Inxhinierët e trafikut në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Veriut në SHBA po propozojnë një dritë të bardhë në semaforë, e cila do të lejonte automjetet të përmirësojnë rrjedhën e trafikut, duke i mësuar edhe shoferët me atë çka po ndodh, shkruan Autocar.
Në simulimet kompjuterike, drita e bardhë në semaforë përmirëson ndjeshëm kohën e udhëtimit nëpër kryqëzime dhe redukton konsumin e karburantit. Drita e kuqe ende do të nënkuptojë ndalesë. Drita jeshile do të nënkuptojë për të vozitur dhe drita e bardhë do t'u “thotë” shoferëve që thjesht të ndjekin veturën përpara.
Koncepti i dritës së bardhë bazohet në faktin se është e mundur që automjetet të komunikojnë me njëra-tjetrën dhe me kompjuterin që kontrollon sinjalet e trafikut. Kur mjaftueshëm automjete i afrohen kryqëzimit, do të aktivizohej drita e bardhë.
Në këtë skenar, semafori do të funksiononte normalisht kur përqindja e veturave në kryqëzim është e ulët, por kur ky numër rritet, drita e bardhë sinjalizon shoferët që automjetet janë thjesht duke ndjekur veturën përpara.
Autorët e kësaj ideje thonë se drita nuk është e domosdoshme të jetë vetëm e bardhë dhe mund të jetë çdo ngjyrë, e cila nuk përdoret në semaforët ekzistues.
Shkencëtarët e testuan këtë sistem duke përdorur simulatorët e trafikut. Në kryeqëzime, bllokimi u reduktua me 3 për qind kur kishte vetëm 10 për qind automjete, por ky numër u rrit në 10.7 për qind kur kishte 30 për qind automjete.
Autorët e studimit argumentojnë se disa programe pilot afatshkurtra të dritës së bardhë mund të fillojnë në mjedise të kontrolluara, të tilla si portet, ku automjetet tregtare, të cilat kanë më shumë gjasa të jenë vetë-drejtuese, mund të udhëtojnë shpejt dhe me efikasitet.