka filluar prodhimin e modelit Amarok me motor të fuqishëm dizel 3.0-litër V6 TDI.
Versioni i ri më i fuqishëm në gamën e këtij modeli Pick-up ka kapacitet prej 258 kuajfuqi, ndërsa me funksionin Overboost do të ketë 272 kuajfuqi, transmeton Koha.net.
Ky motor është i kombinuar me marshin automatik me tetë shpejtësi, si dhe do të jetë në dispozicion me sistemin për tërheqjes 4Motion, me të gjitha rrotat.
Gjithashtu, në ofertë është edhe versioni Amarok Aventura, ku ndër të tjera, karakterizohet me rrotat 20-inç nga alumini, ulëset me lëkurë Nappa, dritat e përparme Bi-Xenon me dritat e ditës LED, ndezjen automatike e dritave, etj.
Volkswagen Amarok 3.0-litër V6 TDI me 258 kuajfuqi dhe paketën “Highline” në Gjermani do të kushtojë 51,400 euro, ndërsa versioni Aventura do të kushtojë 58,000 euro.