Prodhuesi francez i automjeteve, Renault, mund të përballet me ndjekje penale në Francë për motorët me defekt pasi një grup klientësh po planifikojnë të paraqesin një kallëzim penal kundër tij javën e ardhshme, raportoi të dielën Reuters.
Kjo u bë e ditur nga avokati i këtij grupi, Christophe Leguevaques.
"Ne do të paraqesim një ankesë të hënën në emër të të paktën disa dhjetëra njerëzve", ka thënë ai.
Ankesa, e raportuar fillimisht nga gazeta Le Parisien, do të depozitohet në gjykatën penale të Nanterre, me pretendime që variojnë nga "mashtrimi i rënduar, praktikat e dyshimta të biznesit" deri te "mashtrimi" dhe "rrezikimi i jetës së të tjerëve", tha avokati.
Vendimi për të paraqitur ankesën vjen pas diskutimeve të pasuksesshme midis Renaultit dhe paditësve për motorët e dëmtuar.
Një zëdhënës i Renaultit ka thënë se kompania ka ofruar mbështetje teknike dhe ndihmë financiare për klientët e prekur.
“Grupi Renault nuk është ndalur asnjëherë dhe vazhdon të shqyrtojë kërkesat që po merr”, ka thënë zëdhënësi.
Renault ka pranuar se motori po konsumonte shumë vaj dhe se 133,050 automjete në Francë ishin prekur potencialisht, por gjithashtu tha se nuk kishte asnjë rrezik sigurie.