Auto

Punëtorët pretendojnë se Tesla po përcjellë pjesëmarrjen e tyre në zyrë

Prodhuesi amerikan i automjeteve elektrike, Tesla, ka filluar të ndjekë pjesëmarrjen e punonjësve të tij që kur drejtori ekzekutiv, Elon Musk, lëshoi një urdhër kthimi në zyrë, kanë pretenduar punonjësit, raportoi të dielën “Autonews”.

Kjo përcjellje e kompanisë se sa shpesh punonjësit e saj shfaqen në zyrë, sipas punëtorëve ka filluar pas një emaili që Tesla u ka dërguar atyre duke u thënë se kompania ruan distinktivët e punëtorëve për të regjistruar pjesëmarrjen e tyre në zyrë.

"Ky është një njoftim i automatizuar. Ju po e merrni këtë email sepse nuk ka asnjë regjistrim që keni përdorur distinktivin tuaj për t’u futur brenda objektit”, është emaili që një punëtor pretendon se e ka pranuar nga kompania.

Në këtë email thuhet se Tesla ka vënë në dukje se punonjësi nuk e ka përdorur distinktivin e tij për të hyrë brenda hapësirës së punës për të paktën 16 ditë gjatë një periudhe 30-ditore.

Emaili i kujtoi punonjësit të Teslas se të gjithë punonjësit pritet të kthehen në zyrë me kohë të plotë, përveç nëse raportojnë për sëmundje, janë me pushime ose udhëtojnë për punë.

Në fillim të qershorit, drejtori i Teslas, Elon Musk, u dërgoi email drejtuesve të kompanisë, duke thënë se puna në distancë nuk është më e pranueshme.

“Kushdo që dëshiron të bëjë punë në distancë duhet të jetë në zyrë për një minimum prej 40 orësh në javë ose të largohet nga Tesla”, shkroi Musk në emailin dërguar drejtuesve të Teslas.

Në përgjithësi, punonjësit e Tesla-s kanë respektuar mandatin e kthimit në punë. Megjithatë, kompania thuhet se po lufton për të zbatuar urdhrat e Muskut.

Disa punëtorë të Teslas që u kthyen në zyrë janë ankuar për Wi-Fi të ngadaltë, hapësirë ​​të vogël në tavolinë dhe mungesë të vendeve të parkimit.