Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Nga viti 2023, në Australi do të kontrollohet siguria e veturës nën ujë

Programi australian i vlerësimit të veturave të reja, ANCAP, ka prezantuar disa ndryshime të premten për vlerësimin e sigurisë së automjeteve nën ujë, shkruan Autocar.

Nga viti 2023, ANCAP do të përfshijë testimin nënujor i cili bëhet pjesë e sistemit të përgjithshëm të vlerësimit të vetura të reja.

Testimi nënujor do të grupohet me vlerësime të tjera në sistemin ANCAP që kanë të bëjnë me qasjen e automjeteve pas një përplasjeje me fokus shpëtimin e pasagjerëve të bllokuar në automjet. Prodhuesit duhet të vërtetojnë se dyert mund të hapen për një periudhë prej të paktën dhjetë minutash nën ujë pa energji baterie, si dhe se dritaret elektrike mund të funksionojnë.

Nëse këto kërkesa nuk plotësohen, atëherë prodhuesit duhet t'u ofrojnë pasagjerëve një mënyrë për të hapur ose thyer xhamat anësore dhe të gjitha informacionet në lidhje me këtë duhet të jenë në manualin që vjen me automjetin e ri. Pa këto hapa, automjetet e reja nuk do të mund të marrin vlerësimin maksimal ANCAP nga viti 2023.

Edhe pse nuk jepet arsyeja specifike për kriteret e reja, ANCAP përmendi motin e fundit që shkaktoi përmbytjet. Përveç kësaj, është e qartë se veturat e reja po bëhen gjithnjë e më komplekse për shkak të sistemeve elektronike.

Hulumtimet kanë treguar se ndryshimi në presion brenda dhe jashtë një veture që fundoset mund të parandalojë hapjen e dyerve derisa presioni të barazohet. Fatkeqësisht, kjo ndodh vetëm kur pjesa e brendshme e veturës mbushet me ujë, kështu që pasagjerët kanë shumë pak kohë për të shpëtuar veten.