Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po vazhdon të bëjë fushatë të ashpër në rrjetet sociale kundër presidentit aktual Joe Biden dhe politikave të tij, përfshirë kalimin në veturat elektrike.
Trumpi ka përbuzje absolute për veturat elektrike, për të cilat thotë se do ta lejonin Kinën të merrte “nën kontroll gjithçka”.
Disa muaj pasi Trumpi kritikoi ashpër stimujt e Bidenit për të blerë automjete elektrike, ai sulmoi përsëri politikën e automjeteve elektrike në rrjetin e tij social, Truth Social.
Në postim, ai e quajti Bidenin “të korruptuar” dhe prokurorin Jack Smith “të çmendur” dhe shkruante se po organizojnë “gjueti shtrigash” kundër tij.
“Asnjë prej tyre nuk është aq i lig dhe i sëmurë. Vendi ynë me inflacion, dorëzim të Afganistanit, mashtrim të ri të gjelbër, taksa të larta, ‘ushtri’ të zgjuar, Rusi/Ukrainë, Izrael/Iran, çmenduria me kalimin në automjete elektrike dhe shumë më tepër. Bideni dëshiron të shkatërrojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Trump.
Edhe
Bideni godet veturat elektrike kineze me rritje të tarifave prej 100%
Sipas vlerësimit të Trumpit, Michigan nuk do të kishte industri automobilistike nëse ambiciet e Bidenit për automjetet elektrike do të bëheshin realitet, duke thënë se Kina do të merrte “gjithçka, absolutisht gjithçka”.
Trumpi është kandidati favorit nga republikanët për të sfiduar Bidenin vitin e ardhshëm.