Shitjet e veturave elektrike në Turqi janë në rritje këtë vit dhe zënë një pjesë të madhe të tregut, e dominuar nga marka e parë vendase e automjeteve me bateri Togg T10X.
Afro 23 mijë automjete elektrike (EV) janë shitur nga janari deri në gusht të këtij viti, një rritje prej mbi 597 për qind krahasuar me 3.283 vetura elektrike të shitura në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, treguan të dhënat nga Shoqata e Tregtarëve të Automobilave dhe Lëvizshmërisë (ODMD), transmeton Daily Sabah.
Veturat hibride benzinë-elektrike kanë gjithashtu një ritëm të fortë, duke regjistruar një rritje prej 65.7 për qind në shitje në tetë muajt e parë në 60.489 automjete.
Pavarësisht se filloi dërgesat vetëm katër muaj më parë, Togg, automjeti i parë elektrik i prodhuar në Turqi, ka arritur të bëhet shpejt marka më e shitur në segmentin e veturave elektrike.
Kompania ka thënë se kishte dërguar 3.400 T10X deri në fund të gushtit. Nga këto, 1.965 janë dorëzuar vetëm muajin e kaluar. Prodhimi masiv i SUV-it tërësisht elektrik të segmentit C filloi tetorin e kaluar dhe dërgesat filluan në fund të prillit.
Prodhuesi planifikon të dorëzojë rreth 20 mijë njësi deri në fund të vitit 2023. Shitjet e automjeteve komerciale në Turqi nga janari në gusht arritën në 755.282 automjete, një rritje prej 64.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.