“Gjëja e vetme që do ta theksoja veçanërisht, që për ne ishte më shqetësuese, ishin përpjekjet konkrete për t’ua pamundësuar qytetarëve të Kosovës, dhe në këtë rast serbëve të Kosovës, që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, si në kuptimin e gjerë ashtu edhe në pozitat udhëheqëse në institucione. Ka një varg veprimesh më gjerësisht, lidhur me veriun, që mendojmë se do të ishin destabilizuese dhe për të cilat kemi ngritur shqetësime. Por, mendoj se gjëja kryesore që duam të theksojmë janë veprimet që do t’ua mohonin qytetarëve të Kosovës të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre”, ka thënë zyrtari i lartë amerikan
Veprimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që sipas SHBA-së “ka shkelur vijën e kuqe” dhe ka çuar në vendimin për pezullim të Dialogut të planifikuar strategjik, është, mes tjerash, “përpjekja për të penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje”, ka thënë një zyrtar i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit me bazë në Washington. Në një bisedë me KOHËN, ai ka thënë se atë e ka paraprirë edhe një seri veprimesh të tjera që “kanë krijuar ndasi dhe jostabilitet brenda vendit, por edhe më gjerë në rajon”.
Zyrtari amerikan ka folur edhe për atë se si e sheh SHBA-ja rrugën për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Ka thënë se shpreson që procesi i udhëhequr nga Brukseli do të sjellë rezultate, megjithatë edhe një veprim tjetër do të ishte thelbësor. “Po flas edhe për një proces paralel, ku Qeveria e Kosovës flet me qytetarët e vet dhe i përfshin ata në plane, qoftë nëse ato dalin nga dialogu, qoftë nëse dalin nga dialogu mes Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë ai. Ka deklaruar se strukturat paralele të Serbisë duhet integrohen brenda institucioneve të Kosovës, porse kjo duhet të bëhet në atë mënyrë që të sigurohet zgjidhje afatgjate dhe e qëndrueshme.
Sa i përket paqartësisë kushtetuese rreth votimit të nënkryetarit serb të Kuvendit, zyrtari i lartë në Washington, ka thënë se është e domosdoshme që të sigurohet përfaqësimi serb në këtë pozitë, dhe që për ta arritur këtë duhet gjetur një zgjidhje qoftë ajo institucionale apo politike.
Ai ka konfirmuar që prania amerikane në KFOR është thelbësore për interesat amerikane për paqe e stabilitet në Ballkanin Perëndimor, por që nuk ka përjashtuar zgjerim masash në fusha të tjera nëse qeveria në detyrë apo një qeveri e ardhshme vazhdon me veprime të njëjta si deri tani.
Zyrtari i lartë amerikan ka ripërsëritur se masat amerikane nuk kanë të bëjnë me popullin e Kosovës apo shtetin e Kosovës dhe ka thënë se dyert e bashkëpunimit me SHBA-në janë hap-e-krah, nëse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndërmerr veprime konkrete. Ka shtuar se SHBA-ja nuk e ka pasur të lehtë vendimin për pezullim dhe se shpreson që së shpejti të ketë ndryshim kursi.
Arsyet e pezullimit
Ndonëse zyrtarët e SHBA-së kanë drejtuar kritika të vazhdueshme në adresë të Qeverisë së Kosovës, për ato që i kanë quajtur veprime të njëanshme, e që lidhen me veprimet rreth strukturave paralele, si dhe heqjen e shfrytëzimit të dinarit, Washngtoni nuk ka marrë masa deri më 12 shtator të këtij viti, për dallim nga Bashkimi Evropian që i ka vënë Kosovës sanksione qysh më 2023. Ky vendim, sipas zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit në Washington, ka ardhur edhe pas asaj që e ka quajtur përpjekje e Kurtit për ta bllokuar Listën Serbe të marrë pjesë në zgjedhje.
“Gjëja e vetme që do ta theksoja veçanërisht, që për ne ishte më shqetësuese, ishin përpjekjet konkrete për t’ua pamundësuar qytetarëve të Kosovës, dhe në këtë rast serbëve të Kosovës, që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, si në kuptimin e gjerë, ashtu edhe në pozitat udhëheqëse në institucione. Ka një varg veprimesh më gjerësisht, lidhur me veriun, që mendojmë se do të ishin destabilizuese dhe për të cilat kemi ngritur shqetësime. Por mendoj se gjëja kryesore që duam të theksojmë janë veprimet që do t’u mohonin qytetarëve të Kosovës të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre”, ka thënë ai.
Ka shtuar se rreth veprimeve, të cilat SHBA-ja i ka parë si të njëanshme dhe destabilizuese, kanë pasur “një sërë bisedash me Kurtin në mënyrë private dhe diplomatike, ashtu siç bëjmë gjithmonë për veprimet shqetësuese”.
“Ne ishim të qartë, gjithashtu, se do të kishte pasoja nëse kjo do të vazhdonte. Dhe në një moment e ndiem se nuk mund të prisnim më gjatë dhe se duhej të mbronim interesat tona”, ka thënë ai.
