Shumica e prodhuesve të veturave bënë fitime më të larta vitin e kaluar, pavarësisht nga më pak automjete të shitura. Ferrari është ende kampion i industrisë së veturave në atë kategori, i ndjekur nga Tesla, por fitimi i prodhuesit amerikan të veturave elektrike është larg markës italiane.
Vitin e kaluar Ferrari ka fituar 94.500 euro për veturë. Tesla është në vendin e dytë me më shumë se 6.100 euro fitim për automjet të shitur, sipas një analize të publikuar nga Motor1.
Jo vetëm Ferrari dhe Tesla arritën sukses. Raporti tregon se 19 prodhuesit më të mëdhenj të veturave në botë, mesatarisht, fituan më shumë para për veturë të shitur vitin e kaluar sesa në vitin 2020.
Mesatarisht, fitimi ka rënë nga 1.168 euro për veturë të shitur më 2019 në 811 euro më 2020, dhe vitin e kaluar është rritur në 1.903 euro për automjet.
Prodhuesit janë përshtatur me pandeminë dhe mungesën e çipeve, të cilat kanë goditur sektorin e veturave. Gjegjësisht, sipas ekspertëve, industria është fokusuar kryesisht në prodhimin e modeleve më fitimprurëse si SUV-të dhe automjetet elektrike.