Përfaqësuesit e ndërmarrjes publike lokale Hortikultura, kanë refuzuar të raportojnë para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në lidhje me raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të kësaj ndërmarrjeje për vitin 2020.
Kryesuesja e Komisionit, Hykmete Bajrami, tha se ne arsyetimin e tyre, përfaqësuesit e Hortikulturës kanë thënë se i raportojnë Kuvendit Komunal dhe nuk e kanë obligim të raportojnë para Komisionit, dhe se paraprakisht për këtë raportim në Komision është dashur të marrin leje nga aksionari, porse nuk kanë pasur mundësi të takohen me të.
“Ky komision e ka fushëveprimtarinë e qartë, në të kaluarën ky komision ka shqyrtuar disa raporte të ndërmarrjeve lokale publike edhe vetë Hortikutlurën. Asnjëherë më parë nga asnjë ndërmarrje publike lokale nuk ka pasur tendenca për t’i ikur raportimit. Arsyeja pse e kemi zgjedhur këtë ndërmarrje është se kjo ndërmarrje ka opinion të kundërt”, ka thënë Bajrami.
Deputeti Eman Rrahmani ka thënë se një qasje e tillë është e papranueshme dhe beson se arsyeja e vetme është opinioni i kundërt duke shtuar se këtu duhet të ndërhyjë edhe Prokuroria.
Albana Bytyqi si deputete raportuese bashkë me anëtarë të tjerë të Komisionit kanë kërkuar që t’u jepet edhe një mundësi për raportim.
“Ka shumë paqartësi në raport dhe është shumë voluminoz dhe ka qenë e rëndësishme të jenë pjesëmarrës. Nuk kisha preferuar të raportojë për këtë raport meqë nuk janë këtu do të ishte mirë me ua dhënë edhe një mundësi”, ka thënë Bytyqi.
“Nëse propozoni ne mund të ju bëjmë edhe një ftesë. Po e shtyjmë për një javë shqyrtimin dhe duhet t’ua bëjmë me dije që me apo pa prezencën e tyre do ta shqyrtojmë raportin dhe me të gjeturat do ta njoftojmë edhe nivelin lokal”, ka thënë deputetja Hykmete Bajrami.