Një muaj më parë, diplomatja kryesore amerikane e akredituar në Kosovë, Anu Prattipati, i pati shkuar në zyrë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për t’i kërkuar që të ndalen veprimet që i pamundësojnë subjekteve politike serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ajo ia pati bëri të ditur se SHBA-ja është duke e vëzhguar këtë çështje. Por, megjithatë, atë pasdite KQZ-ja mori vendim që Lista Serbe të mos certifikohet, gjë që pastaj u hodh poshtë nga PZAP-ja.
Integrimi i serbëve
Zyrtari amerikan ka theksuar se vendimi për pezullimin e Dialogut të planifikuar strategjik nuk ka të bëjë me raportin e SHBA-së me popullin e Kosovës dhe as me Kosovën si shtet. Por ka shtuar se, në thelb, pika që po përpiqen ta theksojnë është se serbët e Kosovës janë qytetarë të këtij vendi dhe ata duhet të jenë pjesë e jetës politike, shoqërore dhe ekonomike të tij.
Ai ka thënë se ka pasur një varg veprimesh ndër vite që kanë synuar të pengojnë pjesëmarrjen e tyre.
“Pra, mendoj se veçanërisht po flasim për një proces politik, dhe duhet shkuar përpara. Ajo që ne kemi insistuar është se askush nga kjo anë, askush, nuk e vë në dyshim që institucionet paralele duhet përfundimisht të integrohen në sistemin e Kosovës”, ka deklaruar ai. Por e rëndësishme është se si do të bëhet kjo, ka thënë ai.
Integrimi, sipas tij, mund të ndodhë “vetëm në një mënyrë që sjell stabilitet, me bashkëpunim të plotë dhe koordinim të plotë me popullatën prekur”.
I pyetur se si mund të ndodhë kjo me partinë më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe që mbështetet nga qeveria e Serbisë, dhe Beogradi vepron kundër integrimit të serbëve tek institucionet e Kosovës, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të tregojë vullnet.
“Thelbi i asaj që dua të them sa i përket fokusit tonë është që nëse do të kemi një skenar në të cilin qeveria në Prishtinë është e vullnetshme të përfshihet në dialog të plotë me qytetarët e vet për rrugën përpara, dhe pastaj ka një bllokim nga ana tjetër, atëherë fokusi ynë do të shkojë te ta. Mendoj se nuk jemi në atë situatë për momentin”, ka deklaruar ai.
I pyetur për faktin se disa nga masat që ka marrë deri më tani qeveria, në lidhje me strukturat paralele të Serbisë nuk kanë prodhuar tensione, zyrtari amerikan ka thënë se ato mund të duken si arritje, por që nuk janë të qëndrueshme.
“Është e qartë se mund të bësh diçka që në afat të shkurtër është e kënaqshme, si ligjërisht ashtu edhe emocionalisht, për të sjellë gjërat nën kontroll, por kjo nuk është e qëndrueshme në afat të gjatë nëse nuk ke pajtueshmërinë e popullatës së prekur”, ka thënë ai.
Zhbërja dhe integrimi i strukturave paralele në sistemin e Kosovës kanë qenë qëllimet e të gjitha proceseve negociatore, që nga ai i Vjenës e deri te ky i fundit që rezultoi me Marrëveshjen e Ohrit, por që megjithatë nuk kanë prodhuar rezultat.
Zyrtari amerikan ka thënë se deri në një masë e kupton frustrimin për rrjedhën e ngadalshme të dialogut mes Kosovës e Serbisë, të cilin SHBA-ja e përkrah dhe shpreson në rezultate, porse “ata që sigurisht nuk i mbështesim, janë hapat e njëanshëm të Kurtit për ta bërë këtë, në një mënyrë destabilizuese, sepse thjesht nuk është e qëndrueshme”.
I pyetur nëse masat konkrete që SHBA-ja kërkon nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë kthimi në procesin e dialogut dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, të cilën megjithatë Serbia e ka refuzuar formalisht, ai ka thënë se zyrtarët amerikanë kanë folur me evropianët dhe e përkrahin ecjen përpara të atij procesi. Megjithatë, sipas tij, SHBA-ja e sheh të nevojshëm komunikim direkt ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit serb të Kosovës.
“Po flas edhe për një proces paralel, ku Qeveria e Kosovës flet me qytetarët e vet dhe i përfshin ata në plane, qoftë nëse ato dalin nga dialogu, qoftë nëse dalin nga dialogu mes Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë ai. “Ka një proces me dy hapa këtu. I pari është riangazhimi përmes dialogut të BE-së për të ndjekur normalizimin me Serbinë. Por pika kryesore është se duhet të ketë angazhim me serbët e Kosovës për të ardhmen”.
