Bashkimi Evropian ka nisur së fundmi një hetim se sa prodhues kinezë të veturave po subvencionohen nga thesari i shtetit. Ka shumë kuptim hetimi i nisur nga BE-ja, nëse dhe në çfarë mase prodhuesit kinezë të veturave kanë avantazh ndaj atyre evropianë në kurriz të subvencioneve shtetërore. Në vitin 2020, qeveria kineze shpëtoi markën Nio, e cila kërcënohej me falimentim, me gati një miliard euro.
Duke dyshuar se kjo u lejon atyre të shesin vetura në Evropë me çmime nën koston e prodhimit të veturave, që do të thotë avantazh i padrejtë ndaj prodhuesve evropianë dhe pjesërisht amerikanë të veturave, BE-ja, për të mbrojtur ekonominë e saj, duket se ka nisur hetim të fshehtë. Edhe pse qeveri të ndryshme ndihmojnë në mënyrë indirekte veturat elektrike "perëndimore" përmes subvencioneve për blerje, ato nuk mbulojnë humbjet e kompanive si të tilla. Përveç kësaj, subvencionet për blerjet në BE zbatohen edhe për veturat elektrike kineze, nëse ato blihen për shembull nga një francez apo një italian, ndaj këto vetura kanë avantazh të dyfishtë në krahasim me ato evropiane.
Raporti i fundit nga New York Times vjen me të dhëna përfundimtare se sa qeveria kineze mund të mbulojë humbjet për disa prodhues të automjeteve. Kompania Nio humb 32 mijë euro për çdo veturë të shitur, por këto subvencionohen nga qeveria kineze.
Mbështetja e madhe e qeverisë është arsyeja pse kompanitë kineze të veturave mund të rriten kaq shumë, edhe pse ato janë jofitimprurëse. Me Nion gati të falimentuar më 2020, qeveria kineze dha afërsisht 1 miliard euro ndihmë për ta “mbajtur në këmbë” prodhuesin e automjeteve. Nuk ishte thjesht një injeksion financiar - shteti de jure bleu 24 për qind të aksioneve të kompanisë me ato para. Por kjo nuk ishte e vetmja mbështetje. Kjo u pasua nga një tjetër injeksion financiar nga një kompani bankare shtetërore e paidentifikuar në vlerën 1.5 miliardë euro.
Sigurisht, jo të gjithë prodhuesit kinezë të automjeteve po operojnë me humbje. Marka BYD, e cila nuk blen por përdor bateritë e veta, për shembull, ishte fitimprurëse për gjysmën e parë të vitit 2023, duke arritur fitim prej 1.35 miliardë euro, që do të thotë tre herë më shumë se vitin e kaluar për të njëjtën periudhë.
Përveç mbështetjes nga qeveria, prodhuesit kinezë të veturave kanë avantazh tjetër të madh përsa i përket çmimeve të ulëta në krahasim me prodhuesit nga Evropa dhe SHBA, dhe kjo është kostoja më e ulët e punës. Një punëtor fiton rreth një të tretën e asaj që fiton çdo vit një punëtor amerikan ose evropian që merret me prodhimin e veturave.
Edhe
BE-ja u vendos tarifa veturave elektrike nga Kina
Disa javë më parë, agjencia Reuters raportoi për rënien e madhe të pagave për punëtorët në industrinë e veturave në Kinë në muajt e fundit. Reuters shkroi se në gusht, reklamat në kërkim të punëtorëve për prodhimin e veturave në Kinë ofronin një pagë për orë prej 14-31 juanë (1.8-4 euro).
Përveç kësaj, prodhuesit kinezë mund të prodhojnë vetura edhe më të lira për sa i përket teknologjisë. New York Times në raportin e saj jep edhe një shembull. Vetura elektrike BYD Seal mund të prodhohej rreth 35% më lirë se Volkswagen ID.3.