Auto

Nis prodhimi i kamionit elektrik Tesla Semi

Kamioni elektrik Semi i Teslas është vonuar për një kohë të gjatë dhe themeluesi i kompanisë Elon Musk ka konfirmuar se prodhimi më në fund ka filluar, shkruan AutoExpress.

Kur kompania Tesla prezantoi kamionin Semi më 2017, pritej që prodhimi të fillonte deri në vitin 2019, por kjo nuk ndodhi. Musk më pas u dërgoi një email punonjësve në fillim të vitit 2020 në të cilin ai deklaroi se kamioni ishte tashmë në prodhim të kufizuar dhe se "është koha për të investuar gjithçka në mënyrë që të fillojë prodhimi masiv". Në prill të atij viti, u raportua nga Tesla se dërgesat e kamionëve u shtyn përsëri deri në vitin 2021.

Megjithatë, as viti 2021 nuk solli rezultat. Aksionarët u informuan se dërgesat po shtyheshin për vitin 2022 për shkak të problemeve globale të zinxhirit të furnizimit që preknin industrinë e teknologjisë dhe veturave, si dhe kapacitetin e kufizuar të prodhimit në lidhje me bateritë e kamionëve në atë kohë.

Megjithatë, duket se më në fund pritjes i ka ardhur fundi sepse Musk përmes Twitterit ka konfirmuar se dorëzimi i parë i kamionit Semi pritet më 1 dhjetor. Kamionët do t'i dorëzohen Pepsit, i cili porositi 100 njësi në dhjetor 2017.

Kompanitë e tjera të mëdha si Walmart dhe UPS gjithashtu porositën qindra kamionë.

Në maj të këtij viti, kompania Tesla filloi të pranonte porosi nga klientët me një depozitë prej 20 mijë dollarë. Kamioni më i lirë pritet të kushtojë 120 mijë dollarë.