Vetura e vogël e famshme, Isetta, nga mesi i shekullit të 20 i kishte ndihmuar atë kohë BMW-së të mbijetojë kohë të rënda, dhe ky model shërbeu si një frymëzim për një kompani zvicerane për Microlinon e ri elektrik.
Në periudhën midis 1955 dhe 1962, rreth 160,000 vetura origjinale Isetta dolën nga fabrika, në të cilën ka hapësirë vetëm për dy pasagjerë.
Isetta u projektua në Itali dhe u licencua në disa vende, duke përfshirë edhe Gjermaninë, ku ajo u bë nga BMW, e cila ishte larg nga reputacioni i prodhuesit premium që ka sot.
Ka kaluar 56 vjet që kur BMW përfundoi prodhimin e Isettës dhe kompania zvicerane paraqiti pasardhësin shpirtëror të kësaj veture - modelin Microlino, transmeton ksp.
Për shkak të gjatësisë së shkurt (vetëm 2.4 metra), Microlino mund të parkohet në mënyrë transversale, midis dy automjeteve të parkuara në mënyrë standarde. Për këtë veturë të vogël, u përzgjodh një motor elektrik prej 20 kuajfuqi, në sajë të të cilit Microlino mund të zhvillojë maksimum shpejtësinë deri në 90 kilometra në orë, e cila është më se e mjaftueshme për një veturë të dedikuar ekskluzivisht për ngasje në qytet.
Prodhuesi do t’u ofrojë klientëve dy opsione për bateritë - një me kapacitet më të vogël prej 8 kWh dhe tjetrën prej 14.4 kWh. Me baterinë e parë mund të kalohet deri në 126 kilometra, ndërsa me të dytën deri në 202 km.
Prodhimi i modelit Microlino do të fillojë deri në fund të vitit dhe do të bëhet nga kompania italiane Tazzari, e cila zotëron 50% të Microlino AG.
Prodhuesi pretendon se për momentin ka marrë mbi 7.200 para-porosi, ndërsa çmimi fillestar për këtë veturë të vogël është 12,000 euro.