Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Kosova me katër automobilistë në FIA Hill Climb Masters

Më 13 e 14 tetor në Gubbio të Italisë mbahet gara e madhe ndërkombëtare e automobilizmit.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në këtë garë Kosovën do ta përfaqësojnë: Bardhyl Canolli, Liridon Kalenderi, Gazmend Demolli dhe Besfort Bunjaku.

“FIA Hill Climb Masters është gati të shënojë edicionin e saj të tretë, në Itali pranë qytetit të vogël dhe madhështor mesjetar të Gubbios. Edicionet e para, në vitin 2014 në Dukatin e Madh të Luksemburgut dhe në vitin 2016 në Republikën Çeke, kanë bërë një përshtypje të madhe dhe kanë lënë kujtime të pashlyeshme për ata që morën pjesë. Megjithatë, ngjarja do të shkojë deri në një nivel tjetër midis 12 dhe 14 tetorit, pasi do të përmbysë rekorde të pjesëmarrjes”, thuhet në komunikatë.

E këtij eventi madhështor do t’i bashkëngjitet delegacioni i Federatës së Auto Sporteve të Kosovës.

Garuesit kosovarë shprehen të vetëdijshëm për konkurrencën e fortë, por, shprehen optimistë për rezultate të mira, sidomos Canolli dhe Kalenderi.

FASK-u bën të ditur se bashkë me garuesit do të jenë edhe mekanikët: Valon Rexhepi, Shpëtim Jashari e Belkin Fazliu, ndërsa nga Federata e Auto Sportit e Kosovës janë: kryetari Ismet Rexhepi, nënkryetari Agron Dida, Enes Buqezi, Bujar Hyseni, Faton Hyseni dhe Gazmend Jonuzi.