Kur Berke Astarcioglu bleu një BMW i3 në vitin 2016, ai ishte një nga vetëm 44 persona në një vend me 80 milionë banorë që blenë një automjet elektrik me bateri (BEV) atë vit. Në kohën kur bleu një Tesla në vitin 2023, BEV-të nuk ishin më një çudi e plotë në Turqi, duke përbërë 7% të shitjeve të makinave të reja.
Dy vjet më pas, makinat elektrike po shiten aq shpejt sa Turqia e ka arritur BE-në për nga ritmi i adoptimit. Tregu i saj tani është i katërti më i madh në Evropë, pas Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, shkruan “The Guardian”.
“Një produkt premium është diçka që të bën të lumtur, por që jo të gjithë mund ta kenë”, tha Astarcioglu, një inxhiniernga Stambolli dhe zhvillues i një aplikacioni për të gjetur stacione karikimi. “Tesla ime është bërë një makinë e zakonshme këtu”.
BEV-të përbënin 16.7% të shitjeve të makinave të reja në Turqi në vitin 2025, ndërsa në BE përbënin 17.4% të shitjeve të makinave të reja, tregojnë të dhënat e regjistrimit të publikuara së fundi. Ndërsa shifra është më i ulët se në Holandë apo vendet nordike, ku BEV-të përbëjnë nga 35% deri në 96% të makinave të reja të shitura, shitjet në Turqi kanë ecur përpara me shpejtësi më të madhe se pothuajse çdo vend tjetër në Evropën jugore dhe lindore.
Rritja e automjeteve elektrike në Turqi është pjesë e një prirjeje globale, ku tregjet në zhvillim nga Uruguai deri në Vietnam po heqin dorë nga makinat me lëndë djegëse fosile me një shpejtësi befasuese. Të dhënat e fundit vijnë ndërsa Turqia përgatitet ta presë samitin e OKB-së për klimën dhe një muaj pasi BE-ja zbuti masat për t’i ndaluar deri në vitin 2035 makinat e reja me motorë me djegie të brendshme.
Analistët ia atribuojnë bumit te taksa speciale e konsumit në Turqi, e cila i ka lënë makinat elektrike vetëm pak më të shtrenjta se makinat e krahasueshme me benzinë. Shitjet mbeten të larta edhe pasi Qeveria rriti taksat për automjetet elektrike në gusht.
“Në praktikë, turqit nuk blejnë automjete elektrike sepse janë miqësore me mjedisin”, tha Ufuk Alparslan, analist në think-tankun klimatik “Ember”, duke thënë se kostot e përdorimit janë më të ulëta për makinat elektrike. “Motivimi është thjesht ekonomik.”
Elektrifikimi i flotave të makinave shihet si një hap kyç për dekarbonizimin e sektorit të transportit dhe uljen e ndotjes, por përpjekjet në shumë rajone kanë hasur pengesa. Në BE, ku emetimet që ngrohin planetin nga makinat janë rritur me 17% që nga viti 1990, përpjekjet për t’i hequr gradualisht motorët me djegie janë përballur me rezistencë të ashpër nga industria automobilistike.
Qeveria turke nuk ka një strategji të dedikuar për automjetet elektrike, por ka mbështetur një prodhues vendas, Togg, i cili në vitin 2024 e tejkaloi Teslan si shitësi kryesor i makinave elektrike në vend. Në një intervistë për Bloomberg javën e kaluar, kryetari i bordit të Togg, Fuat Tosyali, njoftoi plane për ta rritur prodhimin nga 40 mijë makina në vitin 2025 në 60 mijë në vitin 2026.
Hyrja e Togg në treg, e mbështetur nga lehtësira tatimore dhe kredi me interes zero nga bankat shtetërore, kanë ndihmuar në normalizimin e adoptimit të automjeteve elektrike, tha Berkan Bayram, themeluesi i Shoqatës Turke të Automjeteve Elektrike dhe Hibride.
“Ia fitoi zemrën blerësve turq”, tha Bayram.
Prodhuesit e huaj të makinave, të cilët duhet të përballen me taksa importi, kanë përfituar nga sistemi tatimor miqësor ndaj Togg, me prodhues si Tesla që kanë ulur fuqinë e motorit në Turqi për të hyrë në të njëjtin nivel tatimor të favorshëm. Edhe kompania kineze BYD po synon një pjesë më të madhe të tregut dhe planifikon të ndërtojë një fabrikë prej 1 miliard dollarësh në Turqi.
Përveç përfitimeve mjedisore nga zëvendësimi i automjeteve me lëndë djegëse fosile, kalimi drejt lëvizshmërisë elektrike mund të jetë një përfitim gjeopolitik për vendet që nuk prodhojnë vetë naftë. Flota e makinave në Turqi pritet të katërfishohet deri në vitin 2053, duke rritur ndjeshëm kërkesën për importe nafte, sipas një raporti nga InstitutDE, një think-tank diplomatik turk në Bruksel.
Ndërsa importet do të rriten në të gjitha skenarët e analizuar, dështimi për të përdorur më shumë makina elektrike do ta rrisë ekspozimin e Turqisë ndaj goditjeve të jashtme, luhatjeve të çmimeve dhe rreziqeve gjeopolitike, thuhet në raport.
Megjithatë, rritja e fundit e shitjeve të BEV-ve mund të mos sinjalizojë një ndryshim sistematik larg makinave me lëndë djegëse fosile. Nxitjet tatimore janë “shumë të brishta” dhe mund të ndryshojnë lehtësisht, tha Baki Kaya, ekonomist dhe ish-diplomat që bashkëshkroi raportin e InstitutDE.
“Nuk është rezultat i një vendimi strategjik”, tha ai. “Dhe personalisht nuk jam aq optimist (se do të vazhdojë)”.
Analiza nga “Ember” zbuloi se barra e përgjithshme tatimore mbi makinat elektrike mbetet e lartë, me taksën totale për makinat elektrike në nivelin më të ulët që arrin 50%, dhe që rritet në 86% në një nivel më të lartë. Pa ndryshime, inflacioni dhe kurset e këmbimit mund të tkurrin së shpejti numrin e BEV-ve të përballueshme, tha Alparslan.
“Edhe pse makinat elektrike kanë filluar të përhapen në Turqi, ende ekziston një potencial i madh i pashfrytëzuar për të ulur importet e energjisë përmes energjive të rinovueshme dhe automjeteve elektrike”, tha ai. “Politikat tatimore që i mbajnë çmimet e automjeteve elektrike në nivele më të përballueshme mund ta përshpejtojnë këtë vrull.”