Auto

Peugeot bashkohet me nuTonomy për veturat pa shoferë

Prodhuesi francez i veturave Peugeot do të bashkohet me firmën e teknologjisë me bazë në Boston, Massachusetts, nuTonomy për të testuar veturat e saja vetëvozitëse në Singapor.

Softueri i NuTonomy, sensorët dhe platforma kompjuterike do të instalohen në modelet Peugeot 3008 si pjesë e planeve për të zhvilluar teknologjinë e nevojshme për veturat autonome, ka thënë PSA dhe nuTonomy përmes një deklarate të mërkurën.

Ky kombinim i kompanive është i fundit në mes të teknologjisë dhe kompanive automotive pasi Daimler, e cila ka në pronësi Mercedes-Benzin, muajin e kaluar zbuloi partneritetin për zhvillimin e veturave autonome me Robert Bosch, ndërsa BMW ka njoftuar një aleancë me kompaninë për prodhimin e procesorëve Intel dhe kompaninë izraelite Mobileye, transmeton Koha.net.

Vozitja autonome në zona urbane kërkon një qasje më radikale në dizajnin e veturave, veçanërisht për softuerin dhe sensorët, për të ndihmuar një veturë që të navigojë me pengesat në qytet, ka thënë Anne Laliron, shefe e Laboratorit të Biznesit në PSA Group.

“Për këtë arsye kemi shfrytëzuar rastin të punojmë me nuTonomy”, ka thënë Laliron për Reuters.

Pas partneritetit fillestar, kompania do të marrë në konsideratë zgjerimin e këtij bashkëpunimi edhe nëpër qytete tjera të mëdha.

nuTonomy, kompania softuerike e themeluar nga Instituti i Teknologjisë në Massachusetts (MIT), ka qenë e para që ka testuar shërbimin taksi pa shofer në rrugë.