Prodhuesit e automobilave po përballen me sfidën e re në garën për të shitur më shumë vetura elektrike: Zjarri i baterive që nxit kthim të veturave e dilema për sigurinë, shkruan WSJ.
Rregullatorët e sigurisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në tetor kanë nisur një hetim për më shumë se 77 mijë vetura elektrike “Chevy Bolts” të prodhuara nga “General Motors”, pasi dy pronarë automobilash ishin ankuar se ka pasur flakë që ka dalë nga ulësja e pasme, aty ku është e vendosur bateria.
“Ford Motor” javën e shkuar njoftoi se po shtyn lansimin në SHBA për modelin hibrid “Escape”, pasi zjarri është shfaqur këtë verë në disa vetura të ngjashme të shitura në Evropë.
Po ashtu, kohëve të fundit, “Hyundai” dhe “BMW” kanë iniciuar kthim të veturave në të gjithë botën për të adresuar problemet që lidhen me flakët në bateri te modelet hibride me bateri.
Shkaktarët e zjarrit
“GM”, “Ford” dhe “Hyundai” kanë thënë se ende janë duke hetuar shkaqet e zjarrit dhe po shikojnë për kompensime të mundshme. Sipas tyre, siguria e veturave është qëllimi primar. “BMW” ka thënë se shumica e veturave të prekura nga ky problem ende nuk u ishin shitur klientëve.
Një zjarr në “Chevy Bolt” rezultoi me lëndime te një personi, kanë njoftuar rregullatorët. Tri kompani të tjera të veturave kanë thënë se s’kanë pasur asnjë lëndim.
Hulumtuesit kanë thënë se rreziqet e zjarrit në veturat elektrike janë të krahasueshme me veturat me djegie të brendshme. Sipas analistëve, këto probleme me zjarr te bateritë e veturave janë shumë të rralla, me sinjalin që mund të rritet varësisht nga rritja e shifrës së veturave elektrike nëpër rrugë.