Durak Zyrapi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se ka mungesë të theksuar të inspektorëve.
Ai ka shtuar se kanë kërkuar shtim të numrit të inspektorëve, por se nuk mund të aprovohet pa formimin e institucioneve. Zyrapi e ka quajtur urgjente ngritjen e numrit të inspektorëve të sigurisë ushqimore.
“Me formimin e sektorit të sigurisë ushqimore shpresojmë se do ta rrisim kapacitetin dhe do ta forcojmë çështjen e sigurisë ushqimore edhe pse mungesa e inspektorëve në AUV është e madhe... Ne kemi bërë kërkesë si autoritet 57 inspektorë të sigurisë ushqimore të pranohen, por për momentin deri të stabilizohen të gjitha institucionet e Kosovës, një gjë e tillë nuk mund të bëhet”, u shpreh ai.
Zyrapi ka theksuar se këtë verë, si çdo tjetër, koncentrimi është te kontrollet në sallat e dasmave. Sipas tij, qytetarët janë vetëdijesuar më shumë viteve të fundit sa u përket produkteve ushqimore më të sigurta. Ka thënë se konsumi i produkteve vendore është rritur dukshëm më shumë.
“Konsumi i prodhimit vendor është rritur dukshëm duke pasur parasysh që ne i kontrollojmë prodhuesit e qumështit, mishit, e të tjera, është rritur dukshëm. Sa i besojmë? Ne e kemi një mentalitet që ndoshta e huaja është më e mira, por unë mendoj se e keqja jonë është më e mirë se më e mira e atyre të mirëve. Prodhimet vendore janë shumë më në nivelin më të lartë se në shtetet përreth që i kemi”, ka thënë ai.