Ai ka deklaruar se në këtë kontekst zgjedhjet e ardhshme mund ta ofrojnë atë mundësi. “Shpresojmë që serbët e Kosovës do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Kjo ofron një mundësi pas zgjedhjeve që Qeveria e Kosovës — kushdo që të jetë në pushtet — të hapë një dialog për mënyrën si ta bëjë integrimin siç duhet: në një mënyrë të qëndrueshme, që respekton të drejtat e njerëzve dhe i integron plotësisht ata në jetën politike, shoqërore dhe ekonomike të vendit”, ka thënë ai.
Zyrtari amerikan ka përmendur fjalimin e fundit të Kurtit, ku ai foli për angazhimin me serbët e Kosovës pas zgjedhjeve, si një “hap pozitiv”, por ka theksuar se “ajo që nevojitet janë veprime konkrete”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, javën e kaluar u është drejtuar qytetarëve serbë përmes një videomesazhi, ku njoftoi se “gjatë mandatit të ardhshëm” Qeveria do të punojë për integrimin e arsimit dhe shëndetësisë në një sistem të vetëm, duke bashkuar përvojat dhe forcat me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, vendet e QUINT-it dhe KFOR-in. Lista Serbe reagoi ndaj deklaratave të Kurtit, duke theksuar se integrimi i arsimit dhe shëndetësisë në sistemin kosovar nuk është pjesë e ndonjë marrëveshjeje dhe e ka cilësuar këtë si kërcënim për komunitetin serb.
Albin Kurti para se ta merrte përsipër udhëheqjen e ekzekutivit, teksa kundërshtonte dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, theksonte se ai do ta zhvendoste procesin brenda Kosovës në një dialog me qytetarët serbë të Kosovës për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me ta, megjithatë një proces formal i strukturuar në atë formë nuk ka ndodhur.
Nënkryetari serb
I pyetur rreth paqartësive kushtetuese në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit, ku Lista Serbe ka të drejtën e propozimit të kandidatit e deputetët të votimit ose jo të tij, ndërkohë që ende nuk ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, zyrtari amerikan ka deklaruar se kjo pozitë udhëheqëse u takon serbëve të Kosovës dhe se institucionet e saj duhet ta gjejnë një zgjidhje, qoftë ajo institucionale apo politike.
“Politika është e çrregullt, dhe tani keni disa probleme. Kosova ka institucione të forta dhe vitale, dhe u takon atyre të gjejnë rrugën përpara. Serbët e Kosovës kanë të drejtë të jenë në udhëheqjen e Kuvendit. Ata duhet të kenë të drejtë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në pozitat udhëheqëse. Kjo është diçka që ne do të donim ta shihnim të ruhej, përmes çfarëdo zgjidhjeje, qoftë institucionalisht apo politikisht”, ka thënë ai.
Zyrtari amerikan, i pyetur nëse edhe deklaratat e ashpra të Presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, rreth çështjes së zgjedhjes së nënkryetarit serb, kanë ndikuar në vendimin për pezullim, ka thënë që deklarata e SHBA-së për këtë çështje ka qenë e qartë, se vendimi lidhet vetëm me Qeverinë dhe kryeministrin në detyrë.
Bashkëpunimi me SHBA-në
Edhe pse është pezulluar Dialogu i planifikuar strategjik, Kosova e vazhdon bashkëpunimin me SHBA-në në fusha të ndryshme — mbrojtja, tregtia, arsimi, si dhe përmes MCC-së — por sipas zyrtarit amerikan, “nëse ka hapa të tjerë destabilizues që krijojnë ndasi brenda vendit, ne mund të ndërmarrim hapa të tjerë për të mbrojtur interesat tona”.
Pezullimi, sipas tij, nuk ka qenë vendim i lehtë dhe as i dëshiruar.
“Është vërtet fatkeqësi që u detyruam të ndërmarrim këtë hap. Ne duam të jemi në gjendje ta kthejmë mbrapsht, por kjo mund të ndodhë vetëm mbi bazën e veprimeve konkrete,” ka thënë ai. Ai shtoi se kjo është zgjedhje e çdo qeverie të Kosovës, dhe aktualisht e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili “i ka dyert hap-e-krah që të rikthehet te fryma e bashkëpunimit që ka përcaktuar marrëdhënien tonë.”
“Ai mund të ketë marrëdhënien më të fortë të mundshme me Shtetet e Bashkuara, ta thellojë edhe më tej atë partneritet, dhe të ndihmojë që Kosova të bëhet një shembull stabiliteti në rajon dhe një vend prosperues. Ose mund të ndërmarrë hapa të njëanshëm dhe destabilizues që krijojnë ndarje brenda vendit dhe jostabilitet në rajon, por nuk mund t’i ketë të dyja,” ka thënë ai. “Kështu që, shpresojmë që së shpejti të shohim një ndryshim kursi. Shpresojmë që ta rikthejmë këtë marrëdhënie në binarë, por kjo është një zgjedhje që ai duhet ta bëjë.”
Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, kur është pyetur nëse do të ketë lëvizje të pranisë amerikane në KFOR, ka thënë qartë se “interesi thelbësor i Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor është ruajtja e paqes dhe stabilitetit, dhe ne do të ndërmarrim çfarëdo hapash që i shohim të nevojshëm për ta ruajtur atë”.