Auto

Mazda zbulon tri motorët e ‘treshes’ së re për Evropë

Descriptive Text

Prodhuesi japonez ka publikuar fotot dhe specifikat e Mazdës3 të re në tregun evropian.

Prezantimi i versionit Sedan dhe Hatchback me pesë dyer është bërë në Lisbonë. Po ashtu, është bërë prezantimi edhe i gamës së motorëve për Evropë, e cila përbëhet nga një motor dizel dhe dy motorë.

Motori Skyactiv-D 1.8-litër zëvendëson ata dizelë 1.5 dhe 2.2-litër nga gjenerata e kaluar. Ky motor është me kapacitet prej 116 kuajfuqi.

Sipas WLTP, Skyactiv-D shpenzon karburant mesatarisht 4.7-litra në 100 kilometra dhe liron dyoksid të karbonit 130 gramë për kilometër.

Motori i ri dizel është i pajisur me një katalizator të veçantë të oksidit të azotit (NOx) për të cilin Mazda pretendon të reduktojë ndjeshëm emetimet e gazrave të dëmshme.

Ofertat e motorit benzinë së “treshes” së re përbëjnë motorin Skyactiv-G 2.0 atmosferik dhe motorin Mazda më të avancuar teknologjik, Skyactiv-X. Motori Skyactiv-G 2.0-litër me 4 cilindra është me kapacitet prej 122 kuajfuqi.

Falë teknologjisë së ashtuquajturit “hibrid i butë” - M Hybrid 24V, ky motor benzinë ka një konsum më të ulët të karburantit, që është 6.0-litër/100 km (sipas WLTP), transmeton KosovaPress. Po ashtu, prodhuesi japonez thotë se emetimet e CO2 janë reduktuar (deri në 136 g/km), si dhe emetimet e grimcave të imta.

Një tjetër motor benzinë është Skyactiv-X. Ky është motori i parë benzinë me ndezje të kompresuar, e cila në vitin 2018 fitoi dy çmime për inovacione teknike.

Vlen të theksohet se Mazda në prezantimin në Portugali nuk ka zbuluar specifikat e këtij motori, por ata “u zbuluan” në fillim të shkurtit në faqen zyrtare të prodhuesit japonez. Bëhet fjalë për Skyactiv-X që prodhon 180 kuajfuqi në “treshen” e re (Mazda3).

Konfirmimi i këtij informacioni pritet në fillim të marsit kur Mazda3 do të ketë një premierë në panairin e veturave në Gjenevë.

Të tre motorët janë në kombinim me marshin manual me 6 shpejtësi, ndërsa ai automatik me 6 shpejtësi është në dispozicion si zgjedhje. Përveç kësaj, modeli Hatchback me motor Skyactiv-X do të ofrohet me sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat, i-Activ AWD.