Auto

Mercedesi prezanton zyrtarisht modelin elektrik EQC

Descriptive Text

Kompania prestigjioze gjermane, Mercedes, ka prezantuar zyrtarisht modelin e saj të ri elektrik e të shumëpritur – EQC, në kryeqytetin e Suedisë, Stockholm. Promovimi i këtij modeli për publikun e gjerë do të bëhet muajin e ardhshëm në panairin e veturave në Paris (nga 4 deri 14 tetor).

Ky model është paralajmëruar nga viti 2016, si koncepti Generation EQ, ndërsa modeli serik i tij do të dallohet me dritat dhe maskën e përparme më ndryshe.

Mercedesi pati njoftuar edhe më herët se EQC ka kaluar me sukses testimet dimëror në veri të Suedisë (në temperaturën deri minus 35 shkallë celsius), si dhe ato verore në Spanjë, transmeton Koha.net.

EQC vjen me paltformën e veçantë e zhvilluar enkas për veturat elektrike, ku përfshinë dy motorë elektrikë me 300 kW/408 kuajfuqi në total ndërsa me vetëm një mbushje të baterisë litium-jon prej 80 kW, ky model elektrik mund të kalojë deri në 450 kilometra. Po ashtu, 80 për qind i kapacitetit të baterisë mund të mbushet për rreth 40 minuta.

Gjithashtu, ky model elektrik që peshon 2,425 kilogramë, shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë e arrin për 5,1 sekonda dhe atë maksimale e ka të kufizuar në 180 km/h.

Sa i përket dimensioneve, EQC është i gjatë 4.7 metra, i gjerë 1.8 metra (me pasqyra 2 metra), i lartë 1.6 metra, ndërsa boshtin e rrotave e ka 2.8 metra të gjatë si dhe kapacitetin e bagazhit 500 litra.

Vëmendje të veçantë te ky Mercedes EQC tërheqë interieri i tij. Ai vjen me instrument-tabelën digjitale dhe sistemin e ri infotainment MBUX (Mercedes-Benz User Experience), i cili ka aftësi të mësojë falë inteligjencës artificiale.

{gallery}

Shoferi, po ashtu, ka në dispozicion pesë opsione të vozitjes: Comfort, Eco, Max Range, Sport dhe Individual.

Mercedes EQC do të prodhohet në fabrikën e Bremenit, Gjermani, ndërsa dërgesat e para te konsumatorët pritet të fillojnë në verën e ardhshme. Çmimi për versionin bazik të EQC-së do të jetë rreth 70,000 euro.

Ky prodhues gjerman i veturave është njëri nga prodhuesit të cilët kanë paralajmëruar se së shpejti do të sjellin veturat e tyre elektrike, dhe Mercedesi deri në vitin 2022 synon të lansojë 10 vetura tërësisht elektrike, përcjell Koha.net. Po ashtu, Mercedesi paralajmëron se në mesin e modeleve të ardhshme plug-in hibride dhe me sistemin 48-voltësh, në ofertë do të ketë 130 vetura elektrike.

Mercedesi, po ashtu, parashikon se deri në vitin 2025 modelet e saj elektrike do të përfshijnë mes 15 deri 25 për qind të shitjeve totale.