Auto

Të gjitha markat nën pronësinë e Volkswagenit ndalojnë aktivitetet me pagesë në Twitter

Markat e prodhuesit gjerman të automjeteve, Volkswagen, kanë ndaluar të gjitha aktivitetet me pagesë në Twitter, ka njoftuar të mërkurën një zëdhënës i kompanisë, raportoi Reuters.

Në fillim të këtij muaji, Volkswagen, i cili zotëron Audin, Seatin, Cupran, Lamborghinin, Bentleyn, Ducatin dhe Porschen, ka thënë se u kishte rekomanduar markave të ndalonin reklamat me pagesë në Twitter deri në një njoftim të mëtejshëm pas marrjes së kësaj platforme nga Elon Musk.

Një zëdhënës i Volkswagen tha se të gjitha markat i kanë ndjekur këshillat, ndërsa Audi kishte zgjedhur të ndalonte aktivitetet organike, të tilla si postimet e drejtpërdrejta, dhe t'u përgjigjej vetëm pyetjeve të klientëve në faqen e internetit.

"Ne jemi duke monitoruar situatën nga afër dhe do të vendosim për hapat e ardhshëm në varësi të zhvillimeve", shtoi një zëdhënës i Audi në një deklaratë për Reuters.

Audi nuk ka postuar në Twitter që nga 1 nëntori pasi më parë postonte pothuajse çdo ditë.

Elon Musk mori pronësinë e Twitter në fund të tetorit.