Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Tesla shënon rritje në prodhimin e veturave në çerekun e parë të vitit

Prodhuesi i automjeteve Tesla, ka raportuar të shtunën një rritje të lehtë të tremujorit të parë sa i përket prodhimit të automjeteve elektrike.

Edhe pse kjo rritje u shënua, shefi ekzekutiv i Teslas, Elon Musk, ka njoftuar se ky tremujor ishte i vështirë për shkak të ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit dhe pezullimit të fabrikës në Kinë.

"Ky ishte një tremujor jashtëzakonisht i vështirë për shkak të ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit në Kinë. Puna e jashtëzakonshme nga ekipi Tesla dhe furnitorët kryesorë e shpëtuan ditën”, ka shkruar Musk në Twitter, raportoi Reuters.

Tesla ka raportuar për prodhimin e 310,048 automjete në këtë tremujor, një rritje e lehtë nga tremujori i kaluar dhe 68% më shumë nga një vit më parë.

Çmimet e larta të gazit të nxitura nga kriza në Ukrainë pritet të nxisin kërkesën për veturat elektrike, por mungesa e inventarit dhe çmimet më të larta të automjeteve do të rëndojnë mbi shitjet, kanë njoftuar analistët.

Tesla në mars rriti çmimet në Kinë dhe Shtetet e Bashkuara pasi Musk ka thënë se prodhuesi amerikan i veturave elektrike po përballej me presion të konsiderueshëm inflacioni në lëndët e para pas pushtimit rus të Ukrainës.