Veturat elektrike nuk do të përjashtohen më nga akciza e automjeteve nga prilli i vitit 2025, ka deklaruar kancelari britanik i Thesarit, Jeremy Hunt.
Duke njoftuar ndryshimin si pjesë e deklaratës së tij të vjeshtës, Hunt ka thënë se masa ishte krijuar për ta bërë sistemin e taksave të veturave "më të drejtë", raportoi BBC-ja të premten.
Grupi i motorëve “RAC” tha se nuk pret që ndryshimi të zvogëlojë kërkesën për automjete elektrike.
Por të tjerët, duke përfshirë si “AA”, paralajmëruan se masa do të reduktonte nxitjen për të kaluar në vetura elektrike.
"Për shkak se OBR (Zyra për Përgjegjësinë e Buxhetit) parashikon se gjysma e të gjitha automjeteve të reja do të jenë elektrike deri në vitin 2025, për ta bërë sistemin tonë të taksave të automobilave më të drejtë, kam vendosur që nga ajo kohë, automjetet elektrike nuk do të jenë më të përjashtuara nga akciza”, ka deklaruar Hunt.
Akciza e automjeteve (VED) është një taksë e vendosur për automjetet në rrugët e Mbretërisë së Bashkuar. Aktualisht, automjetet elektrike janë të përjashtuara.
Ka tarifa të ndryshme në varësi të automjetit.
Sipas planeve të paraqitura së fundmi, veturat elektrike të regjistruara nga prilli i vitit 2025 do të paguajnë tarifën më të ulët prej 10 funtesh në vitin e parë, më pas do të kalojnë në normën standarde që aktualisht është 165 funte.
Norma standarde do të zbatohet gjithashtu për automjetet elektrike të regjistruara për herë të parë pas prillit të vitit 2017.