Komisioni për Buxhet ka shqyrtuar në parim Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet pensionale të Kosovës, më të cilin është kërkuar tërheqja e 30% të kursimeve pensionale të qytetarëve.
Projektligji është përcjell për shqyrtim në seancë. Për kanë votuar 4 deputetë, kundër 3, ndërsa 2 kanë abstenuar.
Në mbledhjen që është mbajtur të mërkurën, me ftesë të Komisionit, ka marr pjesë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti. Ai ka thënë se qëllimi i kontributeve pensionale është që të ofrojë mirëqenie pas moshën së pensionimit.
Sipas Mehmetit, këto mjete duhet të shfrytëzohen pas pensionimit në mënyrë që pensionistët të mos bëhen barrë e shtetit.
“Për pensionet e bazuara në kursim, që veprojmë në emër të pjesëmarrësve dhe shpenzuesve, ka për qëllim grumbullimin dhe të sigurojë pensionet kontribuuese në rast se e arrijnë moshën 65 vjeçare. Qëllimi i kontributeve pensionale është që të ofrojë mirëqenie pas moshën së pensionimit”, ka theksuar Mehmeti.
Ndërsa drejtori i Trustit, Adrian Zalli tha se nëse Projektligji kalon në Kuvend, rreth 600 milionë euro do të tërhiqen.
Edhe
Qytetarët kërkojnë t'u lejohet tërheqja e parave nga Trusti
“Prej shifrave nëse shkohet siç është propozuar në ligj shuma qe do të tërhiqet është mbi 594 milionë euro nëse të gjithë i tërheqin, nëse marrim praktikën se sa i kanë tërhequr herën e kaluar është 95 për qind. Është e pritshme që e njëjta të tërhiqet rreth 600 milionë euro”, ka theksuar Zalli.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se vetë drejtori i Trustit Pensional i ka tërhequr mbi 16 mijë euro në kohën kur ishte lejuar tërheqja e 10% të trustit.
“Nëse drejtori i Trustit, zotëri Zalli i ka tërheq 16 mijë euro, pse mua si qytetar nuk më lejohet. Sa janë humbjet e Trustit këtë vit, si është e mundur të humbin 200 milionë euro, nëse kanë qenë të sigurta. Sa është shuma e letrave me vlerë që Trusti i ka blerë Qeverisë”, ka theksuar Haxhiu, i cili nuk është anëtarë i Komisionit për Buxhet, por ka marr pjesë në këtë mbledhje. /EO