Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Garat e automobilizmit zhvendosen në karting, gara e parë për sivjet këtë të diel

Pas garave në disiplinat drift, malore e auto sllallom, kampionati i Kosovës në automobilizëm vazhdon me një tjetër disiplinë, që vetë Federata e ka cilësuar si mjaft atraktive.

Sipas njoftimit për media, të dielën në Qendrën e Panaireve në Gazimestan, mbahet gara në karting, e para në kampionatin e sivjetmë.

Në Federatën e Auto Sportit të Kosovës njoftojnë se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e garës, ndërsa edhe interesimi për pjesëmarrje duket të jetë i madh.

“Të rinjtë nga auto klubet: Peja, Prizreni, Mitrovica e Prishtina do ta sprovojnë veten në pistën e përgatitur nga FASK, derisa edhe skuadra organizative i ka përfunduar procedurat për kategorizimin dhe licencimin e ‘veturave’. Paraqitja në garë do të bëhet deri në orën 09:00, në orën 10:00 është paraparë treningu i lirë, pastaj 11:00-12:00 matja e kohës për pole-position”, thuhet në njoftim.

Vozitja e parë në program është nga ora 12:30, ndërsa e dyta në 14:00.

“FASK-u shpreson që edhe kjo garë të kalojë pa asnjë incident, ndërsa për çdo eventualitet aty do të jetë edhe Ndihma e Shpejtë”.