Auto

Toyota pezullon operimet në fabrikën në Kinë, shkak mungesa e energjisë

Toyota

Prodhuesi japonez i automjeteve, Toyota, ka pezulluar operimet në fabrikën e tij në provincën Sichuan të Kinës pasi autoritetet lokale kanë lëshuar një urdhër për të kursyer energjinë elektrike, ka njoftuar kompania të martën, shkroi “Autonews”.

Sipas një zëdhënësi të kompanisë, fabrika e sipërmarrjes së përbashkët të Toyotas në qytetin e Chengdus ka ndërprerë funksionimin deri të shtunën.

Provinca Sichuan ka racionuar konsumin e energjisë elektrike industriale gjatë valës së saj më të keqe të të nxehtit në 60 vjet, duke nxitur prodhuesit e plehrave, litiumit dhe metaleve të tjera të mbyllin impiantet ose të frenojnë prodhimin.

Toyota nuk pranoi të zbulonte sasinë e prodhimit të automjeteve që do të ndikohej nga pezullimi.

"Ne po monitorojmë situatën çdo ditë dhe po ndjekim udhëzimet nga qeveria”, tha zëdhënësi i Toyotas.