Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Shitjet më të ulëta të veturave në Evropë që nga 1996-a, rënie gati 50%

Në qershor të këtij viti, Evropa regjistroi numrin më të ulët të shitjeve të veturave të reja që nga viti 1996 me pak më shumë se 1.06 milionë automjete. Disa prodhues po raportojnë një rënie të shitjeve prej gati 50 për qind, treguan të premten të dhënat nga Shoqata Evropiane e Automobilave, shkruan Autoblog.

Grupi Volkswagen ishte prodhuesi kryesor që është goditur më shumë, me pothuajse një të katërtën më pak shitje se qershorin e kaluar. Megjithatë, në gjysmën e parë të vitit, Stellantis shënoi rënien më të madhe prej 21.1 për qind.

Ndër prodhuesit më të vegjël, Volvo ra me 47.9 për qind në qershor dhe 28.5 për qind në gjysmën e parë të vitit, ndërsa Jaguar Land Group regjistroi një rënie më të vogël prej 13.2 për qind në qershor, por 34.7 për qind këtë vit.

Inflacioni, pengesat në zinxhirin e furnizimit, rritja e numrit të rasteve me COVID-19 në disa vende dhe mungesa e vazhdueshme e çipeve janë vetëm disa nga problemet që mundojnë industrinë e veturave, e cila tashmë ka shënuar rënie për 12 muaj radhazi.

Prodhuesit e mëdhenj të veturave nga BMW-ja te Stellantis kanë raportuar rënie të shitjeve globale në javët e fundit përpara rezultateve të tremujorit të dytë më vonë këtë muaj.

Të katër tregjet kryesore të Bashkimit Evropian - Spanja, Italia, Gjermania dhe Franca - raportuan një rënie në regjistrimet e veturave.