Auto

Nga 2030 Amsterdami ndalon makinat ndotëse në qytet

Foto: AP

Makinat dhe motoçikletat me benzinë dhe naftë do të ndalohen nga Amsterdami që nga viti 2030, një përpjekje kjo për të pastruar ajrin e qytetit, ka thënë Këshilli i kryeqytetit holandez, raporton Reuters.

“Ndotja shpesh është një vrasës i heshtur dhe një nga rreziqet më të mëdha shëndetësore në Amsterdam”, tha Sharon Dijksma, këshilltare e trafikut të qytetit, transmeton Koha.net.

Përkundër përdorimit të shumtë të biçikletave nga holandezët, ndotja e ajrit në Holandë është në nivel më të lartë se që lejohet nga rregullat evropiane. Kjo ndodh për shkak të trafikut të rënduar kryesisht në Amsterdam dhe Roterdam.

Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar se niveli i lart i ndotjes së ajrit mund të çojë në sëmundje të frymëmarrjes, me ekspozim kronik që shkurton jetëgjatësinë për më shumë se një vit.

Amsterdami ka thënë se në dekadën e ardhshme synon që të zëvendësojë motorët e benzinës dhe naftës me alternative të tjera pa emetim të gazit, të tilla si makina elektrike ose të hidrogjenit.