Një “Ladë” me aubë të hapur mund t’i rikujtojë shakatë e kahershme rreth sigurisë së veturës. Por për pronarët kubanë të klasikëve rusë, këto vetura përbëjnë pasion të vërtetë.
Dhe për më tepër janë trashëgimia më e dukshme e ishullit nga epoka sovjetike.
Vitin e kaluar, një grup pronarësh të këtyre veturave e formuan klubin “Lada Cuba Club”. E në më pak se katër muaj, grupi numëroi hiç më pak se 140 anëtarë, me gjithë kufizimet e detyrueshme shkaku i pandemisë.
Veturat “Lada” janë njëherësh simbol statusi për pronarët e tyre, të cilët duhet të performojnë mrekulli inxhinierike, jo rrallë herë tejet të kushtueshme, për t’i mbajtur ato në qarkullim. Kjo ngase pjesët për to vijnë kryesisht nga Rusia apo Panamaja dhe jo rrallë herë disa prej tyre punohen edhe me dorë.
Sanksionet amerikane që e goditën Kubën në vitet ’60 ndikuan në ndalimin e importit për veturat e prodhimit amerikan. Kuba më pas ktheu vëmendjen kah sovjetikët dhe kësisoj “Ladat” e para mbërritën në vend gjatë fundit të viteve ’60 dhe fillimi i atyre ’70.
Ndonëse shifrat zyrtare nuk janë publikuar asnjëherë, disa ekspertë sugjerojnë se rreth 80 mijë deri në 100 mijë vetura të këtij tipi kanë hyrë në Kubë.
Sot, një “Lada 2107”, ndër të fundit të prodhuar nga kompania ruse “AutoVaz”, mund të kushtojë 20 deri në 25 mijë dollarë.
Kjo shumë përbën një pasuri të vërtetë për ishullin, ku paga mesatare kap shumën prej 150 dollarësh.
