Auto

“Jeta është e shkurtër”, Rolls Royce shënon rekord të shitjeve

Viti 2021, pak a shumë si viti famëkeq 2020, ka qenë globalisht tejet i vështirë, jo vetëm nga ana shëndetësore, por edhe nga ajo ekonomike.

jo të gjithë kanë parë ditë të zeza, përkundrazi. Në 117 vite histori, një nga simbolet e luksit në automobilizëm, kompania britanike Rolls Royce, nuk kishte shitur kurrë aq vetura në 12 muaj, plot 5.586.

Sipas CEO-s së kompanisë britanike, Torsten Muller-Otvos, “meritë” e këtij rekordi është pikërisht pasiguria ndaj pandemisë dhe pasojave të saj.

“Shumë kanë parë miqtë dhe të afërmit e tyre të vdesin për shkak të COVID-19. Kjo i ka bërë të mendojnë se jeta është e shkurtër dhe është më mirë ta jetosh tani sesa të shtysh vendimet”, tha ai, përcjell A2.

Modeli më i shitur ka qenë ai Phantom, i ndjekur nga SUV Cullinan. SHBA-ja dhe Kina përfaqësojnë secila nga 30% të shitjeve.

“Falë COVID-it, industria e luksit është në përhapje globale. Njerëzit nuk kanë pasur mënyrë të udhëtojnë shumë, të dëfrehen, kanë mbledhur para që kanë filluar të shpenzojnë në objekte luksi”, shtoi CEO i Rolls Royce, Muller-Otvos.