Ndikimi nga mungesa globale e çipave në prodhimin e veturave italiane të “Stellantis” këtë vit do të jetë më i keq dhe më afatgjatë sesa dëmi i prodhimit i shkaktuar nga pandemia COVID-19 në vitin 2020, ka thënë të premten sindikata FIM-CISL e Italisë.
Mungesa globale e çipave po i shtyn prodhuesit e veturave të ngadalësojnë prodhimin, me Stellantis që ndaloi operacionet në disa objekte në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Prodhuesi i veturave parashikoi se do të bënte 1.4 milionë automjete më pak këtë vit.
"Uragani i çipave po shkakton ndërprerje të prodhimit që peshojnë më shumë se bllokimi në vitin 2020", tha kreu i FIM-CISL Ferdinando Uliano. "Parashikimet janë që një situatë e tillë do të vazhdojë për të gjithë gjysmën e parë të vitit 2022".
FIM-CISL shtoi se Stellantis kishte prodhuar 319,000 vetura në Itali në nëntë muajt e parë të këtij viti, 11% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2020, kur operacionet u ngrinë për disa javë pas shpërthimit të COVID-19.
Por Uliano tha se prodhimi i vitit të plotë 2021 vështirë se do të përputhej me 461,000 njësi të prodhuara vitin e kaluar.
Stellantis, i formuar në fillim të këtij viti përmes bashkimit të Fiat Chrysler dhe PSA të Francës, do të operojë me fabrikën Melfi, objekti i saj më i madh italian, për një ekuivalent prej vetëm gjashtë ditësh në tetor.
Nga ana tjetër, Mirafiori i Torinos, ku prodhohet vetura e vogël elektrike 500, është ndër fabrikat e pakta që nuk kanë pësuar ndalesa të mëdha.
Prodhuesi i katërt më i madh i veturave në botë ka vendosur gjithashtu të mbyllë një fabrikë gjermane deri në fund të vitit.