Disa nga anëtarët e kabinetit qeveritar kanë tërhequr 10-përqindëshin e kursimeve pensionale, ndonëse Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar idenë e tërheqjes së këtyre mjeteve.
Katër ministra të kabinetit të Qeverisë Kurti në deklarimin e pasurisë së tyre i kanë deklaruar edhe mjetet e tërhequra nga Trusti.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka tërhequr 918 euro, ndërkaq bashkëshortja e tij ka tërhequr 530 euro. Të bashkë nga ky fond kanë përfituar 1448 euro.
Në listën e atyre që kanë tërhequr këto mjete është edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo bashkë me bashkëshortin kanë tërhequr 3.444 euro, 2.390 euro ministrja e 1.054 bashkëshorti i saj.
Edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka deklaruar se ka tërhequr 2.658.74 euro.
Edhe
Tërheqja e 10% nga Trusti, vazhdon përplasja VV-LDK
E ndryshe nga kolegët e tij, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka deklaruar se vetëm gruaja e tij e ka tërhequr 10-përqindëshin e Trustit. Ajo ka marrë 4.800 euro.
Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar këtë propozim të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Bashkëpunim me Partinë Demokratike të Kosovës, i cili ishte në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Deputeti atëherë e tash ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati pati thënë se nuk është zgjidhje tërheqja e 10-përqindëshit nga Trusti.
Ai në Interaktiv të KTV-së kishte deklaruar se me ligj, Kuvendi dhe Qeveria e ka mandatuar që ato para të mos tërhiqen pa asnjë arsye tjetër, përveç se për pensionim.
“Për t’i tërhequr 10 për qind nga Trusti, fillimisht ka të bëjë me parimin dhe qëllimin. Për nga aspekti parimor duhet ta shohim pse është themeluar Fondi Pensional. Arsyeja pse është themeluar një institucion i tillë është që të sigurohet që një qytetar kur e mbërrin moshën e zakonshme dhe mos me u bërë barrë e shtetit dhe mos me u bërë rast social, por me pasur kursime për të jetuar”, pati thënë ai.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli pati thënë se Qeveria nuk duhet t’i ndihmojë qytetarët me paratë e veta.
Edhe
Pas humbjeve në Trust, opozita kritikon Qeverinë që refuzoi tërheqjen nga kontributpaguesit
“Ligji për rimëkëmbje ekonomike nuk ka asgjë aty përveç idesë që qytetarët t’i marrin kursimet e tyre pensionale, që t’i shfrytëzojnë ato, por ne jemi që Qeveria t’i ndihmojë qytetarët e jo ata me pare të veta të tentojnë të dalin nga kriza. Qeveria nuk është e interesuar për ta tejkaluar këtë ligj, por të ishte e interesuar ajo do ti bënte numrat e deputetëve”, pati thënë ajo.
Ndërkaq njohës të çështjes kanë konsideruar se tërheqja e 10-përqindëshit të Trustit është diskriminues, duke theksuar se një numër i madh i njerëzve nuk do të mund të përfitojnë nga ai, ose do të marrin më pak se 100 euro.
Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, ku përfshihej edhe tërheqja e këtyre mjeteve ishte miratuar pasi kishte dështuar gjashtë herë t’i merrte votat e nevojshme.
Ligji ishte votuar pasi ishin pranuar edhe 4 amendamente nga Partia Demokratike e Kosovës, e një ndër to ishte edhe kompensimi i kësaj shume, brenda pesë vjetëve të ardhshme.
“Të gjithë qytetarët që kanë kontribuar në Trustin Pensional të Kosovës deri në shumën 10 mijë Euro, në rast të tërheqjes së shumës 10 % (dhjetë për qind) nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do ta kompensoj tek TRUST-i Brenda pesë viteve të ardhshme në mënyrë që ata qytetarë t’i kenë mjetet e tyre për moshën e pleqërisë”.
Edhe
Procedohet në Kuvend nisma për tërheqjen e trustit
Ndërkaq nga Trusti ishte bërë e ditur se rreth 50 për qind e qytetarëve kanë pasur të drejtë të tërheqin vetëm më pak se 100 euro.