Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Trumpi del kundër Harley Davidsonit

“Shumë pronarë të Harley Davidson synojnë të bojkotojnë kompaninë, nëse prodhimi i saj zhvendoset jashtë Amerikës. Shumë mirë!”.

Kështu shkruan në “Twitter” presidenti amerikan Donald Trump, mbi zgjedhjen e kompanisë amerikane për të zhvendosur jashtë Shteteve të Bashkuara prodhimin e motorëve, në përgjigje të tarifave të reja doganore të vendosura nga Brukseli mbi disa produkte që mbajnë markën “Made in USA”.

“Pjesa më e madhe e kompanive të tjera po ecin në një drejtim me ne, përfshirë edhe rivalë të Harleyt”, shton Trump, duke shpjeguar se zgjedhja e Harley Davidsonit për të nxjerrë prodhimin jashtë vendit është një lëvizje e gabuar, transmeton tch.

Drejtuesit e kompanisë thanë në fund të qershorit se mendojnë të transferojnë në Europë një pjesë të prodhimit të destinuar për atë treg. Vendimi është marrë për të evituar rritjen e taksave, nga 6 në 41 për qind, për motorët Harley Davidson, që sipas kompanisë do të reflektohej në rritje të kostos së prodhimit.

Masat e BE-së pasuan ato të administratës “Trump” mbi çelikun dhe aluminin e importuar. Harley Davidson nuk ka reaguar pas postimit të fundit në “Twitter” të presidentit Trump, i cili e bëri këtë pas një takimi me motoçiklistë në klubin e tij të golfit në Bedminster, gjatë fundjavës.

Trump shtrëngoi duart me ta, pozoi dhe mbajti edhe një fjalim të ashpër, ndërkohë që u prit me brohoritjet e turmës.