Auto

“Mr.Bean” fajësohet për shitjet e dobëta të veturave elektrike

Descriptive Text

Rowan Atkinson, aktori i njohur për rolet e tij në “Mr. Bean” dhe “The Black Adder”, është fajësuar për “njollosjen” e reputacionit të veturave elektrike, gjë që ka ndikuar në shitjet e tyre të dobëta. Emri i aktorit u përmend në Dhomën e Lordëve britanikë gjatë një takimi të komitetit të mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.

Think-tanku “Green Alliance” me bazë në Londër ka paraqitur pikëpamjet mbi pengesat kryesore me të cilat përballet qeveria britanike në përpjekjen për të hequr gradualisht veturat me benzinë dhe naftë përpara vitit 2035. Ata thanë se komenti i aktorit Rowan Atkinson kishte efekt të keq në këtë kauzë, shkruan Sky News.

“Një nga artikujt më të dëmshëm ishte komenti i Rowan Atkinsonit në Guardian. Për fat të keq, faktet e vërteta nuk arrijnë kurrë të njëjtën audiencën e gjerë si lajmet e rreme, që konfirmon nevojën për të siguruar standarde të larta editoriale”, thuhet në raportin e “Green Alliance”.

Atkinson pati shkruar një opinion me titullin “I dua automjetet elektrike dhe jam blerës i hershëm, por gjithnjë e më shumë ndihem i mashtruar”. Aktori ka thënë se automjetet elektrike janë “pak pa shpirt” dhe kritikoi përdorimin e baterive litium-jon.

Si zgjidhje alternative, “Mr.Bean” propozoi që shoferët të mbajnë të njëjtën veturë për aq kohë sa të jetë e mundur dhe rritjen e përdorimit të karburanteve sintetike që do të mohonin nevojën për automjete elektrike.

Atkinson, një entuziast i vetë-përshkruar i veturave, ka një diplomë në inxhinieri elektrike dhe elektronike. Ai pranoi se i ka këshilluar miqtë që të mos blejnë automjete elektrike.