Auto

Renaulti në 6 muaj pësoi 7.3 miliardë euro humbje

Prodhuesi francez i makinave Renault, ka pësuar në gjashtëmujorin e parë humbjen më të madhe neto në historinë e tij, me 7,3 miliardë euro, si pasojë e ndikimit të partnerit të tij japonez Nissan dhe krizës shëndetësore, njoftoi kjo kompani nëpërmjet një komunikate.

Grupi, tashmë në vështirësi edhe para pandemisë dhe që njoftoi në fund të majit mbylljen e 15 000 vendeve pune në botë, prej të cilave 4 600 në Francë, theksoi se kishte hequr dorë nga çdo parashikim i rezultateve financiare për 2020 përballë pasigurive të lidhura me pandeminë e COVID-19.

“Situata është e pazakontë”, theksoi drejtori i ri i përgjithshëm, Luca de Meo, i cili mori detyrën në fillim të muajit. “Megjithatë kam besim në kapacitetet e grupit për t’u ringritur sërish”.

Për krizën ka folur edhe zv.drejtoresha e përgjithshme, Clotilde Delbos.

“Kriza e tanishme shëndetësore ka pasur një ndikim të fortë në rezultatet e grupit për gjysmën e parë të vitit dhe i është shtuar vështirësive tona paraekzistuese”, theksoi Delbos. /ATSH-AFP