Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zyra e Grenellit s’jep detaje për idenë e zonës ekonomike si të Shenzhenit për Kosovën e Serbinë

Model kinez të zonës ekonomike Shenzhen, SHBA-ja synon të krijojë mes Kosovës dhe Serbisë.

Emisari amerikan për dialogun, Richard Grenell, ka thënë të martën se këtë do ta diskutojë në takimin e 27 qershorit mes dy shteteve në Shtëpinë e Bardhë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Zyra e Grenellit nuk ka dhënë detaje se ku planifikohet të ndërtohet zona ekonomike mes dy vendeve dhe nëse ka pajtueshmëri për këtë nga të dyja shtetet, raporton KOHA.

“Është shumë herët për të folur për këtë. Ju lutemi prisni deri pas takimit dhe shihni nëse do të ketë diçka nga kjo”, ka thënë zëdhënësi i Grenellit, Dick Custin.

Ndërkaq, Zyra e kryeministrit Avdullah Hoti nuk ka kthyer përgjigje në atë se nëse Kosova pajtohet që të ketë një zonë ekonomike me Serbinë.

Oda Ekonomike e Kosovës thotë se me krijimin e zonës ekonomike Kosovë-Serbi nuk do të ketë ulje të të hyrave në buxhet nga Dogana e Kosovës, ngase aty do të mund të vinin investitorë të rinj.

Kreu i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, thotë se është ende herët për të folur për vendin se ku mund të ndërtohet zona ekonomike, por përmend dy opsione, komunat veriore të vendit dhe Anamoravën.

Dy partitë opozitare, Vetëvendosje e as PDK-ja, nuk kanë pranuar të flasin për idenë e Richard Grenellit për krijimin e zonës ekonomike Kosovë-Serbi.

Me ndërmjetësimin amerikan, delegacionet e të dyja shteteve do të takohen në Uashington më 27 qershor.